Ai mbërriti te Juventus gjatë verës së kaluar, pas një viti me Napolin, ku arriti të thyejë rekordin për gola të shënuar në një sezon të vetëm të kampionatit italian, vendosur që nga viti 1950. Gonzalo Higuain ka treguar gjatë muajve të fundit se “Zonja e Vjetër” bëri mirë që shpenzoi 90 milionë euro për të. Sulmuesi argjentinas ka shënuar deri më tani me fanellën bardhezi 15 gola. Higuain, i ftuar në një ngjarje të “Nike”, foli për momentin që po kalon te Juventusi dhe formën e re sulmuese të përdorur nga Massimiliano Allegri: “Ne jemi në një moment të mirë, por nuk duhet të ndalemi. Në “Reggio Emilia” kishim për të provuar se ende mund të përmirësohemi. Allegri ka pasur guximin për të luajtur kështu, ndërsa ne futbollistët kemi treguar se mund ta përmbushim skemën, por jo mjaftueshmërisht në tri ndeshje. Nëse luajmë edhe në Ligën e Kampionëve me këtë modul? Për këtë duhet të pyesni trajnerin.” “El Pipita” ka shënuar tetë gola në gjashtë ndeshjet e fundit: “Jam i lumtur dhe po përpiqem të vë në praktikë këshillat që më jep trajneri. Natyrisht, duke shënuar është gjithmonë një gjë e bukur, por kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi.” Këtë fundjavë, Juventusi do të përballet me Interin. “Ka të drejtë Buffon. Në këtë moment, Interi është si Real Madridi, por nëse fitojmë të dielën, një pjesë e kampionatit tashmë mund të jetë e jona. Do të jetë ndeshje e vështirë, por është me rëndësi të kemi një qasje të drejtë në fushë. Interi ka një histori të madhe, ka fituar shumë kampionate, meriton respekt.”