Për momentin Zlatan Ibrahimovic vazhdon të jetë i impenjuar me Los Angeles Galaxy në fazën play-off të Major League Soccer, ku do të përcaktohet skuadra fituese e titullit kampion për këtë vit. Pas triumfit 1-2 ndaj Minnesota United, Galaxy do të sfidojë në çerekfinale Los Angeles FC në një derbi të nxehtë. Gjithsesi pasi të përfundojë ky sezon i MLS, Zlatan Ibrahimovic do të jetë një lojtar i lirë në treg, pasi ka vendosur të mos rinovojë kontratën me skuadrën amerikane, njofton Supersport, transmeton gazeta Koha.
Ibra dëshiron rikthimin në Itali dhe Interi mbetet një opsion real për të ardhmen e bomberit suedez. Zikaltrit nuk i kanë thënë jo propozimit të Raiolos që Zlatan të riveshë fanellën e Interit pasi trajneri Conte dhe drejtuesit e kanë marrë ndjeshëm në konsideratë një opsion të tillë. Problemi i vetëm qëndron te kontrata afatgjatë që kërkon Ibra. Raiola i ka paraqitur kërkesat e klientit të tij Interit, me 38-vjeçarin që kërkon një kontratë për 2 vite e gjysmë me një pagë prej 6 milionë eurosh në vit. (koha.mk)