Raxha Naingolan nuk është më në planet e Interit dhe të Antonio Kontes. Ka qenë vet Marrota, i cili në një intervistë e ka thënë hapur këtë gjë.
Kështu që belgu duhet të gjejë një tjetër skuadër që të vazhdojë karrierën e tij. Siç raporton “Tuttosport”, Kaljari është klubi i interesuar për të kthyer në Sardenjë, mesfushorin belg.
Naingolan ka luajtur me Kaljarin gjatë viteve 2010-2014 dhe dëshiron që ta rikthejë e të ndërtojë një ekip të fortë për sezonin që po vjen. Ky interesim është mes ëndrrës dhe dëshirës, pasi një klub si Kaljari, nuk ka një fuqi ekonomike të blejë një lojtar të kushtueshëm.
Mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e mesfushorit, i cili në një sezon tek Interi jo vetëm që nuk bindi, por i krijoj klubit jo pak probleme.