Kosova duhet të përqendrohet në sugjerimet që vijnë nga faktori ndërkombëtar e sidomos SHBA-të në lidhje me përfundimin e procesit të njohjes ndërkombëtare dhe pranimit në OKB, zhvillimet e brendshme shtetërore sidomos në këtë periudhë të pandemisë ku kujdesi duhet të jetë i shtuar në çdo aspekt jetësor. Këto mendoj se duhet të jenë aspiratat e çdo politikani, ose partie politike nga Kosova, realizimi i obligimeve dhe zotimeve që i ka bërë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Nga Festim POLLOZHANI
“Në politikë, marrëzia nuk është një hendikep” – ka thënë Napoleon Bonaparta, thënie që të bën të reflektosh lidhur me vijën ndarëse të politikës me marrëzinë. Pas rënies së komunizmit, lexo sistemit njëpartiak në Ballkanin Perëndimor, u hap rruga për veprim shumë partiak politik, reflektim ky i sistemit demokratik. Në fakt, fushëveprimi politik ishte apriori i lidhur me zhvillimet politike postkomuniste jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë që reflektuan edhe me zhvillime madhore politike siç ishte shpërbërja e Jugosllavisë, konfliktet si pjesë e këtij procesi, pavarësimet e shteteve ish-jugosllave si dhe krijimi “de jure” i shtetit më të ri, Kosovës. Në këtë konglomerat politik u përfshinë edhe shqiptarët në shtetet ose strumbullaret ku janë të përqendruar, natyrisht me bazë të fushëveprimit politik Shqipërinë (me gjithë peripecitë që iu imponuan në një periudhë jetike për shqiptarët në përgjithësi), që reflektoi me aq sa mundi në një proces politik të mëkëmbjes së elementit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, natyrisht proces i koordinuar edhe nga faktori ndërkombëtar dhe sidomos SHBA-të.
Sot kemi një pasqyrë krejtësisht tjetër të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, një Shqipëri anëtare të NATO-s dhe në rrugën e eurointegrimit, një Kosovë – shtet i pavarur në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe strumbullare të fuqishme politike të shqiptarëve në RMV, Mal të Zi e deri diku një kthjellje politike të shqiptarëve në Serbi, si elemente konstruktive të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të përbashkët në strukturat euroatlantike, si pjesë e zhvillimeve madhore politike, gjithsesi të koordinuara nga faktori ndërkombëtar, pra nga organizata që e orientojnë gjeopolitikën, andaj edhe fushëveprimi i elementit politik shqiptar duhet të jetë në koordinim me reflektimet politike madhore.
Po, po flas për atë se aspiratat politike kombëtare duhet të jenë brenda realitetit politik sepse politika është art i të mundshmes, aq më tepër që proceset politike të elementit shqiptar në këto vite kanë pasur zhvillim pozitiv, pikërisht nga koordinimi me faktorin ndërkombëtar, dhe çdo momentum që ka qenë në kundërshtim me këto politika ka rezultuar si destruktiv me pasoja të mundshme sa i takon progresit në shumë dimensione.
Nuk ka shqiptar që do të ishte kundër aspiratave historike të popullit të tij, por për procese të tilla duhet maturi, politikanë të përgjegjshëm që i njohin konstelacionet politike dhe me përgjegjësi e orientojnë masën. Askujt nuk i hyn në punë demagogjia, kushedi sa bukur të tingëllojë e njëjta. Demagogjia nuk është e pranueshme as për përfitime politike ditore, momentale sepse reflektimi i saj herët ose vonë do të dalë në pah. Për ta cituar këtu edhe Hrushovin: “Politikanët janë të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. Politika të tilla vërtetë janë të panevojshme.
Përveç kësaj, natyrisht se ka edhe pakënaqësi në lidhje me organizimin e elementit politik shqiptar, ndonjëherë edhe për shkak të papjekurisë politike, elementeve tipike ballkanike që në favor të politikave ditore të vihen në rrezik procese më të rëndësishme, e pastaj për të mos e banalizuar, mbase edhe prezenca e një strukture të mbetur nga sistemi i kaluar me mendësi të vjetër, e natyrisht edhe korrupsioni si tipar ballkanik e kanë bërë dëmin e tyre dhe pasojat janë evidente. Gjërat mund të kishin shkuar edhe më mirë, absolutisht jam dakord.
Si rrjedhojë, a është e nevojshme sot një interferencë politike, nga njëri shtet në tjetrin, nga një strumbullar në tjetrin, interferencë e cila do të sillte ndryshime të mëdha?! Duhet menduar nëse interferencat eventuale a do të sillnin bashkëpunim ose ndarje, koordinim ose përplasje?!
Mendoj se në vend të interferimeve duhet të mendohet për bashkëpunim e së këndejmi edhe koordinim midis elementeve politike shqiptare sidomos mes Kosovës dhe Shqipërisë por edhe faktorit politik jashtë kufijve administrativë. Fjalën e kam për bashkëpunimin dhe koordinimin në vijë institucionale, shtetërore, me politika të përbashkëta për konsolidim të përbashkët ekonomik, politik, kulturor, social, sportiv etj. Po ashtu duhet ndërtuar një strategji e përbashkët kombëtare kundër instrumentalizimeve të mundshme fetare, kam parasysh elementet destruktive, të cilat janë evidente gjithmonë e më shumë dhe po tentojnë të na japin një imazh anti-perëndimor. Këto janë pikat të cilat duhet ta bashkojnë fushëveprimin politik, të jenë pjesë e vizionit të elementit politik shqiptar, gjithmonë proevropian, properëndimor.
Askush nuk duhet ta cenojë demokracinë, aq më tepër tia ndalojë veprimin politik ndonjë partie që ka qëllime të tilla, thjesht po mundohem ta vlerësoj efektin që mund të sillte interferimi i tillë. Por, mendoj se përzierja e njërit kryeministër në mënyrë të pakoordinuar me kryeministrin e shtetit tjetër, në zhvillimet politike të brendshme dhe ndërshtetërore nuk është veprimi i duhur politik. Nuk i shërben frymës së bashkëveprimit. Aq më tepër këto veprime duhet të jenë në koordinim edhe me zhvillimet politike rajonale.
Kosova duhet të përqendrohet në sugjerimet që vijnë nga faktori ndërkombëtar e sidomos SHBA-të në lidhje me përfundimin e procesit të njohjes ndërkombëtare dhe pranimit në OKB, zhvillimet e brendshme shtetërore sidomos në këtë periudhë të pandemisë ku kujdesi duhet të jetë i shtuar në çdo aspekt jetësor. Këto mendoj se duhet të jenë aspiratat e çdo politikani, ose partie politike nga Kosova, realizimi i obligimeve dhe zotimeve që i ka bërë ndaj qytetarëve të Kosovës. A duhet ti rikthehem Bonapartës me një thënie tjetër të tij: “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”. Mendoj se jo, premtimet janë premtime dhe duhen mbajtur.