Kumanovë, 6 korrik – Punëtorët me të ardhura të ulëta mujore nga shteti kanë shfaqur interesim të madh për shfrytëzimin e vauçerëve prej 15 mijë denarë të cilat i ofron Ministria e Ekonomisë , në kuadër të thirrjes publike të publikuar në datën 17 të muajit të kaluar përmes Programit për turizëm vendor për punëtorë me të ardhura të ulëta për vitin 2019.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie, deri në datën 2 të këtij viti kanë arritur 1.230 aplikacione. Këtë vit, për këtë program janë ndarë 20 milionë denarë për të cilin mund të aplikojnë punëtorë me të ardhura të ulëta, të ardhurat mujore të të cilëve në familje nuk e kalojnë neto vlerën prej 22.000 denarë.
“Interesimi i punëtorëve me të ardhura të ulëta është me të vërtetë i madh. Vitin e kaluar vauçerët i kanë shfrytëzuar 1.699, ndërsa parvjet 1.098 familje. Nga analiza e Sektorit të turizmit pas përfundimit të projektit u përcaktua se numri më i madh i personave të cilët e kanë shfrytëzuar pushimin janë nga rajoni i Shkupit, të dytët punëtorët nga rajoni i Pollogut, të tretët nga rajoni verilindor. Shumica e tyre janë të punësuar në administratën shtetërore dhe publike”, thotë udhëheqësi i sektorit të turizmit nga Ministria e Ekonomisë Bekim Haxhiu.
Në ueb faqen e Ministrisë është publikuar lista e hoteleve në qendrat turistike të RMV-së, Ohër, Berovë, Kodra e Diellit, Dojran, Strugë ku punëtorët mund ta përdorin vauçerin.
“Dy vitet e kaluara përqindje më e madhe e punëtorëve i kanë shfrytëzuar vauçerët në hotelet në Ohër, Kodrën e Diellit, Mavrovë dhe Berovë”, deklaroi Haxhiu.
Hotelet dhe kapacitetet për vendosje janë nga kategoria e parë deri në kategorinë e pestë, ndërsa pjesa më e madhe nga kategoria e dytë.
Të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë tregojnë se ka rritje të numrit të turistëve vendorë. Numri i turistëve vendorë në prill të vitit 2018, është rritur për 6,5 për qind, bëhet e ditur në kumtesën e ESHS-së të publikuar më 12 qershor të këtij viti.
Në periudhën janar-prill të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i turistëve është rritur për 2,4 për qind me çka te turistët vendorë ka rritje për 5,4 për qind. Enti Shtetëror për Statistikë për këtë periudhë regjistron edhe numër të rritur të bujtjeve veçanërisht te turistët vendorë për 4,4 për qind.
Që të aplikojnë për vauçerë, punëtorët duhet të plotësojnë kërkesë e cila mund të gjendet në ueb faqen e Ministrisë edhe krahas të dhënave bazë për kërkuesin, nevojitet që të bëhen të ditur edhe emrat e anëtarëve të familjes dhe të nënshkruhet deklaratë. Në ueb faqen është theksuar se deklaratat duhet të nostrifikohen te notari.
Një punëtor mund të parashtrojë një kërkesë, ndërsa përparësi do të kenë ata të cilët për herë të parë aplikojnë për marrjen e vërtetimit për pushim. Ministria do të mbajë evidencë për secilin vërtetim të cilin e përdor edhe në cilin objekt hotelierik për vendosje do të përdoret në parimin “i pari vjen, i pari shërbehesh”. Kërkesat për marrjen e vërtetimit do t’i shqyrtojë komisioni i formuar nga ministri.
Masa ka dy aspekte. Nga njëra anë iu mundësohet punëtorëve me të ardhura të ulëta të përdorin pushim vjetor në njërin nga hotelet e shtetit, ndërsa nga ana tjetër hotelierëve iu mundësohet që t’i plotësojnë kapacitetet turistike edhe jashtë sezonit turistik dhe me këtë të rrisin të ardhurat.
Thirrja publike do të zgjasë deri më 30 gusht të këtij viti. Punëtorët do të mund të përdorin pushimin vjetor më së voni deri në nëntor të këtij viti.
Punëtorët duhet t’i dorëzojnë kërkesat me dokumentacion të rregulluar deri te arkivi i Ministrisë së Ekonomisë në rrugën “Jurij Gargarin”, 15, Shkup.