Restoranti i parë robotik i quajtur “Roboshef”, i hapur në kryeqytetin e Iranit, Teheran, pavarësisht se i referohet të rinjve ka tërhequr vëmendjen e konsumatorëve të të gjitha moshave. Në restorantin, i cili në Teheran ofron shërbim kryesisht për pica që nga viti i ri e deri tani, kamerierët robotë presin klientelën dhe marrin porositë. Të gjitha shërbimet tjera ofrohen në mënyrë automatike, përfshirë edhe pagesat. Pavarësisht se karriget nuk janë të ndryshme nga një restorant i zakonshëm vërehet se tavolinat kanë pamjen e një tableti të madh me strukturën e cila shndërrohet në një ekran të madh digjital. Gjithashtu në këto tryeza të përshtatura me ekrane me prekje mund të përcaktoni edhe ushqimin që preferoni. Porositë e marra nga pjesa e kuzhinës shërbehen nga roboti kamerier, i cili lëviz nëpërmjet një sistemi me shina të vendosur mes tavolinave. Klientët e “Roboshef”-it teksa presin ardhjen e ushqimeve të tyre mund të kalojnë kohën me lojërat kompjuterike të paraqitura në ekranet digjitale. Mexhid Zibadel, menaxheri dhe pronari i “Roboshef”-it për gazetarin e AA-së tha se në menaxhimin e restorantit kanë hapur “një risi të re” duke përfituar nga mundësitë e teknologjisë. “Tryezat dallojnë nga llojet tjera dhe janë me prekje, ndërsa janë plotësisht vendase dhe të dizajnuara në mënyrë që klientët tanë të mos kenë asnjë problem gjatë apo pas ushqimit. Gjithashtu ekskluziviteti i tryezave është plotësisht i yni”, thotë Zibadel. “Duke bashkuar ushqimin me teknologjinë kemi përgatitur një ambient të përshtatshëm për klientët tanë të rinj. Por, që kur kemi nisur të ofrojmë këtë shërbim kemi arritur të tërheqim vëmendjen e shumë të moshuarve të cilët janë kurioz për konceptim të restorantit tonë”, tha Zibadel. Ndër të tjera duke vënë në dukje se kryesisht ofrojnë shërbime për pica, Zibadel shtoi se nga pikëpamja e çmimeve nuk janë ndryshe nga restorantet tjera në Teheran.