Inter kërkon informacione për Florenzin

13

Alessandro Florenzi po bën mjaft mirë me fanellën e Paris Saint Germain ku është në huazim nga Roma, por klubi francez nuk duket i bindur të ekzekutojë të drejtën e blerjes së kartonit të tij për shifrën e 9 milionë eurove.

Nga kjo situatë është gati të përfitojë Interi, që vijon të jetë në kërkim të një anësori të majtë të disiplinuar taktikisht, por edhe të shpejtë e me aftësi të mira sulmuese, për të shkuar shpesh deri në fundore.

Pikërisht mbrojtësi italian është një nga të preferuarit e Contes, që e njeh Florenzin që nga koha kur drejtonte Italinë dhe e pati kërkuar edhe më herët te Interi, por nuk arriti dot ta veshë zikaltër.

Florenzi është një lojtar që luan me këmbën e djathtë, por mund të bëjë mjaft mirë edhe në të majtë, duke qenë një lloj xholi për teknikun zikaltër, por njëkohësisht duke rritur numrin e italianëve te Interi.

Përveç Florenzit, zikaltrit po ndjekin me mjaft interes edhe italianin e Chelsea-t, Emerson Palmeiri, një tjetër futbollist i preferuar nga Conte, pasi ishte ky i fundit që e mori në Londër tre vite më parë.

Gjithsesi rruga që të çon te Florenzi duket më e lehtë, pasi Roma nuk dëshiron ta rikthejë më në kryeqytet dhe është gati të pranojë një ofertë prej 8-9 milionë eurosh për kartonin e 30-vjeçarit italian.