Për çdo ndeshje që kalon, duket akoma më i qartë fakti se Mauro Icardi është pika kyçe e skuadrës së Interit. Por, mund të thuhet se ka edhe probleme. Bëhet fjalë për rinovimin e kontratës së argjentinasit, e cila skadon në vitin 2021. Pavarsisht se të dyja palët duken të qeta në lidhje me këtë situatë, ato janë akoma larg marrëveshjes, duke marrë parasysh kërkesat e larta të sulmuesit për rrogën.
Në merkaton e verës që lamë pas, Icardi ka marrë tre oferta të majme, nga klube të nivelit të lartë, shifra shumë më të larta se 4.5 milionët që merr në sezon tek Interi, numër i cili u rrit edhe prej kualifikimit në Champions League.Pozicioni i tij është mjaft i qartë. Ndihet shumë mirë tek Interi, e nuk ka ndërmend të krijojë probleme, por 25 vjeçari pret nga Suning një propozime si ato që i erdhën në verë.
Edhe vetë klubi zikaltër dëshiron qëndrimin e lojtarit, por nuk e ka hedhur ende hapin e parë për zhbllokimin e situatës. Është e qartë se kontrata nuk skadon shpejt, por gjithashtu jo shumë vonë, dhe klubet e interesuara qëndrojnë gati për çdo rast që mund t’i paraqitet. Nga kapiteni sinjali është i qartë. Ai që duhet të lëvizë shpejt është Interi.