Ka edhe 15 ditë kohë që nga ndeshja Inter-Eintracht Frankfurt dhe tifozët gjermanë kanë prenotuar 13.500 biletat që janë në dispozicion të tifozerisë mike për ndeshjen në “San Siro”.
Ndeshja e parë do të jetë të enjten e ardhshme, ndërsa ndeshja e kthimit në Itali do jetë pas dy javësh dhe janë shitur të gjitha biletat, madje kërkesat e kaluan numrin e 20 mijë biletave.
“San Siro” ka kapacitet deri në 78 mijë vende dhe me rregulloren e UEFA-s tifozeria mike ka të drejtë të marrë 5% të vendeve që ka stadiumi. Mirëpo drejtuesit e klubit gjerman kanë negociuar me homologët e tyre italian dhe kanë rënë dakord që të iu jepet një hapësirë më e madhe.
“Për fansat tanë, ndeshja në ‘San Siro’ është një ëndërr e bërë realitet”, tha Axel Hellmann, anëtar i bordit të Eintracht: “Një rajon i tërë është i lumtur për ndeshjet kundër një prej emrave më rezonues të klubeve të futbollit evropian. Ne shpresojmë që do të dhurojmë dy festivale futbolli emocionuese dhe paqësore”, përfundoi Hellmann.
Kujtojmë që në ndeshjen e fundit të grupeve të Europa League, Frankfurt luajti në “Olimpico” ndaj Lazio dhe e kishte siguruar kualifikimin si e para e grupit. Gjithsesi në Romë udhëtuan 10 mijë tifozë duke qenë më të shumtë në numër se tifozët vendas.