Shkup, 16 gusht – Shefi i shtatmadhorisë së Forcave të armatosura të Republikës së Bullgarisë, gjeneral Andrej Bocev, i cili po qëndron në vend, sot i vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtatmadhorinë e Armatës.
Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, gjenerali Bocev pati takim me nikoqirin e tij, shefin e SHM-së, Vasko Gjurçinovski, pas çka u takua edhe me zëvendësen e kryetarit të Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Në bisedimet me ministren Shekerinska, kumtuan nga MM-ja, u bë fjalë për thellimin e bashkëpunimit në trajnimin e forcave mjekësore, logjistikës, komunikimit, marrëdhënieve me opinionin dhe trajnimin e pilotëve.
“Duke u falënderuar për ratifikimin e shpejtë të Protokollit inkuadrues për pranimin e vendit tonë në NATO, ministrja u përqendrua në stërvitjen e suksesshme të realizuar ‘Goditje e vendosur’ në të cilën mori pjesë edhe Republika e Bullgarisë dhe tha se stërvitjet e tilla e përforcojnë ndërveprimin mes armatave dhe është një shembull i shkëlqyer për bashkëpunim rajonal dhe ndërshtetëror”, qëndron në kumtesë.
Gjeneralët Gjurçinovski dhe Bocev gjatë takimit biseduan për bashkëpunim të ndërsjellë ushtarak i cili është në ngritje të vazhdueshme, veçanërisht në kryerjen e trajnimit të përbashkët midis bashkësive të policisë ushtarake dhe njësive speciale dhe pjesëmarrjes së përbashkët në stërvitje.
Gjenerali Gjurçinovski ka treguar falënderim për mbështetjen në pikëpamje të procesit tonë integrues për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe mundësinë për shkollim të eprorëve tanë në institucionet më të larta arsimore në Republikën e Bullgarisë, e cila së bashku me bashkëpunimin në trajnimin dhe stërvitjet e përbashkëta paraqet bazë të mirë për përmirësim dhe avancim të bashkëpunimit bilateral.
Nga ana e gjeneralit Bocev, u theksua se bashkëpunimi mes dy armatave edhe në periudhën në vijim do të intensifikohet me numër të madh të aktiviteteve stërvitore, transmetim të përvojave nga integrimi në NATO, si dhe në pjesën e bashkëpunimit ushtarak-teknik.
Gjatë takimit, delegacioni i forcave të armatosura të Republikës së Bullgarisë u njoftua me procesin e transformimit të Armatës, pjesëmarrjen në operacionet paqësore dhe kontributin në përballjen me krizën e emigrantëve, shfrytëzimin e kapaciteteve në poligonin e armatës Krivollak për aktivitete stërvitore, ndërsa është biseduar edhe për mundësitë dhe format e bashkëpunimit të mëtutjeshëm midis dy armatave.
Shefi i SHM-së së FA-së të Republikës së Bullgarisë, gjatë vizitës, do të ketë takim edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovskin, ndërsa do t’i vizitojë regjimentin për operacione speciale dhe qendrën ushtarake mjekësore ku do të njoftohet me misionin dhe detyrat e tyre.
Delegacioni i lartë ushtarak gjatë qëndrimit treditor do të ketë mundësi të vizitojë edhe një pjesë të monumenteve kulturore-historike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa të dielën do të kontribuojë në solemnitetin qendror me rastin e shënimit të Ditës së Armatës në qendrën për trajnim në ujë në Ohër.
Bashkëpunimi i armatave të dy vendeve në vitin vijues ka rreth tridhjetë aktivitete të përbashkëta ushtarake nga të cilat një pjesë janë në shtetin tonë, ndërsa një pjesë në Republikën e Bullgarisë.