Mësimi në klasë është një praktikë shumëvjeçare dhe e ka dëshmuar efektin e vet, mësimi online ka pasur implementim, por me kohëzgjatje të ndryshme në vende të ndryshme të botës andaj edhe efekti i tij është i ndryshëm varësisht nga parakushtet dhe mundësitë me të cilat është implementuar; ndërsa sa i përket mësimit virtual – besoj se kjo është një praktikë e re që nuk ka akoma implementim jo vetëm në vendin tonë por gjetiu, prandaj duhet të mendojmë se si do të ishte ky lloj i arsimit të këtillë
Nga prof.dr Rabije MURATI
Si rezultat i arritjeve dhe ndryshimeve të mëdha në sferën e teknologjisë, inteligjenca artificiale çdo ditë e më shumë bëhet pjesë e jetës së përgjithshme të individëve përfshirë këtu edhe procesin e arsimimit të tyre. Ajo që zgjon kurreshtjen tonë për të hulumtuar dhe trajtuar këtë problematikë është çështja se si do të mundet intelegjenca artificiale të integrohet në arsim, si do të dukej një klasë ku do të implementohej inteligjenca artificiale, a do të mundet kompjuteri të zëvendëson arsimtarin, apo eventualisht roboti përmes inteligjencës artificiale a do të mund të jetë zëvendësimi i arsimtarit në të ardhmen, etj. Ajo që na bën të trajtojmë problematika të ndryshme të arsimit është pikërisht zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i teknologjisë nga ana e fëmijëve dhe të rinjve në çdo moment të jetës së tyre.
Dilema e kohës është se si do të jetë ardhmëria e arsimit, ku do të shkon arsimi dhe në çfarë drejtimi duhet të orientojmë rininë që të mund t’i përgjigjet kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Arsimi është dukuri për të cilën vazhdimisht është folur dhe është munduar të gjendet mënyrë e realizimit të saj e cila do të kishte përgatitur rininë për të realizuar profilet e ndryshme profesionale dhe jetësore në një kohë të ardhme. Sa dhe si e realizon arsimi këtë detyrë gjithmonë është e diskutueshme dhe gjithmonë tentohet të arrijmë nivelin e arsimit i cili do të përgjigjet kërkesave evropiane, të kohës moderne dhe njëkohësisht t’i përshtatet kohës në të cilën jetojnë nxënësit dhe kohës në të cilën ata do të duhet që të punojnë dhe të zhvillojnë shoqërinë.
Nëse i referohemi revolucionit teknologjik mund të themi se teknologjia tani më zë vend në shumë sfera të jetës, gjithashtu intelegjenca artificiale është diçka që në mënyrë spontane bëhet pjesë e përditshmërisë, përmes telefonave të mençur, kompjuterëve, orëve të mençura, tabletave, etj. Intelegjenca artificiale tani më nuk është diçka e panjohur në sistemin edukativ-arsimor të kohës në të cilën jetojmë. Por, ajo që na bën të mendojmë është dilema se sa intelegjenca artificiale ka rol dhe ndikim në zhvillimin e aftësive tek nxënësi. Tendencat për reformim të sistemit edukativ-arsimor janë aktuale dhe gjithnjë e më tepër insistohet të arrihet në një sistem i cili do të jetë konform kërkesave evropiane, por ajo që mendoj se duhet të mendohet është që sistemi edukativ-arsimor duhet të pranon teknologjitë e reja gradualisht duke u shmangur nga mësimi tradicional dhe praktika pedagogjike tradicionale dhe implementimi i risive teknologjike si domosdoshmëri e praktikave të reja. Shtete të ndryshme të zhvilluara tani më kanë filluar të trajtojnë këtë problematikë duke u munduar të diskutojnë nevojën dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të arsimit në drejtim të futjes së intelegjencës artificiale në procesin edukativ-arsimor.
Dilema e kohës moderne është për çfarë ka nevojë arsimi sot?
Për evolucion apo revolucion? Evolucioni ndodh vazhdimisht me ndryshimet sipërfaqësore që ndodhin në arsim, por ka pasur tentativa edhe për revolucione arsimore duke u nisur nga ideja e barazisë në shkollë, arsim për të gjithë (ku arsimtarët mësimin e tyre ia referojnë të gjithë nxënësve në klasë në mënyrë dhe stilt ë njëjtë); revolucioni teknologjik e ka paraqitur nevojën për intensifikimin e qasjes individuale në arsim duke përdorur si ndërmjetësues në realizimin e procesit mësimor në mes arsimtarit dhe nxënësit kompjuterin, laptopin apo tabletin; digjitalizimi (telefonat e mençur, kompjuterat, mediumet digjitale, lojërat digjitale,etj) paraqitet si një tjetër dimension i revolucionit arsimor. Tani më nxënësi shumë shpejt dhe lehtë arin deri në informatën e duhur dhe absolutisht nuk është i kufizuar në hapësirë dhe kohë. Andaj kemi opsionet ku arsimi mund të kryhet edhe përmes formës online duke mos qenë as edhe fizikisht nxënësi prezent në shkollë, po ndoshta as edhe në shtet dhe qytet në të cilin gjendet shkolla të cilën e ndjek.
Dhe revolucioni që besojmë se duhet të bën ndryshimin më të madh në arsim është pikërisht implementimi i intelegjencës artificiale në arsim që besojmë se në vendin tonë ndoshta nuk është as edhe në fazën fillestare të diskutimit të saj. Në vitet e fundit mësimi u realizua online ndërsa nga ana e arsimtarëve dhe nxënësve kërkohej që të realizohet mësimi dhe njëherësh dhe të ruhej dhe kultivohej edhe kontakti në mes arsimtarit dhe nxënësit, duke pasur parasysh faktin se në procesin e mësimit është i domosdoshëm kontakti dhe raporti njerëzor për t’u zhvilluar aftësitë dhe shkathtësitë tek nxënësit, kjo gjë dukshëm u vështirësua dhe u pamundësua. Andaj edhe shtrohet çështja se tani më do të duhet të mendohet ndoshta edhe për një realitet të ri të realizimit të mësimit në mënyrë virtuale, kuptohet ashtu që sistemi edukativ-arsimor do të duhet të parasheh dhe ta mendon një gjë të tillë. A do të ishte rezultati dhe efekti i njëjtë i mësimit, në klasë, online apo virtual është diçka që do të duhet të hulumtohet dhe trajtohet. Mësimi në klasë është një praktikë shumëvjeçare dhe e ka dëshmuar efektin e vet, mësimi online ka pasur implementim, por me kohëzgjatje të ndryshme në vende të ndryshme të botës andaj edhe efekti i tij është i ndryshëm varësisht nga parakushtet dhe mundësitë me të cilat është implementuar; ndërsa sa i përket mësimit virtual – besoj se kjo është një praktikë e re që nuk ka akoma implementim jo vetëm në vendin tonë por gjetiu, prandaj duhet të mendojmë se si do të ishte ky lloj i arsimit të këtillë.
(Autorja është Prodekane në Fakultetin Pedagogjik – Universiteti i Tetovës)