Laura PAPRANIKU
Shkup, 19 mars – Në shtete pa demokraci të konsoliduar sikurse është Maqedonia, është e kotë të presësh rezultate në projekte që kanë për qëllim integrimin ndëretnik në sistemin arsimor dhe aq më tepër kur ata projekte bien në duart e politikanëve që udhëhiqen nga mendësia e standardeve të dyfishta dhe politikave diskriminuese në arsim, shkruan gazeta KOHA. Jo shumë vite përpara kishim diskriminimin e hapur për vendosjen së maqedonishtes si lëndë të detyrueshme për shqiptarët nga klasa e parë.
Kjo, jo vetëm që nuk i ndihmoi zbatimit në shkolla të Strategjisë “Hapa drejt integrimit arsimor”, të sponsorizuar nga OSBE-ja, por forcoi ende më shumë rezistencën kundër programeve dhe strategjive të tilla. Pra, një hap i gabuar, i Strategjisë në fjalë thelloi ende më shumë ndarjet ndëretnike në sistemin arsimor.
Pavarësisht joshjeve financiare, detyrime ligjore që shkollat të planifikojnë me patjetër programe me karakter multietnik, integrimi ndëretnik në shkolla mbetet shumë larg kuptimit të mirëfilltë të fjalës. Aktivitet “integruese” janë të kufizuara vetëm në programe të karakterit zbavitës.
Një Analizë e USAID-it e publikuar në vitin 2016 dhe që ka të bëjë me realizimin e Projektit “Integrimi Ndëretnik në Arsim” (PINA) tregon se pjesa më e madhe e aktiviteteve të përbashkëta, mes nxënësve të etniteteve të ndryshme kanë karakter zbavitës dhe realizohen në shkollat ku mësimi zhvillohet në dy dhe më tepër gjuhë. Rastet kur këta aktivitete përfshijnë dy ose më tepër shkolla ku mësimi zhvillohet vetëm në një gjuhë, janë të pakta. Në instancë të fundit, integrimi ndëretnik do të duhej të ndodhet nga dëshira dhe jo nga halli.
E, nëse do ta analizonim këtë dimension të projektuar në organizimin e mbrëmjeve të maturës dhe gjysmë maturës, do të vinim në përfundim se shkollat (nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit) nuk e pëlqejnë aspak integrimin ndëretnik. Po ta kishin parapëlqyer një gë të tillë, do të festonin bashkë mbrëmjet e maturës dhe gjysmë maturës.
Në Maqedoni janë 433 shkolla fillore dhe të mesme, ndërsa në periudhën e viteve 2011-2015 janë zhvilluar në total 1.563 aktivitete të përbashkëta të të gjitha kategorive Analiza e USAID-it, vëren gjithashtu se ky numër i aktiviteteve është evidentuar në bazë të asaj që kanë deklaruar shkollat, pra jo jë në bazë të konfirmimeve. Sepse, sikurse nënvizohet aty “jo çdo herë shkollat janë në gjendje të vërtetojë aktivitete e deklaruara”, pra nuk përjashtohet mundësia që edhe të fryjnë pjesëmarrjen e tyre në aktivitete me karakter ndëretnik, në emër gatishmërisë për të mbështetur PINA-n.
Ky projekt, i cili nisi nga vitit shkollor 2011/2012 (në përpjekje për të ndihmuar zbatimin e Strategjinë për Arsim të Integruar) ka përfshirë të gjitha shkollat, janë realizuar 325 programe ku janë përfshirë 60.000 nxënës dhe 12.000 mësimdhënës dhe janë harxhuar 1.5 milion dollarë amerikan. Por, janë të vakëta rezultatet në frymën e integrimin të mirëfilltë ndëretnik. Integrimi ndëretnik dominohet nga shëtitje, vizita dhe aktivitete sportive shumë më tepër se sa me organizim të mbrëmjeve të maturës apo aktivitete me karakter humanitar.
Nga viti shkollor 2011/2012 deri vitin shkollor 2015/2016 ka pasur vetëm 41 matura të përbashkëta edhe atë 33 organizime të këtilla (festim mature) janë në shkollat ku mësimi zhvillohet në dy apo tre gjuhë të ndryshme.
Madje edhe brenda këtij rrethi dominojnë organizimet për moshat e vogla, pasi 24 mbrëmje të përbashkëta mature janë në shkollat fillore dhe 9 në shkollat e mesme. Tetë organizimet e mbetura të maturës janë mes shkollave një gjuhësore, të gjitha të nivelit të arsimit fillor të organizuara në gjithë Maqedoninë në harkun kohor prej pesë viteve. Pra një tregues më tepër se sa simbolik i integrimit ndëretnik në Maqedoni. Nëse shohim pjesëmarrjen e mbrëmjeve të maturës në kuadër të gjithë llojeve të aktiviteteve ndëretnike, i bie që ato ti kenë kontribuar integrimit me vetëm 2 për qind, pra kemi 41 mbrëmje mature në 1.563 aktivitete. Të gjitha këto mbrëmje, nëse i shohim të ndara vit për vit i bie të kemi mesatarisht nga 8 mbrëmje mature në vit në 433 shkolla fillore dhe të mesme gjithsej. (koha.mk)