Shkup, 20 shtator – Nga Gjermania kryeministri shqiptar, Edi Rama la të nënkuptohet se vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare për negociatat mund të shtyhet për vitin e ardhshëm. Krahas Berlinit sërish është Haga që nëpërmjet një qëndrimi zyrtar i shuan shpresat e Shqipërisë. Letra që veçon Shkupin nga Tirana që të hapë negociatat në muajin dhjetor është shkruar nga ministri i jashtëm holandez Stef Blok, raporton Koha.mk
“Ne mirëpresim dallimin e bërë midis kornizave negociatore për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është në përputhje me qëllimin e qeverisë për të shkëputur fatin e tyre për negociatat sepse në fund të fundit negociatat duhet të bazohen në meritat individuale të të dy vendeve. Për këtë arsye është e rëndësishme që të zhvillohen dy procese të pavarura negocimi”, shkruan Stef Blok, përcjell Koha.mk
Stef Blok është i qartë në problemet që po has Shqipëria. “Siç tregojnë konkluzionet paraprake çdo vendim pozitiv mbi mbajtjen e Konferences së parë ndërqeveritare me Shqipërinë do të varet nga progresi në terren, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Demostrimi i një historiku konkret me fakte në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një nga kushtet vendimtare në gjykimin për Shqipërinë”, shprehet ai.(koha.mk)