Integrimi në BE është përpjekje e madhe. Kjo gjë kërkon angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet, të gjitha forcat politike, si dhe nga shoqëria civile. Karta e BE-së është e qartë: realizim të reformave integruese të cilat mandej do t’i ndryshojnë të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit
Prof.dr. Ylber Sela
Samiti i krerëve të BE-së në Bruksel, më 15-16 dhjetor të vitit 2005, i dha Maqedonisë statusin e vendit “kandidat potencial” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por kaluan vite të tëra dhe Maqedonia akoma priste sinjalin e Krerëve të shteteve anëtare të BE-së për hapje të negociatave. Maqedonia vite me radhë po merrte rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, mirëpo vetoja greke e bënte të pamundur hapjen e negociatave. Tanimë ky problem i kahmotshëm u zgjodh falë përpekjeve dhe vendosmërisë së shqiptarëve dhe kryeministrit aktual Zoran Zaev. Pas zgjidhjes historike të Marrëveshjes së Prespës, shpërblimi ishte ftesa për NATO, por jo edhe data për fillim të negociatave. Që të fitonte datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, Maqedonisë i duhej të përshpejtonte reformat integruese.
Nevojitet një punë konstruktive e përbashkët
Një klimë bashkëpunimi konstruktiv, që nuk ndodhi midis forcave politike maqedonase, ishte e domosdoshme për reformën dhe fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike. Marrëdhëniet midis forcave politike, institucioneve e pushtetit qendror dhe vendor duhej të frymëzonte bashkëpunimin dhe respektin reciprok, brenda kufijve të përcaktuar nga kushtetuta. Për të qenë të suksesshëm në zbatimin e reformave, na nevojitet një punë konstruktive e përbashkët dhe kjo do të jetë jetike në periudhën vjeshtore dhe e rëndësishme për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme që pengojnë reformat integruese të vendit në BE.
Të gjitha qeveritë, e po kështu edhe qeveria aktuale, prioritet absolut e ka integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, prandaj integrimi kërkon përpjekje maksimale dhe kontribut të secilit faktor dhe aktor për arritjen e standardeve të kërkuara për funksionimin e shtetit demokratik dhe ligjor, të ekonomisë së tregut dhe të respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Së këndejmi, duhet të theksojmë se fundi i shtatorit dhe më saktë 25 shtatori dha sinjal se mundësia ekziston. Në Bundestagun gjerman lajmin e votimit për hapje te negociatave e përjetoi direkt edhe kryeministri shqiptar, z. Bujar Osmani (historike). Deputetët gjermanë i dhanë mbështetje maksimale, por me kushte që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datë për fillim të negociatave. Këto kushte me siguri janë shpresë se mund të shërbejnë si garanci për ta bindur Francën dhe Holandën për t’i rishikuar vendimet e tyre dhe për të ndryshuar kursin politik rreth zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, sepse, nëse ata nuk dërgojnë sinjal pozitiv tani, atëherë kjo do të rikthehet si zhgënjim dhe rritje të armiqësisë në Ballkan. Poashtu në aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik do të ndryshonte hartën ballkanike të ndikimit duke u larguar ndikimi rus dhe turk dhe normalisht që kjo ka kosto dhe turbulenca politike.
Bundestagu gjerman e bëri hapin historik i cili shpresoj dhe besoj se do të ndiqet nga Franca e presidentit Makron dhe përfundimisht Maqedonia e Veriut të çlirohet nga ndikimi rus dhe turk.
Çfarë duhet të bëjë pushteti, partitë politike dhe të gjithë aktorët e tjerë vendimmarrës?
Deri në dhjetor, çdo ministri e institucion tjetër në varësi të pushtetit duhet të ndërtojë punën, të raportojë me tregues të matshëm dhe duhet të jetë tërësisht përgjegjës për çdo progres apo vonesë në zbatimin e reformave evropianizuese e integruese. Pushteti duhet të ndërmarrë të gjitha masat organizative për një koordinim dhe monitorim efektiv e efikas të të gjitha aktiviteteve të tjera institucionale. Në çdo institucion duhet të funksionojnë në mënyrë efikase njësitë e specializuara për koordinimin dhe monitorimin e reformave integruese. I gjithë procesi i integrimit duhet të jetë i hapur dhe pushteti duhet të mirëpresë kontributet e opozitës, të institucioneve kushtetuese dhe të çdo institucioni tjetër të shtetit të pavaruar nga ajo, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, medies dhe çdo qyetatari të saj. Institucionet qeveritare në vend duhet të mirëpresin vlerësimet periodike dhe rekomandimet që dalin nga institucionet evropiane, duke reflektuar seriozitet mbi vërejtjet dhe sugjerimet dhe duke punuar për zbatimin e tyre.
Institucionet qeveritare po ashtu duhet të shfrytëzojnë edhe përvojën e akumuluar nga vendet e tjera të sapoanëtarësuara apo në proces anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Integrimi në BE është përpjekje e madhe. Kjo gjë kërkon angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet, të gjitha forcat politike, si dhe nga shoqëria civile. Karta e BE-së është e qartë: realizim të reformave integruese të cilat mandej do t’i ndryshojnë të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kjo është një e vërtetë, një qëllim i vlefshëm, por edhe një sfidë e vështirë e cila nuk ka të ndalur.