Maqedonia si shtet kandidat për anëtarësim në BE duhet të përvetësojë vlera të caktuara dhe parametra institucionale të politikës së përbashkët, të kornizës sociale dhe ekonomike, dhe të kalojë nëpërmjet procesit sistematik të transformimit struktural, me qëllim që të fitohet ndihma për arritjen e qëllimeve të BE-së
Nga Delvina KËRLUKU
Sot integrimi euroatlantik është shtegu i vetëm drejt demokracisë bashkëkohore perëndimore, si dhe paqes e sigurisë në rajon. BE-ja është promotor i skemës së zhvillimit demokratik brenda kornizave të saj, por edhe një model hapërimi për shtetet jashtë saj. Shtetet, të cilat kalojnë nëpër procesin e transicionit drejt shtetit të së drejtës, ekonomisë së lirë të tregut, BE-në e kanë shtyllën më të sigurt mbështetëse, qoftë me përkrahjen financiare qoftë me asistencë konsullore. Është dashur një shekull që Evropa Lindore të përballet me “dallgët e demokracisë” (ose me kriteret e Kopenhagës).
Reformat demokratike arritën me shumë përpjekje dhe sakrifica. Për Maqedoninë (si vend aspirant i strukturave euroatlantike) tranzicioni demokratik ka qenë dhe është proces i vështirë dhe kompleks. Sistemet, në të cilat sigurohen të drejtat e njeriut, kërkojnë vendosjen e demokracisë, e cila është shumë më e komplikuar se sa pengesat dhe presionet. Ky synim kërkon sjelljen e ligjeve të reja, praktikave, (qofshin ato të ambasadave) dhe aplikimin e filozofisë se kufijtë e pushtetit janë të drejtat e njeriut. Konsolidimi i suksesshëm demokratik, me prezencën e makro strukturave, lehtëson proceset për anëtarësim në BE. Poashtu kërkon zbatimin e tranzicionit të suksesshëm dhe konsultimit demokratik. Kur mund ta plotësojë këtë standard Maqedonia? Tranzicioni i demokracisë, nëpër të cilin ka kaluar vendi, nuk ka premtuar shumë se caku do arrihet shpejt.
“Ky tranzicion demokratik, konsiderohet i kryer atëherë, kur është e arritur përputhshmëria e dukshme me procedurat demokratike me të cilat zgjidhet pushteti; atëherë kur qeveria vjen në pushtet përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të drejtpërdrejta, kur pushteti, de facto, mund të gjenerojë politika të reja dhe atëherë kur pushteti ekzekutiv, ligjvënës dhe pushteti gjyqësor i gjeneruar nga demokracia e re, de jure, nuk e ndan pushtetin me organe të tjera”. Këto parakushte pushteti i udhëhequr nga LSDM-ja, akoma nuk i ka plotësuar, edhepse përpjekjet nuk po mungojnë. Ky problem është i komplikuar dhe me vështirësi zgjidhet, veçmas nëse merret parasysh vullneti politik i koalicionit në pushtet. Herë-herë, LSDM-ja sillet si partia e vjetër në pushtet, kur preferonte shoqëri njënacionale. Por ekzistojnë parashikimet (në shumë shtete të Evropës Lindore) se Bashkimi Evropian do të jetë burim i zgjidhjeve të problemeve, të cilat ekzistojnë me dekada.
Dhe për këto vende, integrimi në BE është në kreun e prioriteteve dhe qëllimeve strategjike, që u është lënë pushteteve. Nuk përjashtohet fakti se kur BE-ja pranoi zgjerimin lindor, duke deklaruar se ato vende që plotësojnë kushtet e përcaktuara ekonomike dhe politike, duhet të bëhen anëtare të BE-së, ndërsa pjesët “e mbetura” të Evropës, që nuk janë anëtare të saj, i llogariti “forcë e një trupi”. Maqedonia si shtet kandidat për anëtarësim në BE duhet të përvetësojë vlera të caktuara dhe parametra institucionale të politikës së përbashkët, të kornizës sociale dhe ekonomike, dhe të kalojë nëpërmjet procesit sistematik të transformimit struktural, me qëllim që të fitohet ndihma për arritjen e qëllimeve të BE-së. Maqedoninë në fushën e së drejtës, e pret punë e madhe në harmonizimin e legjislacionit me të drejtën e BE-së. Për në fund janë lënë reformat kushtetuese, si garanci për realizimin e gjithë asaj që është bërë më parë.
Marrëveshja për stabilizim dhe asocim, që nënkupton “afrim të ligjshmërisë dhe zbatimi i ligjeve”, ku Maqedonia ka shprehur mirëkuptim për rëndësinë që ka për harmonizimin e ligjeve ekzistuese dhe ligjet e ardhshme me ligjet e BE-së. Gjithsesi, Maqedonia duhet të insistojë që të sigurojë që ligjet gradualisht të jenë në përputhje me ato të BE-së. Pikërisht, në Rregulloren e Qeverisë së Maqedonisë, është përcaktuar obligimi për të gjitha ligjet e reja ose aktet juridike, të cilat propozohen dhe miratohen, të përcillen për kontrollim te instancat përkatëse evropiane, që të jenë në përputhshmëri me të drejtën e BE-së. Kjo veçmas është me rëndësi nëse merret parasysh se Qeveria e Maqedonisë është propozues i autorizuar dominant i ligjeve që sillen në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. (koha.mk)