Realizimi i reformave të cilat i hapin rrugën anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian nuk duhet të ndalen në asnjë moment, dhe se të njëjtat duhet të kuptohen si një ecuri pozitive, me qëllim që vendi të dëshmojë se është i angazhuar si në planin e jashtëm, ashtu edhe në atë brendshëm, vlerësojnë njohësit e çështjeve evropiane duke folur për procesin euro-integrues të vendit
Destan JONUZI
Shkup, 12 nëntor – Ngecja në procesin euro-integrues në asnjë mënyrë nuk duhet ta ndërpres procesin e reformave, vlerësojnë njohësit e çështjeve të integrimit duke folur për aktualitetin politik në vend pas mos caktimit të datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE). Zorica Strezoska, koordinatore në organizatën “Euro-Think” dhe eksperte për çështje evropiane thotë se Maqedonia e Veriut, edhe përkundër mos marrjes së datës për fillimin e bisedimeve me BE, detyrimisht duhet të vazhdojë me reformat.
“Ky është një nga rekomandimet e BE-së i thënë hapur pas gjithë asaj që ndodhi. Duhet të vazhdohet përpara me zbatimin e reformave, me çka do të tregojmë se jemi të angazhuar dhe përgatitur për ato, jo vetëm në planin e jashtëm, por edhe të brendshëm. Në asnjë rast nuk duhet të heqim dorë nga rruga euroatlantike, përkundrazi – duhet ta afrojmë vendin më afër momentit të fillimit të bisedimeve me BE-në”, deklaroi për KOHA, Strezoska. Ajo thekson se data do të ndodhë, ndërsa në ndërkohë duhet të vazhdojmë me realizimin e reformave, pasi reformat janë të rëndësishme për funksionimin e shtetit dhe krijimin e sistemit të “shëndoshë”, parasegjithash për ne, ndërsa më tej për integrimin evropian. “Reformat duhet ti kuptojmë si një ecuri pozitive, me qëllim që të bëjmë më të mirën për vendin”, nënvizon ajo.
Nga ana tjetër, analisti Erol Rizaov vlerëson se vendimi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme është një vendim që do të ndikojë në zbatimin e reformave që janë në vijim dhe atyre që duhet të realizohen. “Ky vendim për zgjedhje të parakohshme më duket i shpejt dhe emotiv, edhe pse sipas atyre që e kanë plasuar këtë ide, ky vendim është një sfidë pas debaklit me mos caktimin e datës për fillimin e bisedimeve. Që nga Pavarësia e Maqedonisë e këndej, për çdo vit kemi pasur cikle zgjedhore. Për çdo vit ne për diçka votojmë dhe kjo pamundëson zhvillimin e reformave ashtu siç duhet të zhvillohen”, deklaroi për KOHA, Rizaov.
Sipas tij, elitat politike nuk janë pragmatike dhe se zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike kur do që të mbahen ato do të jenë edhe një kusht plus për hapjen e bisedimeve të Maqedonisë me BE-në për anëtarësim. Ndryshe, midis tjerash caktimi i datës për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë me BE-në kushtëzohet edhe me miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike, gjegjësisht inkorporimin e Prokurorisë Speciale në atë publike. Por, Maqedonia ngecë edhe në reformat në media, reformën zgjedhore etj. (koha.mk)