Shkup, 19 dhjetor – Qeverinë e ardhshme nuk e bën matematika, por zgjidhjet racionale dhe legjitime, sipas pritshmërisë së qytetarëve, shkruan gazeta KOHA. Ndërsa organet shtetërore duhet të bëjnë një politikë të tillë që të reflektojë interesin e shtetit, që është bashkëpunimi dhe integrimi në NATO dhe BE. Kështu ka deklaruar akademik Vllado Kambovski, president i Trupit punues të hulumtimeve të çështjeve globale strategjike. Deklarata e tij është dhënë gjatë tryezës së organizuar të hënën me temë “Sfidat post-zgjedhore për integrimet euroatlantike të Maqedonisë”. Kambovski, duke komentuar deklaratat e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe situatën në përgjithësi, ka deklaruar se nuk mund të merren si të mirëqenë për shkak se bëhen nga ana një lideri partie, ndërsa sa i takon Qeverisë së ardhshme Kambovski pohon se nuk mund të bëhet çështje e kalkulimeve matematikore, por e gjetjes së një zgjidhje racionale sipas pritshmërive të shoqërisë. Prioriteti i qeverisë së ardhshme që, para së gjithash, duhet të jetë legjitime, për akademikun duhet të jetë realizimi i kërkesave të dhëna nga BE në Raportin e Pribes. “Themelimi i pushtetit të ri ligjvënës dhe ekzekutiv nuk është çështje e kalkulimeve matematikore, por e një zgjidhje racionale sipas pritshmërive të shoqërisë dhe para së gjithash ato pritshmeri mund t’u realizojë vetëm një pushtet legjitim dhe legjitimiteti është një nocion që ka një domethënie substanciale që nuk ka të bëjë vetëm me numrin e votuesve”, ka thënë Kambovski. Ai ka shtuar se qëllimi i tryezës së rrumbullakët, që ASHAM e organizoi në bashkëpunim me Institutin e hulumtimeve gjeostrategjike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, është që të dëgjohen pritshmëritë e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të ambasadorëve të BE dhe NATO për Maqedoninë. Në këtë tryezë që u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat ishin të pranishëm vetëm ambasadorët gjermanë dhe francezë, ndërsa përfaqësitë e tjera diplomatike u paraqitën me përfaqësues. Kambovski po ashtu ka komentuar edhe deklaratat e bëra nga ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe kritikat drejtuar disa ambasadorëve. “Ato janë të pamatura. Dhe meqenëse më pyesni, po ju them se do t’i dënoja, nëse do të ishin bërë nga ndonjë organ shtetëror. Megjithatë, ato janë dhënë nga një përfaqësues partie dhe është tjetër gjë një deklaratë dhe qëndrim personal dhe gjë tjetër interesi i shtetit. Pasi vetë procesi i integrimeve euroatlantike dhe i tërë projekti nuk i takon një individi apo partie, por të gjithë shoqërisë”, ka komentuar Kambovski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.