Shkup, 30 maj – Për të prekurit nga diabeti e domosdoshme është gjeneratë e re e terapive orale dhe me insulinë, furnizim i një numri më të madh të pompave dhe aparateve të insulinës (glukometra) të cilat i plotësojnë standardet dhe japin rezultate më të sakta. Nga Lidhja e Shoqatave të diabetikëve të Maqedonisë theksuan se në lidhje me këtë kanë dorëzuar kërkesë deri te Ministria e Shëndetësisë.
“Nga viti në vit rritet numri i diabetikëve. Tempoja e jetës, ushqimi, mënyra e jetesës ndikojnë të kemi nevojë për terapi të reja të cilat i ndjekin zakonet e jetës. Gjenerata e re e insulinave e lehtëson jetën e pacientëve dhe janë lëshuar në përdorim në Kroaci, Greqi, ndërsa së shpejti edhe në Serbi. Kjo nuk do të thotë se gjenerata e katërt e insulinave analoge me terapi bazal-bolus dhe ato nga gjenerata e tretë e insulinave humane të cilat për momentin janë në qarkullim, nuk janë të mira. Por, nevoja për terapi të reja është e domosdoshme”, theksoi kryetari i Lidhjes së shoqatave të diabetikëve të Maqedonisë, Bojan Kirov.
Në lidhje me kërkesën e Shoqatës, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe për MIA-n deklaroi se me kriteret e reja që do të zbatohen gjatë këtij viti furnizimi publik do të sigurojë terapi cilësore të insulinës dhe gjilpëra, glukometra (aparate për matjen e sheqerit në gjak me sensor) të dedikuara për fëmijët, strategji kombëtare për diabetin, regjistër elektronik të pacientëve me diabet dhe se nuk do të lejohet deficit i insulinës, por do të ketë tre muaj përpara.
Sqaroi se deri tani të gjitha furnizimet e insulinës janë shikuar vetëm nëpërmjet prizmit së çmimit dhe atë, siç tha, në asnjë sistem shëndetësor normal në botë nuk është e pranueshme.
Nuk mundet çmimi ta determinojë llojin e medikamentit që hyn në vend për shkak se ekzistojnë medikamente më të lira. Çdokund ka prodhues të cilët prodhojnë për më pak para. E ashtuquajtura analizë farmako ekonomike tregoi se një medikament ka benefit në rrugë të gjata, që do të thotë në medikamente ajo që është tani më lirë nuk do të thotë se do të jetë më lirë edhe në afat të gjatë. Ekzistojnë medikamente që ne i fusim në vend, ndërsa pacientët ankoheshin se nuk ka absolutisht kurrfarë efekti dhe janë evidentuar një numër i madh komplikimesh nga sëmundja nga e cila shërohen. Nuk mund të mendojmë asgjë tjetër, edhe pse atë nuk e kemi dëshmuar, përveç se ekziston ndonjë problem me cilësinë, përkatësisht efikasitetin e atij medikamenti, theksoi Filipçe.
Prandaj, potencoi, në tenderin e tanishëm, që e bëjmë për vitin 2019 dhe 2020, ato janë tenderë dyvjeçarë për insulinë, do të vendosim si kërkesë në procedurën e tenderit jo vetëm çmim, por edhe disa gjëra me të cilat industria e cila i sjellë ato medikamente mund të kontribuojë për sistemin tonë shëndetësor. Theksoi se ajo industri që punon me njerëz me diabet, punon me lloje të reja të insulinës dhe kanë medikamente të reja.
“Ata kanë vullnet që një shumë të caktuar të medikamenteve të reja t’i dhurojnë për vendin tonë dhe të na lejojnë ta shfrytëzojmë sistemin e tyre elektronik, ta implementojnë si regjistër për pacientët tanë me diabet që tani në format elektronik nuk e kemi. Dëshirojmë të implementojnë strategji nacionale për diabetin. Do ta bëjmë atë me shoqatat, megjithatë edhe me industrinë farmaceutike e cila çdokund në botë e ndihmon atë”, tha Filipçe.
Në përpjekjet për t’u siguruar aparate speciale me sensor për matje të sheqerit në gjak dedikuar për fëmijët (që të mos shpohen), theksoi se tashmë tre muaj janë në kontakt me kompaninë që i prodhon dhe është e vendosur në Kroaci.
“Për arsye se është prodhim i ri, përparësi i japin tregut kroat. Ne jemi në njëfarë mënyre në listë të pritjes. Dëshirojmë t’i mbulojmë të gjithë fëmijët e moshës prej 4 deri 12 vjeç Do të thotë të mos shpohen më shumë, por të kenë fasha me sensor në krah që do ta tregojë rezultatin nga matja e sheqerit në gjak. Kjo do t’i lehtësojë prindërit të cilët në mbrëmje i zgjojnë fëmijët për t’i shpuar dhe të shohin se sa është niveli i sheqerit të tyre në gjak. Më tutje kemi problem me cilësinë e gjilpërave nga Kina. Nëse ne kursejmë pesë për qind nga buxheti i përgjithshëm nuk kemi bërë asgjë”, theksoi Filipçe.
Thekson se do të kërkojnë nga Ministria e Financave rritje të buxhetit për diabetin prej pesë deri në dhjetë për qind.
“Tani ai arrin 620 milionë denarë. Madje edhe në suaza të kësaj shume ne mundemi mirë të dimensionohemi, do të bëjmë kornizë të mirë. Jam i sigurt se edhe në suaza të kësaj ne mundemi të bëjmë tender të mirë. Të obligueshme do të jenë rezerva tremujore prej përpara. Do të thotë të mos vijmë në situatë të kemi deficit”, shtoi Filipçe.
Terapia bashkëkohore, matja e rregullt e sheqerit në gjak, aktiviteti fizik, mënyra e drejtë e të ushqyerit dhe shmangia e situatave stresuese janë kyçe për mënyrë më cilësore të jetesës pa komplikime serioze dhe dëmtime të cilat i sjell sëmundja, vlerësojnë diabetikët.
Kirov shfaqi shpresë se shteti më në fund do të japë garanci të forta për cilësinë e terapisë së insulinës. Duke u përqendruar në pompat e insulinës që janë vetëm një ndihmë teknike për aplikimin e insulinës dhe janë zëvendësim i stilolapsit të insulinës, thekson se kërkojnë në vend se 25 të sigurohen 50 në nivel vjetor.
“Pompa ofron rregullim më të mirë te të prekurit të cilët kanë diabet jostabil. Si pacientë nuk mund të vendosim për veten kush duhet të ketë pompë të insulinës. Ekzistojnë kritere të cilat i diktojnë endokrinologët. Me pompën fitohet set që përbëhet prej aplikuesit, kanillës që hyn në trup, zorra që është e lidhur me të. Kanilla duhet të ndërrohet çdo tre ditë. Deri tani jepen dhjetë, ndërsa kërkuam të jepen 13. Kërkuam të rritet numri i gjilpërave të insulinës ( të cilat janë për një përdorim) të cilat merren me stilolaps insuline”, tha Kirov.
Një nga pikat më të ndjeshme për diabetikët, theksoi, janë glukometrat (aparatet për matjen e glukozës në gjak), të cilat nuk e plotësojnë asnjë standard. Sipas tyre, duhet të përmbushet EN ISO standardi 15195, më pas të definohen kriteret për njerëzit të cilët kanë diabet tip 1.
“Aparatet e tanishme të cilat janë prodhim i Tajvanit nuk janë afër kritereve të cilat kanë të bëjnë me fitimin e rezultateve të sakta për shkak të devijimeve të mëdha nga vlera e referencës. Kërkuam që në tenderin e ardhshëm i cili në fund të vitit duhet të mbyllet, glukometrat të kenë të implementuar standardin EN ISTO dhe t’i plotësojnë këto kritere me devijime minimale nga ajo vlerë e referencës. Atë e jep prodhuesi. Në Maqedoni për fat të keq kemi një kompani e cila ka përfaqësi. Tani ka aparate të reja në treg të cilat mundësojnë lidhje nëpërmjet internetit mes pacientit dhe mjekut i cili menjëherë i merr rezultatet”, tha Kirov.
Sipas tij, mjekët duhet të qartësojnë se cilët pacientë duhet të mbajnë aparat me sensorë, i cili duhet dy herë në ditë (në çdo 12 orë) të montohet, sepse bënë lëshime të vogla.
“Në Maqedoni 40.000 diabetikë pranojnë terapi me insulinë nga të cilët 5.000 janë tipi 1, ndërsa të tjerët 35.000 janë të tipit 2. Nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të moshës deri 15 vjeç janë 300”, shtoi Kirov.
Në pritje të përmbushjes së kërkesës, diabetikëve ju mbetet edhe më tej të përpiqen të kenë durim se atyre do t’ju sigurohet terapi e re bashkëkohore, numër më të madh të pompave të insulinës dhe aparate për matjen e glukozës në gjak të cilat do të japin rezultate precize, ndërsa në ndërkohë ata do të duhet të përpiqen të jetojnë pa stres në këtë kohë të sfidave të mëdha, dilemave dhe premtimeve për optimizëm.