Evis HALILI
Shkup, 18 shtator – T’i kthehemi natyrës. Këtë do të bëjnë mijëra evropianë në Ditët e Trashëgimisë që kanë nisur të premten, nën siglën e përbashkët “Natyra si pjesë e trashëgimisë kulturore”, si një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë se si kultura njerëzore e formëson mjedisin dhe se si proceset e natyrës ndryshojnë kulturën, shkruan gazeta KOHA. Edhe ky qëllimi që Komisioni Evropian po mbështet politikat që përqendrohen në nevojën për të menaxhuar dhe përkujdesur për peizazhet natyrore si kompozime të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si dhe në lidhjet midis trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Aktivitetet në Maqedoni do të fokusohen në temën “Uji – dhuratë e natyrës”, ku shumë institucione të kulturës, si galeri, muze, e të tjera kanë prezantuar agjendën për periudhën 15-22 shtator. Ekspozita, vizita në vende turistike, leksione për nxënësit, muzikë, dokumentarë e të tjerë janë pjesë e aktiviteteve të kësaj jave, në funksion të idesë se trashëgimia natyrore duhet të ruhet ashtu si edhe ajo kulturore. Në Shkup në Muzeun e Maqedonisë është çelur ekspozita me enë uji terakote të periudha të ndryshme, duke filluar që nga ajo prehistorike. Kuratorët e kanë ideuar si një ekspozitë që do të prezantojë edhe shumë rite dhe zakone që kanë lidhje me ujin dhe përdorimin e tij deri në ditët tona. “Ekspozita ka si qëllim që të sjellë në vëmendje se edhe natyra në vetvete përbën atë trashëgimi të cilën duhet ta ruajmë dhe ta kurojmë vazhdimisht ashtu siç bëjmë për trashëgiminë kulturore”, thonë nga Muzeu. Edhe në Galerinë Nacionale (Stacioni i vogël) më 20 shtator çelet ekspozita “Dokumente urbane: peizazh-qytet-zonë”, me vepra nga piktorët më të mirë. Muzeu i Tetovës një sërë aktivitetesh me nxënës, si në Ujëvarat e Bellovishtës, si edhe vizitë në objektet sakrale kristiane dhe islame të zonës, e të tjera. Në Strugë muzeu i qytetit çel ekspozitën “Bota nënujore”. Por jo të gjitha institucionet, si ato të trashëgimisë, janë pjesë e këtij zinxhiri manifestimesh. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore (ITSHKSH) do t’i shënojë në mënyrën e vet këto javë, me apelin që vëmendja ndaj pasurisë natyrore dhe trashëgimisë të jetë e njëjtë për të gjithë.
“Është momenti që kujdesi për trashëgiminë dhe jo në formë gjysmake. Shqiptarëve qëllimisht nuk i jepet ajo që duhet ta mbrojnë dhe ta studiojnë, trashëgiminë materiale, e cila fatkeqësisht gjithmonë e më shumë po zhbëhet, përvetësohet, si lokalitete arkeologjike, ashtu edhe objektet fetare e monumente të tjera. Nuk jemi pjesë e manifestimeve dhe e projekteve që i realizojnë institucionet e tjera, por nuk na jepet as mundësia e ndryshimit të statusit, për të gëzuar të drejtën për mbrojtjen e trashëgimisë materiale”, thotë për KOHA drejtori Skënder Hasani.
Ditët e Trashëgimisë Evropiane janë një përvojë unike për të festuar shumëllojshmërinë kulturore dhe historitë shumëngjyrëshe të një Evrope të gjallë dhe të larmishme, u shpreh Gabriella Battaini-Dragoni, zëvendës Sekretare Gjenerale e Këshillit të Evropës.
“Si një program kulturor më i njohur në Evropë, festivali EHD vepron si një mjet i fuqishëm për të frymëzuar imagjinatën dhe për të ndërtuar një pjesëmarrje të vërtetë në jetën kulturore. Këshilli i Evropës është i përkushtuar ndaj vizionit të tij për rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat tona të përbashkëta dhe sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet në një Evropë që po evoluon me shpejtësi, duke përfshirë jo pak kërcënimet për mjedisin tonë natyror”, u shpreh pak ditë më parë Battaini-Dragoni në mesazhin për këtë javë. Tema e këtij viti inkurajon qytetarët që të shohin më afër hapësirën rreth tyre, të vlerësojnë bukurinë e saj, të frymëzohen dhe të gjejnë vlera të reja të natyrës rreth tyre, dhe u lejon atyre të shohin të gjitha vendet e ndryshme që sjellin domethënie, vlerë dhe gëzim për të jetën e përditshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.