Kosova dhe Shqipëria do të kenë rritjen më të madhe ekonomike në rajon, Maqedonia e Veriut me 3 për qind do të ketë rritje të ngjashme si Serbia, ndërsa mesatare më të dobët do të kenë Bosnja e Hercegovina dhe Mali i zi
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 mars – Maqedonia në periudhën 2019-2021 do të ketë një rritje ekonomike në mesatare prej 3 për qind, vlerëson Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike në raportin më të fundit për ekonomitë e 23 vendeve të Evropës Qendrore dhe juglindore. Sipas këtij raporti, rritja ekonomike e Shqipërisë dhe Kosova do të jetë më e shpejta në rajon me nga 3.8 për qind sivjet dhe në vitin 2020 dhe me 3.4 për qind në vitin 2021. Kosova nga ana tjetër do të ketë rritje ekonomike prej 4.1, 4 dhe 3.9 për qind në këtë periudhë trevjeçare, shkruan gazeta KOHA.
Rritje të ngjashme ekonomike me ne do të ketë Serbia me 3.4 për qind sivjet dhe 2.9 për qind në dy vitet e ardhshme, ndërsa rritje më të dobët do të ketë Bosnja me një mesatare prej 2.5 për qind, dhe Mali i zi me 2.2 për qind. Për Turqinë sivjet parashikohet rritje negative ekonomike prej 0.7 për qind, ndërsa në dy vitet e ardhshme , ajo do të ketë rritje ekonomike prej 3.2 dhe 3.7 për qind. Raporti më tej thekson se në Maqedoninë e Veriut, perspektiva e investimeve është ende mjaft pozitive në një periudhë afat shkurtër me 70 për qind të shfrytëzimi të kapaciteteve në industrinë përpunuese që si renditje është më mirë se Mali i Zi me 65 për qind, dhe më dobët se Serbia me 74 për qind apo Kroacia me 78 për qind. Më lartë në këtë tregues renditet Sllovakia me 90 për qind.
Si shtet shumë mirë qëndrojmë në gatishmërinë për ekonominë e re digjitale që pritet të ketë ndikim pozitiv në ekonomitë nacionale në fusha të tilla si qeverisja e mirë , qeveria e hapur dhe të dhënat e hapura, zhvillimi social apo shoqëria informative, arsimi dhe shkenca apo zhvillimi i aftësive IT, e-mësimi, shëndetësia elektronike etj . Në këtë fushë më dobët se ne renditen Bosnja, Shqipëria, Serbia, Moldova, Bullgaria, Ukraina, Kroacia, Mali i zi, Hungaria, Turqia dhe Sllovakia. Maqedonia e veriut në potencialin e ekonomisë digjitale i cili po rritet me një normë shtatë herë më të madhe se pjesa tjetër e ekonomisë,qëndron më dobët se Polonia, Rusia, Kazakistani , Sllovenia, Çekia etj. Gjithashtu , problemi në rritje me mungesën e fuqisë punëtore po rrit pagat nga njëra anë , ndërsa nga ana tjetër kjo shpie tek rritja e fuqishme e konsumit privat. Megjithatë, kjo gjithashtu mund të kërcënojë konkurrencën e jashtme dhe ti shohë investitorët e huaj të shkojnë diku tjetër.
Nga ana tjetër, autori i raportit Rikard Griveson thotë se një kërcënim serioze për mbarëvajtjen ekonomike të rajonit të varur ndaj eksportit në Evropën Qendrore dhe Lindore, paraqet rritja më e dobët botërore, proteksionizmi i SHBA-ve, Brexit si dhe problemet e vazhdueshme në eurozonë.
“Ky rajon në planin afatgjatë, përballet me një numër sfidash të mëdha si rënia demografike e paparë në kohë paqeje, sulme ndaj cilësisë dhe pavarësisë së institucioneve, mungesën e gatishmërisë për ekonominë e re digjitale si dhe nivelet e ulëta të automatizimit në krahasim me favoritët në Azi, Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore”, thekson Griveson.
Sipas tij, në nivel rajonal,problemet kryesore janë se vjen e më shumë mungesa e fuqisë punëtore, ndikimi i rritjes më të dobët botërore dhe rreziqet gjeopolitike të besimit, si dhe potenciali për hyrje më të dobëta të fondeve të BE-së. Tregjet e shtrënguara të punës kanë rritur fuqishëm pagat, duke paraqitur një sfidë për konkurrencën e jashtme në disa vende.
Njëherazi , për të ardhmen nga Instituti ekonomik i Vjenës sugjerojnë që politik bërësit të veprojnë që tani me qëllim që të sigurohen se rajoni nuk do të dënohet me një të ardhme me rritje ekonomike të ulët apo zero rritje.
Së pari, për një rajon që përballet me një rënie demografike të pashoq si dhe mbështetje të lartë ndaj eksportet industriale, prioritet është automatizimi i shpejtë. Hapi i dytë që sugjerohet për qeveritë e rajonit, është të forcojnë dhe mbështesin cilësinë dhe pavarësinë e institucioneve. Në shtetet anëtare të BE-së, ku institucionet janë nën sulm, Brukseli duhet të luajë një rol më të fortë në respektimin e standardeve të BE. Dhe së treti, investimi më i madh dhe më i targetuar në arsim dhe trajnime apo përsosje profesionale, do të jetë vendimtare për përgatitjen e këtij rajoni për ekonominë e re digjitale. (koha.mk)