Vullneti politik është rezultat kumulativ i vendosmërisë së individëve apo partive që qeverisin për të marrë vendime dhe për të arritur qëllime të dëshirueshme për popullin, gjë e cila është direkt e lidhur me participimin demokratik të qytetarëve dhe kapacitetin që ata kanë për t’i mbajtur në përgjegjësi udhëheqësit e tyre, pra për të dënuar ata që nuk kanë vullnet politik dhe për t’i shpërblyer ata të cilët kanë. Prandaj, nëse vërtetë duam të ndërtojmë një shtet dhe një shoqëri të mirëfilltë institucionale e cila nesër do të kujdeset për ne dhe fëmijët tanë, formula është e qartë dhe e thjeshtë: vetëdije dhe participim aktiv politik!
Nga Omer AJDINI
Duke shpjeguar hendikepet që shqiptarët kanë si komb, Arben Xhaferi thotë që ne shqiptarët kemi dy hendikepe: mungesën e internacionalizimit të çështjes sonë dhe mungesën e sistemeve funksionale. E ne jo rrallë herë mendojmë dhe pyesim: përse vallë shtetet si Gjermania e Zvicra janë të zhvilluara dhe gjërat atje funksionojnë ashtu siç duhet, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe shtetet fqinje janë shtete të dështuara dhe kaotike? E jo më rrallë shpjegimi përfundimtar na del pikërisht tek ajo që e thotë Arben Xhaferi: që ne nuk kemi sisteme funksionale ndërsa shtetet e zhvilluara i kanë ato. Shpeshherë debati përfundon këtu dhe mbetet e paqartë se çka në të vërtetë janë ato “sisteme”, si krijohen ato dhe si ndikojnë to në zhvillimin e një shoqërie.
Është fakt që në masë të madhe dhe gradualisht e më shumë suksesi apo dështimi i shteteve shpjegohet pikërisht nga mungesa, prezenca apo natyra e sistemeve, të cilave në gjuhën akademike zhvillimore njihen si “institucione”. Pra, autorët modern në ekonomi (dhe jovetëm) e pranojnë dhe vërtetojnë se institucionet janë krucialisht të rëndësishme për zhvillim dhe funksionim të mirëfilltë të shoqërive dhe është e drejt të thuhet se “sistemi” (institucionet) është arsyeja pse diku gjërat funksionojnë e diku tjetër nuk funksionojnë.
Po çka janë vallë institucionet- do të kishit pyetur? Duglas North do të thoshte që institucionet janë “rregullat e lojës”, apo rregullat e shkruara (ligjet) apo të pashkruara (normat shoqërore) të cilat e kufizojnë/drejtojnë/formësojnë/rregullojnë sjelljen njerëzore. Këto institucione mund të jenë ekonomike, siç janë rregullat apo ligjet të cilat sigurojnë treg dhe garë të lirë, ligjet mbi rrogat; institucionet politike siç janë sistemi demokratik, zgjedhjet e lira dhe demokratike; apo institucionet shoqërore-ku bëjnë pjesë zakonisht rregullat dhe normat e pashkruara siç janë familja, mënyrat e sjelljes në familje, martesa, etj. Pra, institucionet në përgjithësi janë rregulla dhe nuk duhet të përzihem me organizatat të cilat janë koleksion apo grumbull njerëzish dhe resursesh të cilat zakonisht kanë qellime specifike dhe mundohen të jetësojnë institucione apo rregulla të caktuara.
Po përse janë të rëndësishme institucionet? Institucionet janë pikërisht të rëndësishme sepse ata e formësojnë apo drejtojnë sjelljen njerëzore, e cila e lëne e parregulluar nuk mund të parashikohet dhe krijon pasiguri, gjë që pamundëson interaksionin shoqëror apo ekonomik mes njerëzve. Për shembull, në mungesë të ligjeve e gjykatave të cilat imponojnë zbatimin e kontratave apo institucione të cilat mbrojnë pronën private, besimi për të kryer transaksione ekonomike (investime apo shitblerje) në botën moderne nuk do të ekzistonte dhe si pasojë funksionimi ekonomik i një shoqërie/shteti do të zvogëlohej apo pamundësohej. Pra, institucionet krijojnë besim dhe siguri tek njerëzit viz a viz sjelljes së individëve të tjerë në shoqëri, duke siguruar kështu hapësirë për garë dhe përgjegjësi-dhënie në rast të sjelljes së padrejtë.
Po si krijohen vallë institucione e mirëfillta? Kjo pyetje është sa e rëndësishme aq edhe rëndë, megjithatë ekzistojnë dy mënyra të ndryshimit/ndërtimit të institucioneve: ajo radikale dhe ajo graduale. Shembuj të ndryshimit të institucioneve në formë radikale janë revolucionet apo ndryshimet e shpejta të sistemeve siç është për shembull transferi nga ekonomia centralisht e rregulluar në treg të lirë, apo nga monarkia në demokraci dhe zgjedhje të lira. Këto lloj ndryshimesh ndodhin shpejt dhe sjellin shumë entuziazem dhe pritshmëri tek njerëzit, mirëpo jogjithnjë sigurojnë institucione të qëndrueshme dhe afatgjate për të ngritur mirëqenien e njerëzve, meqë revolucionet rëndom kapen nga revolucionarët dhe shoqëritë janë të paedukuara të mbajnë gjallë institucionet e reja që i kanë krijuar.
Mënyra e dytë dhe ndoshta më e rëndësishme për ne, e që mund të krijojë edhe institucione më të qëndrueshme, është procesi gradual i përmirësimit dhe ndërtimit të institucioneve ekzistuese. Kjo bëhet duke përmirësuar vazhdimisht ligjet dhe rregullat në një anë, dhe mundësimin e aplikimit të tyre në anën tjetër, gjë e cila çon në krijimin e institucioneve inkluzive të një shoqërie. Po si bëhet vallë kjo? Edhepse vështirë e përcaktueshme, është bindja ime e thellë që ndërtimi gradual i institucioneve inkluzive është pasojë e vullnetit politik të udhëheqësve të një shoqërie. Le të marrim një shembull të thjeshtë ilustrativ: me ardhjen e pandemisë bartja e maskave u bë e nevojshme, mirëpo përderisa kjo na u la neve qytetarëve të vendosnim se a do t’i mbanim apo jo maskat, shumë prej nesh nuk i bartnim ngaqë nuk ishim mësuar të bartnim maska, por disa edhe ngaqë stigmatizoheshim dhe përqesheshim nga të tjerët. Në një moment qeveria mori vendim që bartja e maskave të jetë e obligueshme nëpër vetura por edhe jashtë, dhe jovetëm aq. Kohëve të fundit si pasojë e vullnetit politik të qeverisë, ju dha shumë rëndësi implementimit të këtij rregulli me çka u shtuan kontrollet policore dhe mijëra qytetarë u gjobitën për mosmbajtjes të masës. Si pasojë, edhe njerëzit të cilët asnjëherë më parë nuk kishin vendosur maska filluan t’i bartnin ato dhe bartja e maskës më nuk stigmatizohet por është normalizuar si sjellje, ngaqë njerëzit ndjekin interesin personal dhe nuk duan të paguajnë për mosmbajtje të maskës. Pra ky është një shembull se si institucionet ndryshojnë dhe formësojnë sjelljen njerëzore dhe e bëjnë atë më të parashikueshme.
Shembulli i maskës mund të aplikohet në çdo sferë. Ja për shembull, po të kishte pasur vullnet politik jovetëm që do të pajisej me resurse shtesë Komisioni Shtetërorë për Parandalim të Korrupsionit, por atij do t’i mundësohej autonomia e nevojshme që ta kryente punën e tij, gjë që do të çonte në ndëshkim të njerëzve që involvohen në korrupsion dhe në afat të gjatë sjellja veçmë e normalizuar korruptive do të bëhej e patolerueshme nga vet qytetarët ngaqë njerëzit nuk do të donin të paguanin më shumë për operacione në spitale shtetërorë ku mjekçt veçmë paguhen nga taksat e tyre, dhe do të mund lehtë t’i paraqitnin rastet kur u kërkohet korrupsion sepse do ta dinin që Komisioni do t’i ndëshkonte ato. Mirëpo fatkeqësisht mungesa e vullnetit politik bën që as autonomia dhe as resurset e nevojshme të mos i sigurohen këtij Komisioni dhe si pasojë sjellja jonë në raport me korrupsionin është kjo që është!
E vullneti politik është rezultat kumulativ i vendosmërisë së individëve apo partive që qeverisin për të marrë vendime dhe për të arritur qëllime të dëshirueshme për popullin, gjë e cila është direkt e lidhur me participimin demokratik të qytetarëve dhe kapacitetin që ata kanë për t’i mbajtur në përgjegjësi udhëheqësit e tyre, pra për të dënuar ata që nuk kanë vullnet politik dhe për t’i shpërblyer ata të cilët kanë. Prandaj, nëse vërtetë duam të ndërtojmë një shtet dhe një shoqëri të mirëfilltë institucionale e cila nesër do të kujdeset për ne dhe fëmijët tanë, formula është e qartë dhe e thjeshtë: vetëdije dhe participim aktiv politik!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)