Ata të cilët para dite punojnë për partinë e tyre, pasdite e deri natën vonë punojnë për partinë tjetër. Ata madje mund të jenë edhe “bombashët” bukurosha që i trashën prapanicat me paratë e ryshfetit, për të cilat asnjëherë nuk i dhanë llogari kreut partiak.
Mbetet edhe diçka e paqartë. Na konvenon një BE në të cilën do të anëtarësohemi një ditë, apo do të vazhdojmë ta godasim njëri-tjetrin pas shpine për të siguruar jetëgjatësi në politikën e pazareve të natës?
Nga Emin AZEMI
Pas dy vjet e gjysmë qeverisjeje, Zoran Zaev dhe ekipi i tij do ta kenë vështirë të na bindin për arsyeshmërinë e disa (mos)ndryshimeve, të shumëpritura nga qytetarët, e që ishin edhe shkaku që ai erdhi në pushtet. Partizimi i shtetit ende vazhdon. Ka shumë institucione shtetërore që janë zgjatime të partive politike. Atje ka ende militantë që në fund të muajit çojnë në parti para të mbledhura në rrugë të paligjshme. Pikërisht ata që çojnë më shumë para, janë edhe më të preferuarit në parti. Ata janë ‘bog i batina’. Ata e kanë të garantuar mandatin vijues. Jo për ndonjë punë të hairit që kanë bë në institucion, por për paratë që ia kanë çu partisë (lexo: sherifit të partisë).
Shumëkush e ka të paqartë se si disa individë arrijnë të etablohen (lexo: të lëshojnë rrënjë) nëpër institucione, ndërkohë që rezultatet e tyre janë zero. Kuadro të tillë ke gjithkund, madje jo pak prej tyre janë edhe iliro-pellazg.
Drejtoresha e një çerdheje në një qytet tonin, ta zëmë, ka dalë të jetë më e fortë se kryetari i Komunës, edhe pas përpjekjeve të këtij të fundit për ta shkarkuar për shkak të disa abuzimeve të rënda financiare. Përparësia e drejtoreshës ndaj kryetarit të komunës qëndron në afërsinë që ka ajo me sherifët partiak, të cilët jetojnë me paratë që ajo ua siguron në mënyrë të paligjshme. Çmimi i kësaj afërsisë evaluohet me vazhdimin e mandatit, që i bie se ajo edhe katër vjet të tjera do të vazhdojë të inkasojë para për partinë, duke shkelur të gjitha rregullat e tenderimit transparent dhe të gjitha procedurat e furnizimeve publike.
Kjo është një skemë e instaluar tash e disa vite dhe s’ka kush e çmonton. Jashtë kësaj skeme është vështirë të bësh karrierë.
Kryeministri Zaev nuk ka pasur nevojë ta heq qafe Gruevskin, duke imituar partia e tij disa manire grueviste. Ne jemi shtet i vogël dhe hala më të vogël e kemi gojën për të mbajtur mbyllur ato që dihen publikisht. Ai gjithashtu nuk ka nevojë të bëhet kaq “francuz” me bombat që po shpërndahen në tregun e zi, sepse ai fort mirë e di se ku është burimi dhe kush është porositësi i këtyre bombave që kësaj radhe po mundohen të godasin vetëm një parti politike shqiptare.
Po thonë se filloi të çmontohet BDI, pas arrestimit të një “funksionarçiqi” të saj. Kjo është më se e vërtetë, por çmontimi do të përfshijë gjithçka që është montuar gabimisht. Për njerëzit e sinqerte dhe të drejtë të kësaj partie s’ka kurrfarë rreziku.
Edhe bombat e fundit janë “dhuratë” e këtyre “ndërtimeve të egra” (lexo: kuadrove që tjetër kush i kontrollon) që Ali Ahmeti me vetëdije të plotë i toleroi shumë vite. Pati në shtyp analiza të sinqerta që kërkonin nga Ali Ahmeti prishjen e këtyre “ndërtimeve të egra” në partinë e tij, por kjo nuk u mor shumë seriozisht nga ai.
Indikacionet flasin se pikërisht ajo që është ndërtuar keq në këtë parti, po shfrytëzohet nga oponentët si kartë shantazhimi. Zakonisht më të shantazhuarit dalin ata që institucionet i kanë shndërrua në zgjatime partiake. Ata të cilët para dite punojnë për partinë e tyre, pasdite e deri natën vonë punojnë për partinë tjetër. Ata madje mund të jenë edhe “bombashët” bukurosha që i trashën prapanicat me paratë e ryshfetit, për të cilat asnjëherë nuk i dhanë llogari kreut partiak.
Mbetet edhe diçka e paqartë. Na konvenon një BE në të cilën do të anëtarësohemi një ditë, apo do të vazhdojmë ta godasim njëri-tjetrin pas shpine për të siguruar jetëgjatësi në politikën e pazareve të natës? (koha.mk)