Qasja indiferente e institucioneve shtetërore ndaj pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve duhet të ndalojë. Nëpunësit dhe shërbimet e të gjitha organeve publike ligjërisht janë të obliguar ti sqarojnë dilemat dhe paqartësitë, të cilat qytetarët e rëndomtë i hasin gjatë zhvillimit të procedurave të caktuara
Omer XHAFERI
Shkup, 19 gusht – Institucionet shtetërore, siç janë agjencitë, drejtoritë apo komisionet e qytetarëve, duhet t’ju mundësojnë arsyetimin e fakteve dhe rrethanave për të cilët ata vlerësojnë se janë të rëndësishme në zhvillimin e procedurave përkatëse. Shoqata e Juristëve të Maqedonisë (SHJM), në doracakun e fundit të publikuar me titull “Qasje e barabartë në drejtësi për të gjithë”, përmes të cilit synon njoftimin e qytetarëve me të drejtat e tyre themelore që i kanë para organeve ndryshme, thekson se pavarësisht statusit të qytetarit, shteti duhet ti përmbush obligimet e veta ligjore, shkruan gazeta KOHA. Në këtë doracak, SHJM jep shembuj të ndryshëm se si një qytetar ti gëzojë të drejtat e tij ligjore në kohën kur ballafaqohet me një procedure administrative, civile apo gjyqësore.
“Kur një person parashtron kërkesë për realizimin e një të drejte të caktuar apo inicimin e një procedura para një institucioni publik (legalizim të objekteve pa leje, kërkesë për ndihmë sociale apo ndihmë të vazhdueshme në të holla), në rast nevoje, organi përkatëse duhet ta informojë atë për mënyrën e zhvillimi të procedurës, mbushjen e kërkesës, respektimin e afatit ligjor e kështu me radhë. Po ashtu, në vendimet e miratuara nga institucionet shtetërore duhet të potencohet se personi në fjalë ka të drejtën e ankesës dhe padisë, në afatin e caktuar, deri te institucioni i caktuar”, thonë nga SHJM në publikimin e tyre të fundit. Dorëzimi i vendimeve apo njoftimeve deri te qytetarët, sipas praktikës së përditshme, është dëshmuar se nuk realizohet në bazë të dispozitave ligjore. Për këtë arsye, nga SHJM shprehen se dorëzimi i vendimeve në procedurat administrative duhet të bëhet në tre mënyra.
Në rend të parë, institucionet shtetërore vendimet e miratuara duhet t’ia dorëzojnë personit, i cili ka ngritur procedurën përkatëse para tyre. Nënshkrimi se e ka pranuar tutje do të shërbejë si dëshmi për kohën kur e ka pranuar njoftimin apo vendimin. Mënyrë tjetër të dorëzimit të vendimeve institucionale, Ligji e parasheh edhe ndërmjetësimin, respektivisht pranimin e tij nga një anëtar i rritur i familjes apo i punësuar në orarin e punës. Udhëzimi i fundit sa i përket çështjes së pranimit të vendimeve nga qytetarët, siç njoftojnë nga SHJM, mund të bëhet përmes publikimit në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë, në rast se institucioni apo MPB nuk posedojnë të dhëna për adresën e banimit të një personi. Zakonisht, inicimi i procedurave gjyqësore ngërthen në vete edhe implikimin financiare, ndryshe siç janë të njohura në opinion si “taksa gjyqësore”. Me qëllim lehtësimin e këtyre procedurave, nga SHJM japin udhëzime se si qytetarët, kryesisht të kategorive të prekura, mund të lirohen nga këto taksa.
“Fillimi dhe zhvillimi i një procedure gjyqësore civile i nënshtrohet edhe pagesës së taksës gjyqësore, lartësia e të cilës dallon nga lloji i trajtimi juridik (vërtetim të pronësisë, procedurë divorci, dëmshpërblim, kontest pune etj) dhe vlera e kontestit. Kështu, kur një person është i obliguar të paguaj taksë gjyqësore, megjithatë pagesa shumë do ti prek mjetet për mbajtje në vete apo të anëtarëve të familjes, atëherë ky person ka të drejtë të kërkoj nga gjykata të lirohet nga pagesa e kësaj takse gjyqësore. Propozimi për lirim nga taksa gjyqësore dorëzohet deri te gjykata, e cila e zhvillon procedurën e mëtutjeshme. Gjykata brenda pesë dite nga dita e pranimit të këtij propozimi duhet të prononcohet, respektivisht të sjell vendim. Varësisht nga rrethanat, gjykata mundet ta lirojë personin nga pagesa e taksës gjyqësore, ta anulojë pagesën apo ta obligojë personin që taksën gjyqësore ta paguaj me këste”, njoftojnë nga SHJM-ja.
Ndryshe, kjo shoqata i inkurajon qytetarët e kategorive sociale që zhvillojnë procedura para institucioneve gjyqësore ta shfrytëzojnë të drejtën e ndihmës falas juridike. Në bazë të Ligjit për ndihmën falas juridike, këtë të drejtë mund të shfrytëzojnë fëmijët, qytetarët pranues të ndihmës sociale apo shtesës invalidore, shfrytëzuesit e pensionit minimal që mirëmbajnë dy apo më shumë persona, familjet apo prindërit e vetëm që realizojnë të drejtën e shtesës për fëmijë, kërkuesit e azilit, shtetasit e huaj në pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare e kështu me radhë. (koha.mk)