Fatos RUSHITI
Shkup, 23 korrik – Pas publikimit të informatës për veprimtarinë e çerdhes “Bleta”, për të cilën Ministria e Punës dhe Politikës Sociale tha se është e palicencuar, inspektorët e tyre kanë dalë në terren për të hetuar veprimtarinë e çerdheve. Por nga hetimi i MPPS ende nuk ka asgjë konkrete. Nga ana tjetër, edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për inspektimin e çerdheve nga ana e Ministrisë së punës dhe politikës sociale. Ndërkaq, për rastin e çerdhes “Bleta” në lagjen Gazi Babë të Shkupit, ku fëmijët i janë nënshtruar ritualeve fetare islame në kundërshtim me moshën e tyre të vogël, si dhe funksionimin e saj jashtë sistemit të Ministrisë së punës dhe politikës sociale, gazeta KOHA ka kërkuar edhe qëndrimin e partive politike shqiptare. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim shprehen kundër organizimeve jashtë institucionale, por për rastin në fjalë theksojnë se ende nuk kanë informata të sakta, meqë sipas tyre, kopshti konkret nuk është pjesë e sistemit zyrtar të edukimit. “BDI nuk ka informacione të sakta për kopshtin konkret dhe kjo është si rezultat se nuk është pjesë e sistemit zyrtar të edukimit. Andaj jemi kundër organizimeve jashtë institucionale të edukimit pasi që devijimet eventuale nuk mund të identifikohen e as të parandalohen”, thonë për gazetën KOHA nga Qendra për informim e BDI-së. Nga ana tjetër, LR-PDSH shpreh qëndrimin se duhet pasur kujdes nga tendencat, siç është rasti me çerdhen “Bleta”, dhe çdo institucion tjetër të palicencuar që rrezikon karakterin edukativ të filloristëve. “Respektojmë çdo vendim të prindërve për t’i shkolluar fëmijët e tyre në çfarëdo shkolle dhe çerdhe që është legale në kuadër të Kushtetutës dhe e akredituar nga shteti dhe ligjet e Maqedonisë. Ndaj çdo tendencë tjetër duhet pasur kujdes dhe analizuar rolin e disa institucioneve, shkollave apo çerdheve që nuk janë të licencuara dhe rrezikojnë karakterin edukativ dhe akademik të filloristëve”, thekson për gazetën KOHA Flakron Bexheti, zëdhënës i LR-PDSH-së. Nga ky subjekt thonë se institucionet përgjegjëse arsimore duhet t’i hetojnë këto çerdhe dhe të japin informata rreth metodologjisë së punës së tyre.”Institucionet përgjegjëse të arsimit duhet ti hetojnë këto shkolla dhe të japin informata më të sakta rreth mënyrës, zbatimit dhe metodologjisë e cila implementohet në atë çerdhe”, thotë Fakron Bexheti nga LR-PDSH. Nga Lëvizja BESA nuk komentojnë drejtpërdrejtë vemrprimtarinë e palicencuar të çerdhes “Bleta”, ndërsa theksojnë se synojnë qe përmes procesit edukativo-arsimor të ndërtojmë një shoqëri të virtytshme; me vlera të larta morale, kulturore e arsimore në frymën autentike dhe autoktone shqiptare. “Procesit edukativo-arsimor në përgjithësi dhe reformave në arsim në veçanti, Lëvizja BESA i ka kushtuar dhe i kushton kujdes të veçantë, ndërkohë ai është prioriteti ynë primar në veprimin tonë politik. Se cili është koncepti të cilin ne e preferojmë, atë mund te gjeni të detajuar në dokumentet tona bazë, por edhe në platformën zgjedhore. Mbi të gjitha, synojmë qe përmes procesit edukativo-arsimor të ndërtojmë një shoqëri të virtytshme me vlera të larta morale, kulturore e arsimore në frymën autentike dhe autoktone shqiptare”, thotë për KOHA Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Nga RDK kryetari Vesel Memedi është kritik ndaj institucioneve shtetërore dhe atyre fetare që janë treguar tolerante ndaj fenomeneve të tilla që, sipas tij, ka kohë që ekzistojnë. “Toleranca ndaj fenomeneve të kësaj natyre nga të gjitha institucionet e shtetit dhe institucioneve fetare, për qëllime të ndryshme, kanë sjellë pasoja të rënda. Këto fenomene ekzistojnë që moti por të gjithë kanë heshtur, duke përfshirë edhe mediat e ndryshme që krijojnë opinionin publik. Llogari duhet të kërkohet nga institucionet shtetërore dhe fetare”, thotë për gazetën KOHA Vesel Memedi, kryetar i RDK-së. Javën e kaluar fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas edhe në media u publikuan fotografi dhe video nga çerdhja “Bleta”, ku shihen fëmijë të moshave të vogla, 3-5 vjeç, se si kryejnë rituale të ndryshme fetare islame. Këto pamje në opinion ngritën shqetësime të qytetarëve por edhe të ekspertëve, se kjo moshë është e papërshtatshme për rituale të këtilla si dhe për atë se e njëjta ushtron veprimtari jashtë sistemit. Për rastin e çerdhes “Bleta” reagoi të premten edhe kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi, duke theksuar se këto kopshte fetare në Maqedoni nuk lanë te lejuara dhe se një veprim të këtillë do ta luftojë në mënyrë institucionale. Ai madje theksoi se nuk do të lejojë të infektohen dhe helmohen fëmijët e moshës së vogël.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara