Banka Popullore, Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Hyrave Publike vazhdojnë të informojnë, promovojnë saktë dhe në mënyrë të plotë në faqet e tyre zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase. Nëse DHP as që e ka vendosur logon SQ (shqip), Regjistri Qendror nuk është i rekomandueshëm për të çelur versionin skandaloz gjysma-shqip, ku më shumë has në “Error”. As Banka Popullore që e ka ikonën “SQ” dhe posedon me më shumë material, nuk e kryen të plotë azhurnimin e informacioneve, por në vend të tyre do të gjesh “Përmbajtje të disponueshme në maqedonisht”
Evis HALILI
Shkup, 29 tetor – Mosrespektimi i gjuhës shqipe vazhdon të jetë pjesë e dy prej institucioneve më të rëndësishme në vend, duke i shkaktuar andralla në vite personave fizikë e subjekteve juridikë që marrin shërbimet në to, e për të cilët gjuha e komunikimit i vështirëson aksesin dhe shfrytëzimin e informacioneve, aplikimet.., e të tjera. Banka Popullore, Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Hyrave Publike vazhdojnë të informojnë, promovojnë saktë dhe në mënyrë të plotë në faqet e tyre zyrtare vetëm gjuhën maqedonase, pavarësisht kërkesave publike për të dhe vendosur në përdorim gjuhën shqipe që do të lehtësonte zinxhirin e komunikimeve dhe të aktiviteteve edhe për një sërë institucionesh dhe veprimtari që lidhen me to, shkruan gazeta KOHA.
Nëse DHP as që e ka vendosur logon SQ (shqip), Regjistri Qendror nuk është i rekomandueshëm për të çelur versionin skandaloz gjysma-shqip, ku më shumë has në “Error”. As Banka Popullore, që e ka ikonën “SQ” dhe posedon me më shumë material, nuk e kryen të plotë azhurnimin e informacioneve, por në vend të tyre do të gjesh “Përmbajtje të disponueshme në maqedonisht”.
Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Hyrave Publike nuk i kanë përmbushur as angazhimet e marra kohë më parë se do të vinin në funksionim edhe versionin e gjuhës shqipe. Një vit më parë (në tetorin e vitit 2019), Marija Boshkovska-Jankovski, drejtoreshë e Regjistrit Qendror, deklaroi se po punohet në azhurnimit e zgjidhjes aplikative softuerike që do të mundësonte aksesin e qytetarëve dhe subjektet afariste edhe në gjuhën shqipe. Ky institucion mesa duket është në po atë fazë, të punës për aplikimin e gjuhës shqipe në faqen e tyre. Kjo duket edhe në uebsajtin e tyre, ku nëse shtyp ikonën SQ, më shumë do të lexosh “Error” apo gjen disa tituj në një shqipe gati të pakuptueshme, si “Ndalim i përhershme për kryerje të veprimtarive të ndara”, “Vërtetim i integruar nga pangu, lizingu, fiducioni dhe shitja”…, ose nëse hap materiale – ato janë të kombinuara në dy gjuhë: shqip-maqedonisht, si për shembull – “Institucioni përgjegjës: Централен Регистар на Република Северна Македонија al”, apo edhe “Institucionet e tjera: Агенцијата за катастар на недвижности Државен завод за статистика (ДЗС)…”, raporton KOHA. Që do të thotë se marrja e shërbimeve online nuk është një formë e rekomandueshme për aplikantin, i cili duhet t’i drejtohet versionit në maqedonisht për shkak të mungesës së rëndë të seriozitetit për të shërbyer në gjuhën shqipen me procese delikate, si janë regjistrimet, plotësimi i certifikatave, e të tjera. Ndërsa Drejtoria e të Hyrave Publike mesa duket as që e ka ndërmend të fillojë me zbatimin e gjuhës shqipe. Në uebsajtin e tyre mund të gjesh vetëm dy ikona, atë të gjuhës maqedonase dhe angleze, sipas të cilave, azhurnuhen informacionet, materialet promovuese e të tjera. Veç përdorimit të cunguar apo edhe mos-përdorimit të gjuhës shqipe, në Drejtorinë e të Hyrave Publike, por as edhe në Regjistrin Qendror, asnjë lutje apo kërkesë nuk pranohet në gjuhën shqipe.
Një situatë e ngjashme ishte deri pak kohë më parë edhe në Bankën Popullore të Maqedonisë, institucion ky i rëndësishëm që po ashtu për vite me radhë neglizhonte përdorimin e gjuhës shqipe në shërbimet e veta në uebsajtin zyrtar. Ky institucion ka nisur me zbatimin e shqipes dhe azhurnimin e informacioneve, por në një formë të cunguar. Nëse do të kërkosh për të marrë informacione si vendime, statistika, apo materiale të tjera, do të hasësh në barrierën “Faqja është në përpunim. Përmbajtja është e disponueshme në gjuhën maqedonase”.
Nga ana tjetër, Banka Popullore e Maqedonisë nuk ka treguar gatishmërinë të iniciojë që një praktikë të tillë komunikimi ta ndjekin edhe bankat e tjera private që operojnë në vend. Bankat tjera komerciale, që vetëm fushatat i bëjnë edhe në shqip, por që asnjë pagesë apo shërbim tjetër nuk e gjen pos në maqedonisht, arsyetohen se, deri tani, nuk kanë një rekomandim të përdorimit të shqipes nga Banka Popullore.
SHEMBULLI I INSTITUCIONEVE NË KOSOVË
Ndryshe nga Banka Popullore e Maqedonisë që me vetëdije shkel Ligjin për gjuhët, Banka Qendrore e Kosovës në mënyrë të saktë dhe me kohë azhurnon të gjitha informacionet krahas shqipe, edhe në gjuhën serbe dhe në anglisht. Madje, pranon çdo kërkesë dhe aplikim edhe në serbisht. Njëjtë edhe Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Hyrave e Kosovës zbatojnë edhe përdorimin e plotë të gjuhës serbe. Kosova, hiç më larg, do të duhej të ishte shembull i institucioneve të Maqedonisë sesi respektohet ligji dhe gjuhët zyrtare. (koha.mk)