Ministria e Brendshme, ajo e Shëndetësisë, e Bujqësisë dhe Ministria e Arsimit janë katër institucionet në shtet me nivelin më të ulët të llogaridhënies gjatë harxhimit të të hollave publike të fituara përmes tenderëve e ndryshëm
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 maj – Ministritë, Sekretariatet shtetërore dhe Kuvendi i Maqedonisë plotësojnë 34-65 për qind të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të furnizimeve publike, ndërsa niveli mesatar i plotësimit të kritereve është 52 për qind, nga të mundshmet 100 për qind, shkruan gazeta KOHA.
Sipas analizës së Qendrës për Komunikime Qytetare, që është marrë me monitorimin e 21 institucioneve të ndryshme shtetërore, asnjë institucion nuk i plotëson të gjitha apo pjesën kryesore të kritereve të përcaktuara për transparencë, që nënkupton llogaridhënien, dhe integritet në të gjitha fazat e furnizimeve publike, si dhe përcaktimin e nevojave për furnizime, deri tek planifikimi dhe realizimi i tenderëve dhe marrëveshjeve.
“Gati gjysma e institucioneve nuk përgatisin arsyetim të nevojës për çdo furnizim. Asnjëra nuk ka metodologji për përllogaritjen e vlerës së parashikuar, ndërsa 86 për qind nuk e shpallin publikisht planin vjetor për furnizime. Përqindja mesatare e realizimit të planeve për furnizimeve publike është 65 për qind, edhe pse tek institucione të caktuara realizimi i planit është vetëm 27 për qind. Një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve janë objekt i ndryshimeve dhe plotësimeve përgjatë vitit, që arrijnë edhe deri 88 për qind të furnizimeve paraprakisht të planifikuara”, thuhet në analizë.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme, e Shëndetësisë, e Bujqësisë dhe e Arsimit janë katër institucionet në shtet me nivelin më të ulët të llogaridhënies gjatë harxhimit të të hollave publike në tenderët e ndryshëm, ndërkohë që nivelin më të lartë të transparencës në procesin e prokurimeve publike e kanë treguar Ministria e Drejtësisë, ajo e Kulturës , e Shoqërisë Informatike, Parlamenti i Maqedonisë, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Sekretariati për Realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për renditjen në bazë të 31 kritereve të përcaktuara nga obligimet që dalin nga Ligji për furnizime publike, obligimet që dalin nga plani aksional për partneritet të hapur qeveritar 2016-2018, si dhe obligimet që i imponon praktika e mirë, del se institucionet në Maqedoni, nuk angazhohen mjaftueshëm që të garantojnë harxhim efikas dhe racional të të hollave publike, konstaton analiza e Qendrës për Komunikime Qytetare, që vite me radhë analizon procedurat e harxhimit të të hollave publike .
Vëllimi i përgjithshëm i marrëveshjeve të nënshkruara për furnizime publike në 21 institucione në vitin 2016, ishte 170 milion euro, që është 18 për qind e vlerës së përgjithshme të furnizimeve publike në shtet. Këto institucione kanë kontraktuar 1823 marrëveshje për furnizime publike.
“Katër institucionet më ulët të renditura lidhur me transparencën si ministria e brendshme , e shëndetësisë , bujqësisë dhe arsimit harxhojnë 75 për qind të totalit të mjeteve që i kanë harxhuar institucionet e përfshira për furnizime publike. Përkundër tyre, shtatë institucionet më lartë të renditura si ministritë e drejtësisë, kulturës, shoqërisë informatike, Kuvendi si dhe Sekretariatet për Çështje Evropiane dhe Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit harxhojnë vetëm pesë për qind të totalit të furnizimeve publike”, sqaron analiza se kush harxhon më shumë të holla për furnizime publike në kuadër të 21 institucioneve të analizuara.
Gjithashtu 86 për qind e institucioneve nuk i publikojnë planet e tyre vjetore për furnizime publike në ueb faqet e tyre, theksohet më tej në analizë.
Njëherazi publikimi i planeve për furnizimeve publike që duhet të jetë i përgatitur deri më 31 janar të vitit, nuk është i përcaktuar me Ligjin për Furnizime Publike, por është i obligueshëm me Planin aksional për furnizime publike të partneritet qeveritar të hapur, 2016-2018.
Ky plan i obligon institucionet të shpallin planet e tyre vjetore për furnizime publike në ueb faqet e tyre, me qëllim që qytetarët të mund të krahasojnë me atë që vlerësojnë, se janë nevojat reale të institucioneve, ndërsa kompanitë që të munden me kohë të planifikojnë më mirë ecurinë e bizneseve të tyre. Njëherazi, shpallja publike e planeve të tilla është një praktikë e mirë, që me të madhe zbatohet në më shumë shtete. (koha.mk)