Në BDI është vështire të ndodhë “vetingu” i proklamuar. Dihet mirë se ky proces në teorinë juridike njihet si proces që është zhvilluar në disa shtete, të cilat kanë pasur probleme me drejtësinë. Troç, as “fshesa” dhe as “vetingu” nuk përbejnë ndonjë zbulim epokal, sepse tendencat janë propagandistike, thonë njohës të zhvillimeve politike për gazetën KOHA
Destan JONUZI
Shkup, 29 maj – Ndryshimet vetvetiu nuk janë të rëndësishme, por me rëndësi është se qytetarët presin më shumë rezultate, thonë analistët pas ndryshimeve të paralajmëruara në udhëheqësin e LSDM-së dhe nismës së BDI-së për “Veting”. Sipas tyre propozimi i BDI-së është kundër përgjigje ndaj “fshesës”. Nga ana tjetër opozita shqiptare kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa VMRO-DPMNE dorëheqje kolektive të Qeverisë. Partia opozitare Aleanca për shqiptarët (ASH), vlerëson se vendi nuk ka nevojë për riformatim të Qeverisë, por për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Vetëm përmes një procesi zgjedhor të drejtë mund të ndryshohen punët dhe të lëvizin në drejtimin e duhur. Të gjitha argumentet se tani nuk është koha pasi jemi në pritje të datës për në Bashkimin Evropian e kështu me radhë, janë argumente që kanë për qëllim të mbajnë “status-quo” në këtë shoqëri”, ka deklaruar kreu i ASH-së, Ziadin Sela. Nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, thonë se “fshesa” është vetëm farsë, pasi që Zaev nuk e ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministrin e Administratës, Damjan Mançevski dhe kryetarin e qytetit të Shkupit, Petre Shilegov edhe nga funksionet shtetërore.
“Nëse Zaev nuk i shkarkon edhe nga funksionet shtetërore, i gjithë opinioni do të shoh se fshesa është vetëm se një farsë për tërheqjen e vëmendjes nga neglizhenca dhe regresi i kësaj Qeverie. Duhet përgjegjësi e përgjithshme, tërheqja nuk bëhet vetëm se me ndryshimin e drejtorëve. E nevojshme është përgjegjësia kolektive në krye me Zoran Zaevin”, deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski. Kryeministri paralajmëroi se pasojnë ndryshime në pushtetin qendror dhe lokal. Ai nuk precizoi se sa ministra saktë do të ndryshohem, por theksoi se do të jenë më shumë se tre. Gazetari Aco Kabranov vlerëson se kryeministri Zaev ka marrë një hap të madh, i cili ndoshta është edhe i vonuar. “Është një hap i qëlluar. Po tenton që të vë rend në parti dhe ta pastrojë atë nga bashkëpartiakët të cilët funksionet shtetërore i shfrytëzojnë vetëm se për privilegje personale, e jo edhe për detyrën që duhet ta ushtrojnë. Zaev arriti megjithatë me këtë veprim ta kthejë besimin e qytetarëve të cilët në zgjedhjet presidenciale i dërguan porosinë e qartë se nuk janë të kënaqur nga mënyra e qeverisjes, pavarësisht se fitoi kandidati i shumicës”, deklaroi për gazetën KOHA, Kabranov.
Por, analisti Blerim Hyseni vlerëson se edhe “fshesa”, edhe “vetingu” janë dy procese të rëndësishme, pasi që të njëjtat i imponon realiteti i krijuar politik në vend. “Vlerësoj se që të dy proceset janë të rëndësishme edhe ato po ndodhin jo gjithaq me dëshirën e vet subjekteve politike por më shumë si imponim i realitetit politik. Nëse Zaev arriti që të shkarkoj të gjithë funksionarët partiak, kjo përbën edhe një guxim dhe rrezik në vetvete, ndërkohë që pasojat ose sukseset mbeten të shihen. Në BDI është vështire të ndodh vetingu i proklamuar. Dihet mirë se vetingu në teorinë juridike njihet si proces që është zhvilluar në disa shtete të cilat kanë pasur probleme me drejtësinë. Se si mund të zhvillojë veting subjekti politik vërtet nuk e di dhe nuk jam i bindur që mund të jetë i suksesshëm. Thënë troç asnjëra dhe as tjetra për aspektet që përmenden nuk përbejnë ndonjë zbulim epokal sepse tendencat më shumë janë propagandistike sesa diçka konkrete”, u shpreh Hyseni. Analisti Selim Ibraimi konsideron se figurat e pastërta dhe institucionet e shëndosha e garantojnë të ardhmen evropiane të vendit.
“Të dy proceset bashkë për me pasur një Maqedoni evropiane, figura e pastër dhe institucione të shëndosha. Përndryshe i gjithë procesi në Maqedoninë e Veriut do t’i ngjajë ‘tranzicionit të kalbur ballkanik’ që vështirë se përfundon me “fshesa” partiake dhe qeveritare”, thekson Ibraimi. Nga ana tjetër, komunikologeja Iskra Korovesovska, thotë se e ashtuquajtura “fshesë” në partinë e Zoran Zaevit, është dashur të jetë “fshesa” për pushtetin ekzekutiv, pasi që pikërisht kështu ishte paralajmëruar nga vet kryeministri.“Por që në fillim të “fshesës” në LSDM po demonstrohet se kryeministri atë që e ka premtuar edhe po e realizon, në mënyrë jo të suksesshme në çdo rast, pasi që për qytetarët me rëndësi është që të ketë përgjegjësi për bartësit e funksioneve në ekzekutiv, të cilët paguhen nga xhepat e tyre. Ky është një tentim për forcimin e pozicionit të Zaevit në parti. “Fshesa” e nënkryetarëve nuk mund që të jetë vetëm në nivel të mosangazhimit, pasi që ata i zbatojnë urdhërat e shefit, në këtë rast të Zaevit që duhet të japë llogari tani më kur kanë filluar të japin”, deklaroi për gazetën KOHA, Korovesovska
Sipas paralajmërimeve të kryeministrit Zaev, ndryshimet priten të ndodhin në javën e parë të muajt qershor. Por, për këtë proces jo edhe aq të lehtë, Zaev duhet të konsultohet edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti i cili deri më tani në opinion ka insistuar në “Veting” se sa për një formë të tillë ndryshimesh, siç po e bënë lideri i LSDM-së. “BDI asnjëherë nuk i është ndarë parimit se në Maqedoninë e Veriut funksionon Qeveri “dy-kokësh” në të cilën për funksionarët e tyre përgjigjen vetëm para Ali Ahmeti dhe se ata askujt përveç tij nuk i japin llogari. Deklaratat arogante rreth “fshesës” nga njerëz të rrethit të Ali Ahmetit bëhen me qëllim që të përçohet porosia se cili është shefi i vërtetet te shqiptarët, pavarësisht se në koalicion me Zaevin propagandojnë ndërtimin e shtetit të konceptit një shoqëri për të gjithë”, theksoi Kabranov.
Zgjedhjet presidenciale ishin një “betejë” muskujsh, vlerëson komunikologeja Korovesovska, dhe falë mobilizimit të trupit votues të BDI-së, LSDM-ja i fitoi zgjedhjet. “Zgjedhjet presidenciale u zhvilluan me muskuj, falë mobilizimit të trupit votues të BDI-së. Nga këtu, kredia të cilën LSDM e mori nga BDI do të duhet detyrimisht ta kthej. “Fshesa” ndoshta do të jetë kësti i parë, kështu që Ahmeti do të ketë fjalën kryesore në filtrimin e pushtetit ekzekutiv”, nënvizoi Korovesovska. Ndërkohë, kryeministri Zaev këto ndryshime i paralajmëroi pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të cilat treguan rënie të votave të LSDM-së me çka kandidati Stevo Pendarovski, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, ishte në garë të ngushtë me kandidaten e VMRO-DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska-Davkova. Duke iu referuar prononcimeve të kryeministrit Zoran Zaev, ndryshimet në Qeveri pritet të ndodhin në fillim të muajit qershor. (koha.mk)