Institucionet e paarritshme! KULAÇI QEVERISËS I KUFIZUAR PËR SHQIPTARËT

116

Ministria e Financave, ajo e Punëve të Ardhshme, DAP, AEK, Doganat, Këshillat gjyqësor… vazhdojnë të jenë të mbyllur për kuadrot shqiptarë. Larg shqiptarëve vazhdojnë të jenë edhe disa ndërmarrje publike në Qytetin e Shkupin

Omer XHAFERI

Shkup, 8 gusht – Një numër i konsiderueshëm i institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, siç janë disa ministri dhe drejtori, përgjatë tridhjetë viteve të kaluara fare nuk (rrallë) janë udhëhequr nga kuadër shqiptar. Kjo situatë ka vazhduar edhe pas vitit 2001, kur u arrit një marrëveshje si ajo e Ohrit, e cila në radhë të parë duhej ta ndryshonte mendësinë te pala maqedonase.

Pa dyshim se në mesin e këtyre institucioneve përfshihet edhe Ministria e Financave, e cila prej ekzistimit të Maqedonisë së Veriut si shtet, vetëm gjatë periudhës 1992-1994 është udhëhequr nga kuadër shqiptar, respektivisht nga Xhevdet Hajredini, nga radhët e PPD-së së atëhershme. Në kuadër të kësaj ministrie funksionojnë edhe një varg drejtorish tjera siç është Drejtoria për e Policisë Financiare, e cila lëndë shqyrtimi i ka larjet e parave. Prej themelimit të saj në vitin 2002 e deri më sot, në këtë post asnjëherë nuk është ulur ndonjë përfaqësues i bllokut shqiptar. Ndërkohë, në Qeveria e kaluar, për herë të parë, Policinë Financiare në vend e udhëhoqi Arafat Muharemi, një kuadër i LSDM-së. Organ përbërës i Ministrisë së Financave është edhe Drejtoria për të Ardhura Publike, që funksionon në cilësinë e personit të posaçëm juridik. Përveç zëvendësdrejtorëve që kanë qenë shqiptarë, në krye të kësaj drejtorie tejet të rëndësishme për zhvillimin e politikës fiskale në vend, partitë shqiptare asnjëherë nuk kanë arritur ta vendosin kuadrin e tyre.
Diplomacia e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu është ndër sektorët ku partitë politike shqiptare shumë pak kanë depërtuar. Ministrinë e Punëve të Jashtme një kuadër shqiptar deri më tani nuk e ka udhëhequr. Prej pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, me këtë ministri kanë udhëhequr gjithsej 12 ministra, po asnjëri prej tyre kuadër i partive shqiptare.

Marrëveshja e Përzhinos e arritur në vitin 2015 mes katër partive politike më të mëdha në vend solli një ndryshme në kuadër të funksionimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve dhe pas përfundimit të tyre. Kjo marrëveshje ndikoi që shqiptarët për herë të parë në pjesën e parë të vitit 2017 të udhëheqin me këtë ministri. Detyrë e ministrit të Punëve të Brendshme, pas përmbylljes së zgjedhjeve dhe largimit të ministrit teknik, është udhëheqja me këtë ministri deri në formimin e Qeverisë së re. Një gjë e tillë është aktuale edhe në ditët e sodit. Në krye të kësaj ministrie është Agim Nuhiu nga radhët e BDI-së. Megjithatë, fuqia e tij si ministër më tepër llogaritet teknike se sa thelbësore. Ndër sektorët më të rëndësishëm të kësaj ministrie është edhe Byroja për Siguri Publike, e cila asnjëherë nuk është udhëhequr nga shqiptarët. Nën kompetencat e kësaj drejtorie përfshihen po thuajse të gjitha strukturat policore të vendit – përfshi edhe njësitë speciale.
Agjencia për Komunikime Elektronike gjithashtu paraqet njërën prej shumë drejtorive të paarritshme për shqiptarët. Njëkohësisht, edhe përfaqësimi i shqiptarëve në këtë drejtori nuk është në përputhje me dispozitat ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve. Njëjtë edhe me Drejtorinë e Doganave të Maqedonisë. Përveç zëvendësdrejtorit, asnjëherë me Doganat nuk ka udhëhequr kuadër shqiptarë.
Aspak e mirë nuk është situata edhe në pushtetin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut. Dy këshillat më të rëndësishëm për zhvillimin e politikës në gjyqësor – ai i Gjykatës dhe Prokurorëve Publik, asnjëherë nuk janë udhëhequr nga shqiptarët. Aq më pak posti i kryeprokurorit të shtetit, i cili shpeshherë është keqpërdorur në dëm të shqiptarëve. Situatë e ngjashme është edhe në nivelin lokal, gjegjësisht në udhëheqjen e drejtorive që funksionojnë në kuadër të Qytetit të Shkupit. Nga gjithsej shtatë ndërmarrje publike (drejtori) shqiptarët në Shkup e drejtojnë vetëm NP “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërime”. Nga ana tjetër “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, “Transporti Publik”, “Rrugë dhe Rrugica”, apo “Parkingjet e Qytetit”, as që kanë ardhur në shprehje deri më sot të drejtohen nga kuadër shqiptar. (koha.mk)

Comments are closed.