Nga Emin AZEMI
Destabilizimi i një shoqërie nuk mund të ketë përmasa dramatike, nëse institucionet e shtetit janë stabile. Në Maqedoni po ndodhë e kundërta. Shoqëria po arrin të ruaj njëfarë kohezioni sociale ndëretnik, mirëpo institucionet janë ato që po tregojnë paqëndrueshmëri, duke u bërë shembull i keq i keqmenaxhimit. Është për tu habitur se si ky shtet po funksionin sipas këtij modeli të dyzuar, ku institucionet jo rrallë punojnë kundër njëri tjetrit. Mjafton të analizohet puna e Presidencës së Ivanovit tash e disa vite, por edhe funksionimi i sistemit të gjyqësisë, institucione këto që janë bërë burim potencial krizash e ngërçesh, me pasoja shumë të rënda për qetësinë e përgjithshme dhe rendin kushtetues të vendit, për të ardhur në përfundim se kalbja nga brenda e ka emrin destabilizm institucional.
Në Maqedoni ende ka mbetje nga sistemet e kaluara, që nuk po munden të inkorporohen në realitetin e ri politik e shoqëror. Përpjekja e fundit e presidentit Ivanov për të bllokuar dekretimin e Ligjit të gjuhëve shkon në favor të tezës së institucioni që ai drejton tash më është shndërruar në një destabilizues potencial të shtetit.
Sjellja e Presidentit është në frymën e ideologjisë së partisë së cilës i përket dhe ky është recidivi i fundit i një pushtetit që po mundohet të rishfaq trajtat e krizës në forma të ndryshme. Veprimi i tij në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së vendit dhe arbitrariteti vulgar që tejkalon vullnetin e shumicës, janë konturat e një formati diktatorial, që fuqinë e vendimmarrjes e mbështet mbi teke dhe njëanshmëri.
Në anën tjetër kemi edhe sistemin e drejtësisë (gjykatat dhe prokuroritë), i cili gjithnjë e më tepër po dëshmon se është një burim potencial destabilizmi në vend. Epilogu i këtij destabilizmi mund të ketë pasoja dhe përmasa të ndryshme, ndaj i takon politikës (Qeverisë dhe Kuvendit) që të ndërhyjë sa më shpejt me një ridizajnim ligjor që do ta garantonte sistem të pavarur e profesional gjyqësor.
Nëse vazhdohet me këto praktika skandaloze gjyqësore, ka rrezik që situate të delë nga kontrolli, kurse përgjegjësia për këtë do të bie domosdoshërisht mbi politikën.
Qytetarët janë të vetëdijshëm se pakënaqësitë e tyre mund të keqpërdoren nga shumë qarqe e interesa që kanë për qëllim të krijojnë alibia për destabilzim. Shqiptarët janë të fundit ata që janë të interesuar për ndonjë destabilitet, ndaj edhe protesta e paralajmëruar për rastin “Almir Aliu” ka për qëllim më tepër senzibilizimin e një deformimi gjyqësor që po bëhet në kurriz të etnisë shqiptare. Kjo protestë është sublimim i shumë pakënaqësive ndaj gjyqësisë dhe askush nuk do të duhej ta kuptojë se shqiptarët janë në anën e kundërt të interesave jetike të Maqedonisë. Përkundrazi, shqiptarët po kërkojnë të trajtohen denjësisht, madje edhe kur ulen në bankën e zezë dhe askush deri më tani nuk ka marrë në mbrojtje asnjë keqbërës në radhët e shqiptarëve.
Destabilizimi institucional tani për tani është kërcënimi më serioz për Maqedoninë.
Sa më parë që të evitohet ky kërcënim, aq më lehtë mund të shihen shtigjet nga duhet të shkojnë reformat në këtë vend. Në të kundërtën, forcat antireformuese, përmes institucioneve të tyre, siç janë Presidenca dhe gjykatat, bashkë me prokuroritë, shumë lehtë mund të shërbejnë si leva për të lëvizur energji të shumta negative brenda një shoqërie të pakënaqur. (koha.mk)