Më dhimbsen krejt, vetja, familja e krejt shoqëria, kur shoh mure të mykosur e kalbur spitalesh e zyrash në të cilat me dekada s’është vënë dorë, të cilat reflektojnë paaftësi konstante, e të cilat më shumë se çdo gjë, janë reflektim i pangopësisë, paaftësisë dhe mosveprimit ndër vite, jo jo, jo të njërës apo tjetrës palë, por ndër vite të të gjithë klasës politike, që s’kishte as guxim e as vizion të ndërtojë, por vetëm krijoi frikë, vjedhje dhe mosbesim, e që së bashku të gjithë kanë sjellë sëmundjen e rëndë, pasojat e së cilës do t’i vuajmë gjatë: Ikjen!
Nga Nazim RASHIDI
Prej disa ditësh më bie të shoh foto në rrjetet sociale nga spitale ose qendra sociale të cilat janë të kalbura. Jo jo nuk përdor stilistikë. Madje të tmerrshme mbase janë pak. Godina me mure të rrënuara, me lagështi, të vjetra e që ngjasojnë në filma horror ku ka nivele të larta papastërtie, pothuajse të pa përdorshme, por të cilat megjithatë janë strehë e nevojtarëve. Madje edhe më e pabesueshme, aty vazhdojnë, pra në këto institucione, të veprojë personeli duke e bërë punën ashtu si e bëjnë. Me siguri mes dëshpërimit të kushteve dhe pagave minimale, mungesës së alternativës dhe dëshirës për të ndihmuar.
Por drejtuesit? Ehhh këta nuk mund t’i kuptoj. Nuk mund t’i kuptoj se si nuk kanë ngritur alarmin. Madje as punonjësit nuk e di se si s’kanë reaguar. Nuk e di si kanë heshtur me vite e vite. Sigurisht ne e dimë të gjithë “pse”-në? Pyetja është retorike, përgjigja dramatike. Sepse përherë na çon tek politika, e cila gjithë këto vite është veç tragjike. Në dy raste nëpërmjet rrjeteve sociale pashë këto pamje të tmerrshme, (jam i bindur se ka edhe më shumë), të cilat edhe kur shfaqen kalojnë vetëm si sensacion dhe pa peshën e përgjegjësisë apo dhe reagimit se çfarë më tej. Në të dy rastet gjendja përpiqet të (keq)përdoret nga politika, kurse asaj vetë, dhe këtu kam parasysh gjithë spektrin politik në gjithë këto vite nuk i bie ndër mend se është përgjegjëse vetë.
Sigurisht, faji është jetim, asnjë se merr e asnjë se strehon. Por më falni, një institucion që të rrënohet në gjendje mizerable, ku veç të hysh brenda, ke frikë se do sëmurësh e ku më të shërohesh ose mbrohesh, nuk vjen në këtë gjendje për një ditë, javë, muaj, por duhen vite, dekada. E ndër vite kanë qeverisur shumë struktura të spektrit politik. Nuk e pranoj dot se s’ka fonde, apo se është varfëri. Ahhh po, varfëri ka, por në mendje dhe në shpirt. Maqedonia e Veriut, me çdo vit ka pasur rritje të buxheteve. Por në një drejtim të kundërt, sa më shumë janë rritur buxhetet aq më shumë janë shkatërruar isntitucionet. Si nga gjendja fizike ashtu edhe nga përmbajtësore.
Kjo është e pafalshme për të gjithë. Sinqerisht, sinqerisht, sinqerisht, nuk mund ta kuptoj se sa pak dinjitet kanë lënë në institucionet e shëndetit dhe mbrojtës së njerëzve partitë tona. Dinjiteti është esenca e të ndjerit njeri, e të ndjerit i barabartë dhe i respektuar. Është ndjesia që të sjell qetësinë e brendshme dhe paqen që të shtyn pastaj drejt sfidave të tjera, synimeve dhe sukseseve.
Si mundet që është lejuar, gjithë këtë vite, dhe kur them “është lejuar” i kam parasysh të gjithë, që dinjiteti më elementar bazik është shkelur, për ditë e për ditë, sa herë njerëzit kanë hyrë në spitale, qendra sociale, shkolla, zyra ku vetë godina, që përfaqëson shtetin dhe rendin, që në pamje ta rrëmben gjithë besimin dhe shpresën se gjërat do ndryshojnë. Imagjinoni kur jeni dhe nevojtarë, të rraskapitur, pa para, pa ndihmë, i sëmurë, i lënë vetë. Imagjinoni kur s’keni askënd. Dhe kur kjo ndjesi të përplaset pamëshirshëm, nga fotot e tmerrshme në institucione që janë që nga qendra e Shkupit e deri në vendbanimet e thella në vend, t’i merr përgjigjen e ikjeve. Ikin krejt se në esencë përballen me dhimbjen e shkeljes së dinjitetit më elementar dhe mungesën e mirësisë. E s’ka më keq kur ata që duhet të kujdesen ta kujtojnë se sa pa dinjitet është gjithçka dhe se edhe për shumë kohë gjërat nuk do ndryshojnë. Sërish, jo se është e pamundur, por sepse faktori njeri s’bën përpjekjen. Dhe sërish jo sepse s’ka fonde, por sepse s’ka iniciativë. Shikoni debatin politik e para zgjedhjeve, asnjë nuk flet se çdo të bëjë. Asnjë nuk thotë se për gjërat që s’bëjnë sa kohë duhet që të ndreqen. Të gjithë rendin drejt pushtetit, veç duke akuzuar kush është ose s’është më i miri.
Po oferta? Ajo duhet të jetë e thjeshtë, me afate, bardh e zi në letër. Sa spitale do të ndreqen e ndërtohen, dhe nga ku do merren fondet. Sa shkolla do të ndreqen e ndërtohen dhe nga ku do të merren fondet. Sa rrugë do të ndreqen e ndërtohen dhe nga ku do të merren fondet. Sa fabrika do të ndreqen e ndërtohen dhe nga ku do të merren fondet. E mund ta vazhdoj listën edhe më tej. Por i dimë çështjet. S’janë njerëzit jorealistë, e dinë të gjithë se gjërat brenda natës nuk vijnë vetë. Prandaj programet nuk duhet të jenë as me letër luksoze e as qindra faqe. Thjesht, duhet të thonë se do sjellim dinjitetin duke i bërë njerëzit të ndihen mirë, duke sjellë rregull dhe respekt.
Nuk duhet për këtë shumë fjalë, veç të jenë bindës. si tu besojmë?
Do vimë tek faktori njeri pra. E para, institucionet e shkatërruara nga muret, kanë ardhur në atë gjendje nga njerëzit, që s’kanë bërë e ndërmarrë gjë, që nga drejtuesit e deri tek ministrat. Por, a gjenden dot njerëz të gatshëm që t’i përvishen punës? Banaliteti i debateve aktuale nuk premton. Por nga ana tjetër presioni i qytetarëve për jetë më të dinjitetshme do të duhet të japë rezultate. Dhe për mua kjo është sfida. Shikoni njerëzit, sa bindës janë, sa profesionistë janë, sa kanë dhënë më parë për të mirën e përgjithshme, nga kush mbështeten, nga kush frymëzohen, sa lexojnë, sa kanë lexuar, sa punojnë sa kanë punuar. Vetëm ata meritojnë mbështetje. Modelet nuk vinë vetë, ato krijohen, ato mund t’i krijojmë edhe ne si opinion publik, duke i modeluar. Se sërish e gjitha do varet nga faktori njeri, siç edhe ka qenë. Se ja muret kanë mbetur, disa janë rrënuar më shumë e disa më pak, kurse njerëzit brenda mureve, drejtuesit e institucioneve kanë ikur më shumë pa gjurmë, madje duke shkatërruar edhe përbrenda zyrat e godinat që duhet të reflektojnë shpresë dhe dinjitet. Prandaj, më dhimbsen krejt, vetja, familja e krejt shoqëria, kur shoh mure të mykosur e kalbur spitalesh e zyrash në të cilat me dekada s’është vënë dorë, të cilat reflektojnë paaftësi konstante, e të cilat më shumë se çdo gjë, janë reflektim i pangopësisë, paaftësisë dhe mosveprimit ndër vite, jo jo, jo të njërës apo tjetrës palë, por ndër vite të të gjithë klasës politike, që s’kishte as guxim e as vizion të ndërtojë, por vetëm krijoi frikë, vjedhje dhe mosbesim, e që së bashku të gjithë kanë sjellë sëmundjen e rëndë, pasojat e së cilës do t’i vuajmë gjatë: Ikjen!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)