Kjo Qendër, gjithsesi do të jetë sublimim i të gjitha kalvareve biblike që iu ndodhën shqiptarëve ndër shekuj, pa harruar dëbimet e dimrit që ndodhën në fshatrat shqiptare të Prokuplës, Nishit, Kurshumlisë, pastaj shkuljen barbare të çamëve, si dhe shpërnguljet sistematike të shqiptarëve të këtyre trevave në shkretëtirat e Anadollit, për të mbërri te migrimi aktual që po merr përmasa dramatike
Nga Emin AZEMI
Para plot 20 viteve, në kufirin që ndan dy shtetet, aty diku në fushëgropën e Bllacës, në mes të ftohtit të marsit dhe krrokamave të sorrave, mijëra fëmijë, pleq, gra e të sëmurë u vendosën përkohësisht për t’i ikur një gjenocidi të paparë që po ushtrohej nga makina vrastare e Serbisë mbi popullin e pafajshëm të Kosovës. Treni i zi që nxirrte bashkë me tymin edhe vajin e të ikurve, zbrazte në Bllacë mllefin për atë që po iu ndodhte atyre. Një kalvar biblik po ngjizej në shiritin e ngjarjeve, për të shënuar një nga tragjeditë më makabre të zhvendosjes së popujve. Një zhvendosje e tillë kishte ndodhur vetëm me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe tani në fund të shekullit njëzetë – strategët e rinj millosheviqian të Holokaustit po e provonin mbi fatin e shqiptarëve saçin e nxehtë të trysnisë së ikjes dhe zhbërjes nga toka e të parëve.
Par 20 viteve, në Bllacë, “në token e askujt”, lotët e të ikurve po shkriheshin bashkë me borën e marsit dhe po krijonin një pellg të madh vuajtjesh. Për të përkujtuar këtë ngjarje, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup, ka iniciuar ngritjen e një Qendre memoriale të eksodit, e cila do të përmblidhte në mënyrë simbolike të gjitha kalvaret shqiptare ndër shekuj. Skender Asani, drejtor i këtij Instituti është i bindur se vetëm duke riformatuar kujtesën nga e kaluara, mund të projektohet e ardhmja dhe kjo bëhet më së miri kur memoria e njerëzve arkivohet dhe merr formë muzeale.
Shqiptarët kanë shumë arsye të mos e harrojnë të kaluarën, por jo me kusht që ajo ta pengojë të ardhmen. Përkundrazi, edhe kjo Qendër memoriale do të jetë në funksion të rifreskimit të kujtesës për ato ngjarje që shënuan kthesë në historinë më të re. Sepse, çdo vuajtje ka çmim, dhe çmimi më i lartë për popullin e Kosovës është pavarësia e shtetit dhe liria e fituar.
Vuajtjet e të ikurve para 20 viteve, që si pikënisje patën fushëgropën e Bllacës, nuk do ta kishin edhe një dimensionin tjetër njerëzor, sikur të mos ishte edhe solidariteti i shqiptarëve këndej kufirit, duke filluar nga Shkupi e Kumanova e deri në Strugë. Vetëm atëherë kur tragjedia pjesëtohet në grimca të vogla, bëhet më e lehtë për t’u bartur. Shqiptarët edhe kësaj radhe u bënë bashkë që ta thërrmojnë këtë tragjedi dhe ia dolën të mahnitin madje edhe opinionin ndërkombëtar. Raportet e mediave të huaja nga Shkupi regjistronin një reagim gjithëpërfshirës popullor, kurse vuajtja dhe mikpritja u ulën këmbëkryq në odat e zemërgjerësisë shqiptare.
Qendra memoriale e eksodit që do të ngrihet në Bllacë, tashmë është formalizuar si projekt-ide dhe ajo iu është dorëzuar qeverive në Shkup e Prishtinë. Kjo e fundit, madje në një nga mbledhjet e fundit, i ka dhënë dritë jeshile këtij projekti dhe tash pritet që të njëjtën ta bëjë edhe Qeveria në Shkup. Është kjo faza përgatitore që do të finalizonte gjithçka që lidhet me këtë projekt, kurse vizitorët e shumtë do të kenë rastin që brenda një periudhe jo të gjatë, të shohin nga afër reliktet e një eksodi, duke filluar nga treni e deri te gjësendet e zakonshme, që ndodhi për të rikthyer edhe më furishëm procesin e shtetndërtimti të Kosovës.
Kjo Qendër, gjithsesi do të jetë sublimim i të gjitha kalvareve biblike që iu ndodhën shqiptarëve ndër shekuj, pa harruar dëbimet e dimrit që ndodhën në fshatrat shqiptare të Prokuplës, Nishit, Kurshumlisë, pastaj shkuljen barbare të çamëve, si dhe shpërnguljet sistematike të shqiptarëve të këtyre trevave në shkretëtirat e Anadollit, për të mbërri te migrimi aktual që po merr përmasa dramatike.
Por, nëse në të kaluarën shqiptarët kishin një të metë kolosale që nuk arritën të arkivojnë kujtesën e tyre, tash kjo është tejkaluar me idenë që tashmë është bërë projekt i iniciuar nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në krye me dr. Skender Asanin dhe mbështetur nga dy qeveritë – në Shkup dhe Prishtinë. (koha.mk)