Nga Emin AZEMI
Libra historie më autorë të ngutshëm në rrugët e formimit paralel, paradite në arë, pas ditë në kurs intensiv shkollor, janë paraqitur jo pak këto dy dekadat e fundit. Interpretime gojëtarësh të zënë ngushtë pasdarkeve, që rrëfejnë për bëma kalorsiakësh modernë, përbëjnë kryesisht lëndën “ndërtimore” të këtyre kinse monografive. Duke e bërë interpretimin të jetë shumë larg realitetit historik, këto botime trembin lexuesin me gogolët e pseudoargumenteve që vendosen në bahçet e pakontrolluara të mendimit kritik..
Nëse detyra parësore e historianëve është që përm3s përvojave njerëzore të së kaluarës të ridefinojnë realitetet historike, te ne ndodhë një metodologji e çuditshme mbizotëruese e autorit mbi subjektet që trajtojnë, duke subjektivizuar narrativen historike për nevoja të ditës, me dedikime të ngushta politike.
Çdo arsimtar historie po ta pyetni do t’iu thotë se kopshtet tona gëlojnë prej varreve ilire, mirëpo historia te ne vazhdon të shkruhet nga amatorët e interpretimit folklorik të realiteteve, ku patosi primitiv i heronjve të sajuar ngrihet në metodë studimi.
Rilindësit shqiptar, por edhe pasuesit e tyre, siç ishin Konica, Fishta, Merxhani dhe ndonjë tjetër, influenconin rrëmbyeshëm me kulturën e formimit të tyre por edhe me artin e krijimit mbi masat në funksion të formimit të një vetëdije moderne kombëtare. Nga shtypi i viteve tridhjetë, sidomos, mund të vërejmë këtë prirje influencimi publik, e cila në fakt po hidhte themelet e mendësisë jokonformiste për dukuri e fenomene sociale, kulturore, fetare e politike.
Tani kur lexon njeriu turli libri me prtendim studimi a monografie, jo rrallë prej tyre qëllon të jetë edhe ndonjë biçim teze doktorature, s’ke si të mos ndiesh neveri, vjellje, aq më tepër kur kjo lukuni gjithologësh guxojnë të monopolizojnë jetën publike me instalacione të vjedhura nëpër tregjet klandestine të mendimtarisë.
Atëherë kur kishim problem me mungesë arsimtarësh menjëherë pas Luftë së Dytë Botërore, doli një intelektual vizionar si Ernest Koliqi dhe shpërndau nëpër viset shqiptare, këndej Shqipërisë Londineze, farën e arsimit shqip, të kultivuar në Normalen e Elbasanit. U desh të kalojnë shumë vite e dekada që kjo farë t’i rezistojë dinjitetshëm furtunave asimiluese të politikave antishqiptare, por sërish frutat nuk munguan.
Por, ku jemi tani që themi se kemi kaq e kaq universitete, e kaq institucione, media, shkolla e tituj bombastikë akademikë? A ka të ngjarë që në vend të farave iluministe të Koliqit, ne tani (pa na detyruar askush) të mbjellim shkurre, sepse vetëm nga shkurret nuk mund të nxjerrësh një dru të hairit që do të na hynte në punë.
Nuk ka fitofarmaci në botë që mundet ta çrrënjosë këtë xhungël shkurresh nga mendësia jonë, nëse këtë nuk e bëjnë burra e gra të guximshme që vendimet i marrin pavarësisht nga shefat e politikës. Vetëm ky mund të jetë ilaçi që shëron një pjesë të shoqërisë sonë që është prekur nga “flama” e autorëve me formime të ngutshme në xhunglën e shkurreve e therrave tona arsimore, andej e këndej kufirit. (koha.mk)