Tetovë, 9 shkurt – Përfaqësues të Inspektoratit shtetëror për ndërtimtari dhe urbanizëm pranë Ministrisë për Transport dhe Lidhje të Republikës së Maqedonisë, kanë kryer kontrolle inpektuese, për sa i përket ligjshmërisë dhe respektimit të procedurave të akteve inspektuese, lejeve të dhëna për ndërtim, si dhe akteve tjera të sektorit për urbanizëm dhe menaxhim me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës. Nga Komuna e Tetovës kanë përshëndetur këto kontrolle, duke nënvizuar se kontrollet janë shtuar kohëve të fundit. “Komuna e Tetovës përshëndet faktin që pikërisht në këtë periudhë kohore, kemi tendencë të shtimit të kontrolleve inspektuese, nga ana e organeve relevante shtetërore. Konstatojmë se këto kontrolle të ditëve të fundit, janë në pajtim me angazhimin permanent 4 vjeçar të administratës aktuale komunale, lidhur me parandalimin e urbanizimit të egër të qytetit, ndalimin e ndërtimit të objekteve pa leje, dhënies të lejeve për ndërtim konform predispozitave ligjore, si dhe luftës kundrejt uzurpimit të hapësirave publike, parime këto që i kuptojmë si vlera të shoqërive progresive, dhe që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Tetovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar me shkrim nga Komuna e Tetovës. Në ndërkohë nuk ka ndonjë reagim zyryar nga Ministria e Transportit lidhur me kontrollet e sotme në komunën e Tetovës. (u.h)