Shkup, 28 maj – Inspektorët gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do t’i edukojnë hotelierët për zbatimin e protokolleve dhe në këtë periudhë ata do të kenë edhe funksion informativ. Qëllimi është që të gjithë hotelierëve t’iu sqarohen masat të cilat duhet t’i respektojnë me qëllim parandalimin e përhapjes së Kovid-19 në këto objekte, informoi sot në konferencë për media kryetarja e Këshillit Inspektues Magdalena Filipovska Grashovska.
“Po formojmë ekipe të inspektorëve të cilët në periudhën e ardhshme do të bëjnë mbikëqyrje për zbatimin e kontrolleve në objektet hotelierike që fillimisht do të kenë funksion edukativ dhe informativ, gjegjësisht do të njoftojnë hotelierët me protokollet në hollësi”, deklaroi ajo.
Filipovska Grashovska vlerëson se dhjetë ditë është periudha e lejuar që të njoftohen të gjithë, por nëse paraqitet nevoja edhe më tutje do të vazhdojnë me vizitat e tilla.
Ajo theksoi se nëse vëren se edhe krahas njoftimeve ata vazhdojnë të mos i respektojnë protokollet, atëherë do të ketë edhe gjoba. “Nuk mund të tolerojmë që deri në pafund, megjithatë fokusi është për fillim t’iu sqarohet të gjithë hotelierëve se cilat janë masat, dhe çka është ajo që do të duhet ta respektojnë”, sqaroi Filipovska Grashovska.
Kryetarja e Këshillit Inspektues paralajmëroi se në këto ekipe do të ketë inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Punës, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa risi është që ekipet do të jenë të përforcuara me kontrollues nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
“Protokolli për hapje dhe punë të objekteve hotelierike për ushqim përcakton se orari i punës është kufizuar prej orës 08:00 deri në orën 22:00, dhe lejohet puna vetëm në pjesët e hapura të objekteve hotelierike për ushqim me shërbim, të cilat janë të hapura në tre anë të konstruksionit të çatisë. Të punësuarit në objektin hotelierik të cilët shërbejnë janë të obliguar që të mbajnë maska mbrojtëse dhe të lajnë shpesh duart, ndërsa kufizohet edhe numri i mysafirëve, gjegjësisht do të shërbehen vetëm mysafirë të cilët mund të ulen ose persona të cilët përmes sportelit do të marrin porositë, gjegjësisht nuk është e lejuar shërbimi i mysafirëve duke qëndruar në banak ose këmbë në tavolina”, tha ajo.
Më tutje, Filipovska Grashovska përkujtoi se protokolli bën të ditur se është i obligueshëm menaxhimi në hyrje i mysafirëve për të cilin nevojitet që të përcaktohet personi përgjegjës. Në hapësirën e hapur për shërbimin e mysafirëve ku ka të vendosur tavolina, të sigurohet distancë ndërmjet karrigeve prej 1,5 -2 metra me tavolinat fqinje në të gjitha drejtimet, ndërsa në një tavolinë me katër karrige mund të ulen dhe të shërbehen maksimum dy persona, përderisa në një tavolinë me katër karrige mund të shërbehen katër persona nëse janë nga familja e njëjtë.
“Protokolli lejon numër maksimal prej 12 personave në tavolina të bashkuara bashkë me distancën e obliguar ndërmjet secilit mysafir prej 1,5 metra. Është e obligueshme vendosja e mjetit për dezinfektim në secilën tavolinë, si dhe kontrolle të përforcuara të brendshme të të punësuarve për mbajtjen e higjienës personale (larje e shpeshtë e duarve) në të gjitha fazat e përgatitjes, pranimit dhe shërbimit të ushqimit nga ana e personit përgjegjës”, theksoi Filipovska Grashovska.
Ajo theksoi se kërkohen masa të përforcuara sanitare-higjienike, pastrim i tavolinave me mjet për dezinfektim i cili vepron në viruse sipas udhëzimit të prodhuesit gjatë largimit të mysafirëve nga secila tavolinë, ndërsa në fund të ndërrimit është i obligueshëm pastrimi dhe dezinfektimi mekanik me mjet i cili ndikon në viruse sipas udhëzimit të prodhuesit, në mënyrë alternative do të mund të shfrytëzohet 0,05% natrium hipohlorit (5 % zbardhues për amvisëri i cili përdoret në proporcion 1:100) ose 70 % alkool për dezinfektim të hapësirave të larta.
Gjithashtu, kryetarja e Këshillit Inspektues, përkujtoi edhe se protokolli përcakton se është e obligueshme mirëmbajtja e rregullt e tualeteve duke mbajtur evidencë për pastrimin e bërë dhe me përdorim të mjeteve dezinfektuese. Në tualetet ndalohet shfrytëzimi i tharësve të duarve, ndërsa është i obligueshëm shfrytëzimi i letrave higjienike për duar për një përdorim.
Në këtë fazë, shtoi Filipovska Grashovska protokolli ndalon organizimin e ahengjeve, si dasma, ditëlindje, pagëzime dhe të ngjashme
Ajo informoi edhe se në periudhën prej 19 deri 26 maj inspektorët nga gjashtë shërbimet inspektuese kanë bërë 2.375 mbikëqyrje inspektuese.
Inspektorët e AUV-së kanë bërë 192 kontrolle, inspektorët e ISHSSH, kanë realizuar 234 mbikëqyrje inspektuese, ndërsa inspektorët nga Inspektorati Shtetëror për Transport bënë 180 mbikëqyrja në periudhën e përmendur, ndërsa inspektorët nga MALMED kanë realizuar gjithsej 44 mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese.