Inspektori i arsimit, Zoran Risteski, përmes profilit të tij në “Facebook” shprehet “JO DYGJUHËSI NË MAQEDONI”. Për më tepër se kaq, ai nuk tërhiqet prej atij postimi as pas reagimeve të shumta që vijnë nga shumë prindër, profesorë dhe arsimtarë shqiptarë. Nuhi Dardhishta nga LASH-i “Naim Frashri” dhe Bashkim Idrizi, profesor në UNT, kërkojnë nga MASH-i dhe ISHA largimin e inspektorëve të këtillë me pikëpamje shoviniste
Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 prill – Shkolla nuk ka asnjë dyshim se janë institucionet ku trasohen rrugët nga do të lëviz një shoqëri e caktuar, ndërsa në shoqëri multietnike, multigjuhësore, multikulturore dhe multikofesionale – sikurse është Maqedonia, është mese e logjikshme që roli i shkollës të jetë është shumëfish më i madh, shkruan gazeta KOHA. Nuk është e rastësishme që me propozim-ligjin për arsim fillor, i cili duhet të miratohet së shpejti, janë caktuar nene të veçanta me të cilat MASH-i synon të rregullojë me Ligj çështjen e tolerancës ndëretnike dhe ndërgjuhësore nëpër shkolla.
Konkretisht, neni 38 i këtij propozim-ligji mban dedikimin “Programe për avancimin e multikultiralizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës”, kurse neni 39 i po këtij propozim-ligji “Programe për mbrojtjen nga dhuna, keqpërdorimi dhe braktisja, programe për ndalimin e diskriminimit dhe programe për preventivë kundër sjelljeve tjera devijante”. Mirëpo, duket se këto premisa nuk i kanë kuptuar as vetë të punësuarit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe për më tepër – inspektorët e arsimit.
INSPEKTORIT QË I PENGON SHQIPJA
Jo më larg se muajin e kaluar, Zoran Risteski, këshilltar në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit (ISHA), publikisht bënte thirrje kundër dygjuhësisë në Maqedoni. Në profilin e tij në “Facebook”, Risteski postoi me shkronja të mëdha “JO DYGJUHËSISË NË MAQEDONI” dhe për më tepër se kaq, nuk tërhiqet nga ai postim as pas reagimeve të shumta që inspektorë të arsimit shpërndajnë qëndrimet të cilat promovojnë jo tolerancë gjuhësore dhe shpërndajnë gjuhën e urrejtjes ndëretnike në Maqedoni. Risteski pranon që postimi në fjalë është bërë nga vetë ai, ndërsa në vend të përgjigjes, pyet nëse ne jemi për dygjuhësi.
Ai nuk sheh asnjë lidhje mes statutit të tij në “Facebook” dhe jo tolerancës gjuhësore, ndërsa nuk ka përgjigje nëse një sjellje e tillë është e denjë për një inspektor arsimor. Prindër dhe arsimtarë të shumtë, të cilët kanë reaguar në forma të ndryshme, ngrenë dilema mbi kredibilitetin e inspektorëve arsimor.
“Si mund të lejohen inspektorë të këtillë të vizitojnë shkollat dhe për më tepër, të merren me vlerësim nëse shkollat punojnë sipas ligjit ose jo, kur vetë ata deklarohen se janë kundër zbatimit të një Ligji tjetër”, deklaron Nuhi Dardhishta, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” duke u thirrur në Ligjin e përdorimit të gjuhës shqipe, për të cilin në Maqedoni po zhvillohet një debat i thellë politik.
“Pa hyrë në detajet e politikës, Risteski dhe inspektorë të tjerë si ai duhet ta dinë se nëpër shkolla nuk flitet vetëm në maqedonisht. Nëpër shkolla, në masë të madhe mësohet në dy dhe më tepër gjuhë, pra përveç se në maqedonisht edhe në shqip, edhe gjuhë të tjera. Prandaj është e pa tolerueshme që një inspektor i arsimit të del publikisht me qëndrime kundër dygjuhësisë, qoftë edhe përmes profileve private në rrjetet sociale”, shprehet Dardhishta. Ai kërkon nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) të ndërmerren masa disiplinore kundër Risteskit, i cili sipas kryetarit të LASH-it, nuk ka kredibilitetin moral dhe etikë profesionale të ushtojë profesionin e inspektorit të arsimit në shkolla ku mësohet në dy apo tre gjuhë.
Rreth këtij skandali ka regjur në profilin e tij në “Facebook” edhe profesori universitar Bashkim Idrizi.
“Imagjinoni, njerëz me mendime të këtilla bëjë kontroll mbi institucionet arsimore në Maqedoni”, shkruan ai. Duke ilustruar komentin e tij me statutin e Risteskit “JO DY GJUHËSISË NË MAQEDONI”. Idrizi, profesor në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, kërkon nga MASH-i dhe ISHA që “të largojnë nga institucionet arsimore njerëz që në mënyrë indirekte shpërndajnë gjuhën e urrejtje ndëretnike”.
Në ISHA nuk janë edhe aq të painformuar rreth skandalit të Risteskit, megjithëse drejtues të këtij institucioni nuk kanë ndërmarrë asnjë masë kundër tij. Afrim Saliu, udhëheqës Sektori i Inspektoratit për mbikëqyrje dhe vlerësim, thotë se ka dy javë që është në pushim dhe nuk ka informacion nëse është ndërmarrë diçka kundër Risteskit.
“Nuk është punë as e imja as e Risteskit të tregojmë nëse duhet ose nuk duhet dygjuhësia në Maqedoni. Sigurisht se ndarja e qëndrimeve politike nëpër rrjete sociale nuk është një veprim i mirë për inspektorët e arsimit”, thotë Saliu, ndërsa pohon se në dijeninë e tij, deri te ISHA-ja nuk është bërë asnjë ankesë.
Drejtori Tome Spirovski pohon gjithashtu se nuk është ngritur ndonjë procedurë për shqyrtimin e mundshëm të masave disiplinore ndaj inspektorit Risteski. Kjo sepse deri te komisioni i posaçëm i ISHA-së që merret me këto punë, sikurse shpjegon ai, nuk është bërë asnjë ankesë.
SKANDALI I RISTESKIT NUK KOMENTOHET NGA MASH
Skandali me inspektorin e arsimit Zoran Risteski, i cili përmes profilit të tij në “Facebook” deklarohet kundër dygjuhësisë në Maqedoni, nuk komentohet në detaje nga drejtuesit e MASH-it. Ministria Deskovska thotë se nuk e ka të njohur rastin dhe kontesti në të cilin ka ndodhur ngjarja, pra nëse bëhet fjalë deklaratë private, rrejet sociale, e kështu me radhë.
“Ka gjëra të cilat janë në sferën e lirisë së shprehjes, por nëse bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes atëherë kemi të bëjmë me rast tjetër. Nëse nuk ka gjuhë të urrejtjes kemi të bëjmë me të drejtën e secilit të shprehet për gjërat që ndodhin në shoqëri”, deklaron ministria. Qëndrim të ngjashëm ka edhe zëvendësministri, Ademi.
Ai, thotë se nuk dëshiron të komentojë detajet e statusit të të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, por dëshiron të thekson se çdo instiotiucion dhe çdo individ është i detyruar të sillet dhe të veprojnë konform dispozitave ligjore.
“Pa komentuar më tepër, inspektori dhe çdo kush tjetër duhet të harmonizojë veprimet dhe sjelljet e tyre me dispozitat ligjore”, shprehet ai.
Publikimi i qëndrimeve kundër dygjuhësisë, nëse jo për shkelje ligjore ka hapur dilema për kredibilitetin dhe etikën profesionale të inspektorëve arsimor, të cilët duhet të jenë në komunikim të vazhdueshme me shkollat, ku përveç maqedonishtes mësohen edhe në gjuhë të tjera. Ata kanë kërkuar nga MASH të merr masa ndaj veprimeve të atilla të cilat dëmtojnë autoritetin e Ministrisë dhe atyre që duhet të mbikëqyrin rregullin dhe cilësinë e shkollave.
Risteski, është i punësuar si inspektor arsimor pikërisht në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, i cili është në kompetenca të MASH-it. (koha.mk)