Maqedonia e Veriut gjendet në pozitën e 66-të sipas barazisë gjinore prej gjithsej 149 vendeve. Shteti me renditje më të mirë nga rajoni është Serbia, e cila është në pozitën e 38-të, Kroacia është e 59-ta, Bosnja e Hercegovina e 62-ta dhe Mali i Zi në pozitën e 69-të. Zgjidhje duhet kërkuar në ndryshimin e rregulloreve ligjore dhe forcimin e kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Punës, konsideron Angel Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve
Shkup, 16 korrik – Në Islandë vitin e kaluar hyri në fuqi një ligj me të cilin barazohen pagat e burrave dhe grave për vendet e njëjta të punës. Por, në vendet tjera, në mesin e të cilave është edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, mbetet diskriminimi i grave kur bëhet fjalë për të ardhurat mujore. Te ne diferenca në paga mes burrave dhe grave për të njëjtën punë është 18 për qind. Çfarë duhet bërë për të ndryshuar situatën e këtillë në vendin tonë? A duhet shteti ynë të miratojë një ligj me të cilit do të detyrohen punëdhënësit që burrave dhe grave t’u japin pagën e njëjtë për punën e njëjtë?
SISTEMATIZIME PËR TË PËRCAKTUAR DISKRIMINIMIN
Zgjidhje duhet kërkuar në ndryshimin e rregulloreve ligjore dhe forcimin e kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Punës, konsideron Angel Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve. “Që inspektori të mund të përcaktojë këtë lloj të diskriminimit, ai duhet të marrë një vlerësim për çdo vend pune dhe të përcaktojë në bëhet fjalë për punën e njëjtë, me pesha dhe vlerë të njëjtë ose bëhet fjalë për punë krejtësisht të ndryshme”, shprehet Dimitrovi.
Përkufizimi i këtillë i ndalimit të diskriminimit në bazë gjinore haset edhe në Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që vendi ynë i ka ratifikuar, si dhe në direktivat e BE-së. “Raportet e këtilla te ne janë rregulluar me Ligjin për marrëdhënie të punës dhe me marrëveshjet kolektive. Ligji për marrëdhëniet e punës në nenet 6 dhe 108, përveç llojeve të tjera të mbrojtjes kundër diskriminimit, përcakton se një grua dhe një burrë duhet të kenë trajtim të njëjtë, gjegjësisht të barabartë, pagë të njëjtë për punë të barabartë. Për të zbatuar mbrojtjen kundër këtij lloj diskriminimi është e nevojshme që të gjithë punëdhënësit të kenë sistematizime të vendeve të punës në të cilat bëhet vlerësimi i të gjitha vendeve të punës në aspektin e përgjegjësisë, kompleksitetit dhe vështirësisë së punës, njohurive dhe përvojës së duhur, si dhe kushtet në të cilat ushtrohet ajo punë. Vetëm atëherë mund të bëjmë kontroll dhe të përcaktojmë diskriminimin e mundshëm në bazë të gjinisë”, thekson Dimitrovi.
Ai bën të ditur se në shumicën e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, e ndonjëherë edhe në ndërmarrjet e mesme, nuk ka sistematizim të vendeve të punës me vlerësim të secilit vend të punës. “Prandaj, edhe hulumtimet e ndryshme për këtë problem barazohen me anketa të ndryshme dhe perceptimin e të anketuarve për këtë dukuri”, konstaton Dimitrovi. Në vendin tonë janë bërë dy hulumtime, njëri më 2011, tjetri më 2015, dhe që të dy treguan se në vendin tonë, si edhe në shumicën e vendeve të botës ka një dallim në të ardhurat.
PROCESI I NDËRLIKUAR I AVANCIMIT TË BARAZISË GJINORE
Dallimi gjinor në pagat është një fenomen i pranishëm në nivel global, shprehet Maja Moraçanin, deputete dhe lidere e RDM-së. “Në Bashkimin Europian, gratë mesatarisht fitojnë 16 për qind më pak në krahasim me burrat, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dallimi është rreth 18 për qind. E ngjashme është situata me dallimin në shkallën e punësimit mes burrave dhe grave, që në vendin tonë është 20 për qind në favor të meshkujve. Arsye për aktivitetin më të ulët të grave në tregun e punës dhe për pagat më të ulëta të grave sesa të burrave janë pabarazia e pranishme gjinore, diskriminimi, stereotipat dhe paragjykimet për rolin e gruas në shoqëri”, shprehet Moraçanin. Ajo thekson se tejkalimi i dallimeve gjinore në pagat është pjesë e procesit kompleks të avancimit të barazisë gjinore.
“Është e domosdoshme ngritja e vetëdijes publike, veçanërisht përmes sistemit arsimor dhe përmbajtjeve mediatike. Pjesëmarrja e barabartë e grave në të gjitha sferat e jetës shoqërore, kontribuon jo vetëm në përmirësimin e pozitës së grave, por edhe të familjeve, partnerëve, fëmijëve të tyre, si dhe në përparimin ekonomik të shoqërisë në përgjithësi. Është veçanërisht e rëndësishme zbatimi efektiv i masave për forcim ekonomik të grave, si mbështetje e sipërmarrësisë të grave, por edhe mbështetjen e kategorive të rrezikuara, nënave të vetme apo grave viktima të dhunës në bazë gjinore dhe familje. Në vendin tonë janë duke u zbatuar masa të tilla, por është e nevojshme të ndahen më shumë mjete nga buxheti për këtë dedikim”, shprehet ajo.
Në shoqërinë tonë patriarkale dhe konservatore ende dominon mendimi se gratë, pavarësisht mesatares, nivelit më të lartë të arsimit krahasuar me burrat, nuk janë po aq të afta për ushtrimin e obligimeve të punës, sidomos kur bëhet fjala për disa të ashtuquajtura “profesione të burrave” ose poste udhëheqëse. “Disa nga vendet anëtare të BE-së tashmë kanë vendosur kuota të detyrueshme për 40 për qind të grave në këshillat drejtuese të kompanive. Zbatimi i një mase të tillë në vendin tonë do të rrisë ndjeshëm pjesëmarrjen e grave në pozitat drejtuese dhe do të kontribuojë në zvogëlimin e dallimit gjinor në raport me pagat”, shprehet Moraçanin.
MAQEDONIA E VERIUT RENDITET E 66-TA SIPAS BARAZISË GJINORE
Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror për barazinë gjinore për vitin 2018, gratë duhet doemos të presin edhe 202 vjet për të barazuar pagat me burrat dhe të kenë mundësi të njëjta për punësim. Sipas këtij raporti, Maqedonia e Veriut gjendet në pozitën e 66-të sipas barazisë gjinore prej gjithsej 149 vendeve. Shteti me renditje më të mirë nga rajoni është Serbia, e cila është në pozitën e 38-të, Kroacia është e 59-ta, Bosnja e Hercegovina e 62-ta dhe Mali i Zi në pozitën e 69-të. Sipas barazisë gjinore, kryeson Islanda, e cila mban pozitën e parë tashmë dhjetë vjet. Dallimet në pagat mes grave dhe burrave në Bullgari ulen tashmë tre vite me radhë – nga 15.4 për qind në vitin 2015 në 13.6 për qind në vitin 2017, tregojnë të dhënat e EUROSTAT-it, të përfshira në raportet për barazinë e femrave dhe burrave për vitin 2018 që Qeveria bullgare e miratoi në fillim të muajit.
DIFERENCA MESATARE E PAGAVE NË BE NË VITIN 2017 ARRIN 16 PËR QIND
Raporti i barazisë gjinore reflekton edhe rezultatet e zbatimit të politikave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, promovimin e barazisë në proceset e vendimmarrjes. Në mesin e fushave parësore në dokumentin janë luftimi i dhunës së bazuar në gjininë biologjike dhe ndryshimi i stereotipave shoqërore ndaj grave dhe burrave. Në raportin për Bullgarinë bëhet e ditur se në vitin 2018, numri mesatar i të papunëve të moshës 15-64 vjeç është 170 800 njerëz. Prej tyre, 100.200 janë burra dhe 70.600 janë gra, që është 33.400 më pak sesa në vitin 2017. Numri i grave të papuna është zvogëluar për 21.000. Ndryshe, dallimet në paga janë më të larta në Çeki dhe në Sllovaki, ku paga mesatare për burrat është 28 deri 30 për qind më e lartë sesa paga e grave, dhe dallimi më i vogël është regjistruar në Kroaci dhe Slloveni – mesatarisht 10-11 për qind në favor të burrave. (mia.mk)