Shkup, 2 korrik – Inspektorati i punës personalisht nga kryeministri Zoran Zaev do të marrë urdhër që të kontrollojë se nëse bashkësitë fetare i respektojnë obligimet ligjore nga aspekti i pagesës së tatimeve dhe kontributeve.
Këtë e theksoi kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, pasi deputeti Muhamed Zeqiri në seancë kuvendore pyeti se nëse inspektorati i punës ndonjëherë do të hyjë në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) të kontrollojë se nëse u paguhet sigurim pensional dhe invalidor imamëve të cilët ankohen se kjo nuk bëhet.
“Qeveria ka marrëdhënie të mira me të gjitha bashkësitë fetare. Nuk jemi kompetentë, as që dëshirojmë, ndërsa edhe Kushtetuta nuk lejon involvim në zgjedhjet dhe rregullimet e brendshme, por kjo nuk do të thotë se dikush mund të jetë jashtë Ligjit kur bëhet fjalë për pagesë të tatimeve, kontributeve,..”, theksoi kryeministri Zoran Zaev.
Tatimet, potencoi, edhe qasja e ndershme, duhet të vlejnë për të gjithë, pavarësisht se për cilën bashkësi fetare bëhet fjalë, ndërsa rezultatet e kontrolleve do të kumtohen publikisht.
Edhe MPB-ja në këtë segment zhvillon hetim të caktuar në bazë të denoncimeve që në mënyrë plotësuese, theksoi do të japë përgjigje.