Shkup, 6 shkurt – Një javë para se të nis sezoni pranveror në elitën e futbollit vendor skuadra e F.C. Shkupi dhe ajo e KF “Skopje” janë në pritje të raportit përfundimtar të Komisionit të infrastrukturës pranë Federatës Futbollistike të Maqedonisë. Në fakt ky komision do të inspektojë kushtet e fushave sportive në Çair dhe Autokomandë dhe do të japë vendimin final se këto dy stadiume i plotësojnë apo jo kushtet që në pranverë të zhvillohen ndeshjet e elitës së futbollit vendor.
Nga FFM për “Alsat-M”, thanë se komisioni në fjalë është në terren. “Komisioni i infrastrukturës sot dhe nesër do inspektojë stadiumet në Çair dhe Autokomandë. Në saje të raportit të tyre Komisioni i garave do merr vendimin përfundim se në Çair dhe Autokomandë do të luhet apo jo futboll elitar”, thonë nga FFM-ja. Jo zyrtarisht thuhet se stadiumi në Çair dhe ai në Autokomandë, deri në nisjen e sezonit pranveror më 14 shkurt do të duhet të eliminojnë mangësi në infrastrukturë. Komisioni i garave pranë FFM-së, më së voni deri të premten do të duhet të përcaktojë fushat në të cilat do të luhen ndeshjet e para të sezonit pranveror. Kujtojmë, për shkak të dëmtimit të fushës në vjeshtë skuadra e F.C. Shkupi u detyrua që ndeshjen e kthimit të Kupës së Maqedonisë me Vardarin ta luante në lagjen Gjorçe Petrov. Ndërkohë, me 14 shkurt kur edhe fillon sezoni pranveror, F.C. Shkupi është paraparë që në Çair të pret skuadrën e Akademija Pandev, ndërsa “Skopje” do të jetë mysafir i Sileksit në Kratovë. Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 14.00.