Lorenco Insine mban në ankth kampin napolitan në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme të fundjavës me Interin në “San Paolo”. Është e vështirë për ta përcaktuar nëse do të jetë në dispozicion të Sarrit për “ziklatrit”, pasi një përgjigje më e saktë mund të jepet vetëm gjatë mbrëmjes së kësaj të premteje, pasi të analizohet ecuria e tij përgjatë gjithë ditës.
Ekzaminimet e një ditë më parë nuk kanë evidentuar këputje të muskulit, por vetëm një kontraktim për shkak të mbingarkesës fizike. Nuk do të ishte asgjë shqetësuese nëse sfida me Interin nuk do luhej kaq shpejt. Insine është shumë i rëndësishëm për mekanizmat e sulmit, kështu që Sarri nuk do të rrezikonte për ta aktivizuar në një takim shumë të rëndësishëm, por jo përcaktues për fatet e sezonit. Vendimi do të merret në mbrëmje, ndërsa sa i përket zëvendësuesit të mundshëm të tij, mund të jetë një mes Ounas, Giaçerinit dhe Zielinski.