Shkup, 8 janar – Qeveria në seancën e parë të sotme për vitin 2019 e aprovoi edhe informacionin për nevojën e inkluzionit të domosdoshëm të fëmijëve me paaftësi të lehta në shkollat e rregullta në Republikën e Maqedonisë.
Qeveria e ka angazhuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të vendos sistem të përcjelljes së zhvillimit të këtyre fëmijëve nga ana e ekipeve inkluzive profesionale në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë, më së voni deri në mars të vitit 2019 dhe në nivel tremujor t’i raportojë Qeverisë për zhvillimin e tyre.
“Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Byroja për zhvillim të arsimit ka për detyrë që në afat prej tre muajve të hartojnë formular të unifikuar për procedurën për regjistrim dhe çregjistrim, si dhe për përcjellje të zhvillimit të fëmijëve në shkollat speciale fillore dhe të mesme, të cilat do t’i përmbajnë të gjitha të dhënat e nevojshme për fëmijët dhe ta informojnë Qeverinë për aktivitetet e ndërmarra. Këto institucione, gjithashtu, janë të detyruara që deri në qershor të këtij viti të hartojnë Analizë për transfer të fëmijëve me pengesa të lehta psikike nga shkollat për fëmijë me aftësi të kufizuara në shkollat e rregullta me propozim për grup/grupe të fëmijëve, të cilat do të mund të transferohen nga viti shkollor 2019/2020”, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.