Ka vite që nuk shoh asnjë program ose film në televizion, përjashto rastet kur marr ndonjë porosi nga miqtë dhe familjarët. E vetmja gjë që më merr vëmendjen nga ekrani janë kukullat e Coco-së dhe dokumentarët. Këto të fundit, mund t’i shoh për orë të tëra dhe të mos mërzitem. Jam një gjumashe e pandreqshme
Inis Gjoni është një nga femrat më të njohur të skenës shqiptare e përfshirë edhe në skandale, mirëpo e pamposhtur dhe e rikthyer disa herë në skenë jo vetëm si këngëtare, por si aktore dhe regjisore, shkruan gazeta KOHA.
“Nuk bëj palestër, por një herë në ditë, i ngjis shkallët në këmbë deri në shtëpi. Dhe unë e kam shtëpinë në katin e tetë. Nëse nuk do isha marrë me art, do vdisja të bëhesha arkeologe ose shkencëtare. Më pëlqejnë shumë zbulimet”, thekson kështu Inisi, duke shtuar se nuk sheh asnjë program televiziv ose film, por me raste kur i rekomandohet nga dikush. “Ka vite që nuk shoh asnjë program ose film në televizion, përjashto rastet kur marr ndonjë porosi nga miqtë dhe familjarët. E vetmja gjë që më merr vëmendjen nga ekrani janë kukullat e Coco-së dhe dokumentarët. Këto të fundit, mund t’i shoh për orë të tëra dhe të mos mërzitem. Jam një gjumashe e pandreqshme… Do jepja gjithçka që të flija gjumë në mëngjes, por që prej lindjes së Coco kam kohë që nuk e di se ç’do të thotë të flesh gjumë deri në orën 10. Maksimumi që kam arritur, ka qenë 9-ta (qesh)”, thotë një nga femrat që gjithmonë ka thyer tabu në skenën shqiptare.
Ajo është e njohur edhe si balerinë, moderator e drejtuese festivalesh. “Kam thyer këmbën kur kam qenë 5 vjeçe dhe doktori në spital tha: sa të drejta i paska këmbët, nëse edhe këmba që ka thyer do të bëhet kaq e drejtë sa këmba tjetër, atëherë këtë vajzë bëheni balerinë’. Atëherë askush nuk e dinte që unë do merresha me balet. Kam shumë histori nga jeta si balerinë, më ka ndodhur që më ka dalë këpuca gjatë kërcimit, që partneri ka këputur mish duke më ngritur në padjeshkë, e të tjera si këto. Kur mbarova shfaqjen e parë si regjisore, isha aq shumë e emocionuar sa nuk i njihja njerëzit që takoja. Ka qenë një rast kur drejtoja Festivalin e Këngës, së bashku me mikun tim Gaz Gjoka, që harrova pjesën time të tekstit dhe nisa të flisja ‘përçart’ për të dalë nga situata. Nuk e mbaj mend çfarë kam thënë, por këngëtari e kuptoi që ishte radha e tij (qesh)”, thotë Inisi për KOHA.
Besoj, thotë ajo, kam qenë ndër të parat vajza në Tiranë që kam drejtuar një automjet, në vitin 96. “Unë dhe Rudina Magjistari, kemi qenë ndër të parat. Çmenduria më e madhe që kam bërë në timon, kam kaluar Llogaranë, natën dhe me mjegull. Zoti ka qenë me mua atë natë. Kam refuzuar mbi 10 oferta për të qenë në ekran vitet e fundit, nuk e di ç’më ka gjetur, por besoj se dashuria për teatrin po më mban larg televizionit. Si për fund, po ju zbuloj që aktualisht po punoj për një shfaqje të re teatrale”, përfundon mes tjerave në rrëfimin e saj regjisorja e njohur Inis Gjoni. (B.R)