Iniesta zbulon mashtrimin e madh të Ronaldinjos para “El Clasicos” (VIDEO)

Ronaldinjo do të mbetet gjithmonë një nga lojtarët më të dashur te Barcelona, pasi me të u kthye futbolli i bukur të katalanasit, nën drejtimin e Frank Rajkard. Braziliani ishte një personazh i veçantë jo vetëm me atë që jepte në fushën e lojës, por edhe si e jetonte jetën jashtë saj dhe lidhjen që kishte krijuar me të gjithë shokët e skuadrës.“Mundo Deportivo” ka publikuar sot një anekdotë të jetës së tij, të treguar nga Andres Iniesta, i cili zbuloi një mashtrim të jashtëzakonshëm që Ronaldinjo u kishte bërë shokëve të skuadrës para “El Clasico”, por me qëllime të mira. “Pak ditë para ‘El Clasico’ më telefonon në shtëpi Ronaldinjo pas mesnatës. Më thotë ‘Andres, e di që është ora 3 e mëngjesit, por dua të të them diçka. Në qershor largohem nga Barça. Vëllai im po mbyll një marrëveshje me Real Madrid. Janë shifra të pabesueshme, të atij lloji që nuk mund t’u them jo. Ti je i ri, mund të më kuptosh… por të lutem, mos ia thuaj askujt. Ti je ai tek i cili kam më shumë besim’. Të nesërmen, në fushën stërvitore ishte një qetësi e çuditshme. Të gjithë silleshin në mënyrë të çuditshme, përqafonin Ronaldinjon siç nuk kishin bërë asnjëherë më parë. Vjen dita e ‘El Clasico’ dhe në dhomat e zhveshjeve të ‘Santiago Bernabeut’, Dinjo merr fjalën dhe thotë: ‘Djem, sot luajmë një ndeshje të rëndësishme. Ata janë të fortë, por unë kam zbuluar se jemi si një familje. Ju kam telefonuar secilit prej jush në mes të natës dhe u thashë që largohem, por askush nuk foli. E kuptova që jemi gati të vdesim duke i mbajtur gjërat brenda para se të tradhtojmë njëri-tjetrin. Do të qëndroj këtu për shumë vite… Tani të dalim në fushë dhe t’u japim një leksion futbolli këtyre të Real Madridit’”. Atë natë, Ronaldinjo luajti një nga ndeshjet më të mira në “Bernabeu” dhe shënoi dy gola. Kur doli nga fusha e lojës, i gjithë stadiumi u çua në këmbë për ta duartrokitur.

https://www.youtube.com/watch?v=Ffj4p288q80