Telenovela në lidhje me të ardhmen e mesfushorit spanjoll Iniesta dhe të ardhmen e tij vazhdon ende edhe pse duket se po shkon drejt fundit. Kapitullin e radhës e ka shkruar sot babai i futbollistit spanjoll, kontrata e të cilin me skuadrën “blaugrana” skadon verën e ardhshme. Jose Antonio, babai i Iniesta, në një deklaratë për mediat tha: “Andres nuk do të veshë kurrë një fanellë tjetër nga ajo e Barcelonës. Asnjë, as vetë lojtari nuk e imagjinon dot një gjë të tillë”, tha babai i lojtarit. Sipas tij, lojtari dhe presidenti i klubit Josep Maria Bartomeu do t’i japin fund kësaj situatë dhe do të nënshkruajnë kontratën e re. “Jam optimist për rinovimin e kontratës. Ky është një argument për të cilin bisedoj çdo ditë me djalin tim. Megjithatë, preferoj të mos vë asnjë bast në lidhje me të ardhmen e tij, pasi sa herë që vë bast, humbas”, tha Jose Antonio, babai i lojtarit të Barcelonës, Iniesta, që duket se do të qëndrojë në Katalunja edhe sezonin tjetër.