Andres Iniesta thotë se ëndërron që të mbyllë karrierën si futbollist te Barcelona dhe që të mbetet i lidhur me këtë klub edhe pas pensionimit. 32-vjeçari është pjesë e katalonasve që më shumë se 20 vjet dhe është shndërruar në një nga legjendat e klubit me tetë tituj të ligës, katër Kupa të Mbretit, katër Liga të Kampionëve dhe tre herë ka fituar Kupën e Botës për Klube. Ai po ashtu ka fituar me Spanjën një Botëror dhe dy Evropianë. Kontrata e tij skadon në qershor 2018, por pritet që klubi t’ia ofrojë kontratën e re së shpejti. “Të shpresojmë. Kjo është ëndrra ime dhe ka qenë gjithmonë. Kam pasur gjithmonë ëndërr që të pensionohem këtu. Sigurisht që dua që edhe e ardhmja pas futbollit të më lidhë me Barcelonën, por e ardhmja do të vendosë për këtë”, ka thënë ai për uebfaqen e klubit.