Tetovë, 8 janar – Protesta dhe bllokada në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, të shtunën që vijon tek teleferiku në Tetovë nëse institucionet kompetente nuk përgjigjen pozitivisht në kërkesat për përmirësimin e kushteve për punë normale të qendrës dimërore Kodra e Diellit. Këtë sot e paralajmëruan nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” në konferencën për shtyp që e mbajtën tek Teleferiku në fillim të rrugës për këtë qendër dimërore, njofton Koha.mk
Sipas anëtarit të iniciativës Amdi Sulejmani, Kodra e Diellit edhe këtë sezon dimëror ka mbetur pa investimet e premtuara dhe kujdesin e nevojshëm nga institucionet. Ai theksoi edhe një pjesë të kërkesave kryesore të kësaj iniciative për shmangien e bllokadave të paralajmëruara.
“Kërkojmë takim urgjent me kryeministrin dhe përfaqësuesit tjerë nga kabineti i tij më së voni deri të shtunën çka duhet të realizohet në Kodrën e Diellit me ç’rast kërkojmë që kryeministri vizitën ta realizojë si qytetar i thjeshtë që nga afër të përballet me vështirësitë reale me të cilat vazhdimisht përballen vizitorët në këtë qendër turistike. Qeveria të formojë komision për mbikëqyrje të punëve të Kodrës së Diellit me përfshirjen e përfaqësuesve nga Qeveria, sektori civil, ekspertët nga sportet dimërore dhe kuadri të filluar me gjendjet në qendrën dimërore. Përkushtim më të madh nga Agjencia për zhvillim të turizmit, Agjencia për rini dhe sport dhe Federata e skijimit dhe presion të tyre më të madh ndaj institucioneve kompetente rreth punës së tyre të pasuksesshme të Kodrës së Diellit”, deklaroi Sulejmani.
Nga iniciativa “Për shpëtim të Kodrës së Diellit” presin edhe reagim urgjent të kompetentëve për, siç tha Sulejmani, tejkalim urgjent të situatave të krizës që përsëriten çdo sezon si pastrim i parkingut nga bora, të punojnë rregullisht teleferikët, rend dhe qetësi në terrenet dhe punë 24 orëshe e ambulancës në Qendër. (Koha.mk)