Është i domosdoshëm respektimi i shkencës në përhapjen e informacionit për çdo gjë, respektivisht, në rastin konkret të pandemisë, përmbajtja e rregullave për mbrojtje nga epidemia e virusit, meqë e kundërta mund të cenojë seriozisht reagimin adekuat të shëndetit publik dhe kështu më pastaj të krijoj degradimin e besimit ndaj institucioneve të shëndetit publik
Nga Senat FERATI
Doza e misteriozitetit që po e përcjell paraqitja dhe shtrirja e virusit korona ka shkaktuar stres, pasiguri dhe frikë te njerëzit, pa dallim. Kurse situatat e këtilla, zakonisht janë shumë të përshtatshme për paraqitjen edhe të dezinformatave dhe teorive konspirative për fenomenin në fjalë. Dezinformatat për pandeminë e korona virusit (Covid-19) gjenden thuajse në të gjitha rrjetet sociale, në shtrirje që nga teoritë konspirative deri te lajmet e pakonfirmuara, po edhe deri te kampanjat qëllimkeqe. Këto po e vështirësojnë luftën e institucioneve përgjegjëse në luftimin e kësaj sëmundjeje ndjellakeqe, me qëllim të evitimit të panikut të panevojshëm i cili mund të paraqitet kur në shoqëri paraqitet frika nga misterioziteti i ndonjë dukurie. Por, lufta kundër këtij virusi mund të na kthehet bumerang, për shkak të infodemisë, njësoj sikur lufta kundër terrorit, në të cilën luftë janë shkaktuar më shumë viktima civile se sa që terroristët kanë arritur të vrasin njerëz të pafajshëm. Kjo nuk nënkupton se duhet suspenduar luftën kundër terrorit, por, për shkak të frikës psikologjike, nuk duhet lejuar suspendimin e të drejtave bazike njerëzore, sepse kjo më pastaj mundëson keqpërdorimin e qëllimshëm të informacionit në rastin e tejkalimit të kompetencave dhe “dëmeve kolaterale” te viktimat e pafajshme të cilat nuk janë të pakta në numër, dhe janë kryesisht individ të besimit islam – jo rastësisht!
Kuptohet që pandemia është duke i testuar aftësitë teknologjike të disa qeverive që me efektivitet të përballen me lajmet e rrejshme të kësaj gjendje të jashtëzakonshme globale. Facebook-u, Google dhe Twiter-i kanë theksuar se ata seriozisht po orvaten të i largojnë (filtrojnë) dezinformatat për korona virusin me gjithë shpejtësinë me të cilën po paraqiten ato duke u shërbyer me bashkëpunimin sa më efektiv me OBSH-në dhe organizatat tjera qeveritare të shteteve të ndryshme. Deri më tani në mediat e ndryshme botërore janë paraqitur teori konspirative nga më të ndryshmet rreth paraqitjes së korona virusit; disa teori janë të vjetra e disa teori janë të reja. Disa shfrytëzues të rrjeteve sociale në Amerikë kanë shkruar këto ditë se kinse virusi korona ekziston që me vite dhe se këtë e kanë ditur shkencëtarët, por e kanë mbajtur sekret deri në momentin e volitshëm! Njëri prej personave i cili ka lansuar një lajm të këtillë të pasaktë është edhe jutjuberi Xhordan Sater. Ky ka shpërndarë linkun për patentin e vitit 2015, të cilin e ka paraqitur Instituti Pirbrajt nga Anglia, në të cilin bëhet fjalë për mundësinë e krijimit artificial të versionit të virusit i cili do të mund të shfrytëzohet për krijimin e vaksinës. Sateri kishte shfrytëzuar faktin se Fondacioni Bil dhe Melinda Gejts figuronin në listën e donatorëve të Institutit Pirbrajt. Por nga hulumtimet u konstatua se Patenti Pirbrajt nuk ka lidhje me korona virusin, por me llojin e bronhitisit i cili i takon familjes më të gjërë të korona viruseve që i njohim deri më tani.
Një pohim tjetër i pabazuar është qëndrimi se korona virusi është pjesë e programit kinez të armëve biologjike dhe se është krijuar në laboratorin e Institutit për virologji në Vuhan. Lajmin e këtillë e kanë shpërndarë shumë shfrytëzues të rrjeteve sociale duke e shpërndarë tekstin e Uashington Post-it në të cilin citohet informatori ushtarak izraelit. Por gazeta në fjalë nuk ka paraqitur asnjë fakt për këtë pohim, bile informatori i lartpërmendur më vonë këtë vetë e demanton! Që donë të thotë se informacioni i pakonfirmuar është dezinformacion.
Rast tjetër është edhe gazeta Gazeta Dejli Star e cila kishte botuar para disa javësh se kinse virusi është krijuar në një laborator sekret (në Angli), edhe pse më vonë këta vetë e demantuan lajmin e këtillë. Një teori tjetër është se mjekja Gji, e punësuar në një institut kanadez, vitin e kaluar e ka vizituar dy herë një laborator në Vuhan së bashku me bashkëshortin, i cili është i specializuar për hulumtim të korona virusit, kështu që këta dyshohen si ekip spiunësh. Por, sipas rrjetit TV CBC lajmi i këtillë nuk është i vërtetuar. Janë përhapur teori konspirative edhe kinse korona virusi është shpikje e industrisë farmaceutike me qëllim që publikut të i shesë barna sa më të shtrenjta dhe sa më shumë vaksina, që të pengojnë shfrytëzimin e barnave alternative, siç është origani, gjethet e ullirit apo qepa e bardhë. Mirëpo, OBSH thotë se , megjithëse këto janë “ushqim i shëndetshëm i cili mund të ketë disa veti shëruese”, nuk ka dëshmi se përdorimi i tyre mund të i mbrojë njerëzit nga korona virusi. Bile BBC përcjell shkrimet e disa gazetave ditore kineze (The South China Morning Post, etj) të cilat kishin botuar lajmin për një grua e cila ishte shtruar në mjekim spitalor për shkak të ndezjes së fortë të fytit meqë kishte hëngër 1,5 kilogram qepe të bardhë!
Ka edhe të atillë (Dr. Osmanagiq etj) që përhapin lajmin se kinse virusi është i njohur që më herët dhe se ekziston vaksina për të, por se projektuesit e kësaj pandemie, familjet elitare Rotshild, Rokfeler,Morgan, Soros etj., presin momentin e përshtatshëm për ta lansuar në treg vaksinën që të përfitojnë nga shitja e tyre marramendëse. Ithtarët e kësaj teorie e harrojnë që këto familje janë pasuruar duke u rritur qarkullimi tregtar botëror, dhe nga analizat e ndryshme të instituteve rezulton që nga tregtia globale më të pasurit janë pasuruar edhe më shumë se sa shtresat tjera të popullatës njerëzore. Kjo pandemi tani më e ka shpënë në recesion ekonominë globale dhe humbjet do të jenë shumë të mëdha, afatgjata dhe vështirë të sanueshme. Dhe logjikisht humbjet do të i ndjejnë edhe bizneset e këtyre familjeve, gjë që nuk ka logjikë ekonomike të shkaktosh krizë afatgjate ekonomike për disa përfitime afatshkurta nga shitja e vaksinave, sado qofshin këto përfitime!
Së fundmi ka pasur shumë spekulime rreth manovrave ushtarake të NATO-s që filluan më 11 mars, të planifikuara që më herët, operacioni i njohur me emrin Defender Europe 2020. Spekulohet se amerikanët janë duke e shfrytëzuar situatën për të realizuar një puç ushtarak në Evropë. Naiviteti i kësaj teorie është no coment! SHBA-ja, si shtet, nuk do të ishte ky që është, me përgjegjësi globale, sikur edhe në situata të pandemive globale të mos jetë në gatishmërinë e nevojshme për të ruajtur sigurinë gjeopolitike e gjeostrategjike të Evropës, të Perëndimit dhe rrjedhimisht edhe të tërë planetit. Nga aspekti eshatologjik, qarkullon teoria, e vjetër, se kjo pandemi është dënim nga Zoti meqë çdo ditë e më tepër njeriu po largohet nga të Vërtetat e Tij, se me liberalizmin e skajshëm ekonomik, politik e religjioz, me hedonizmin kulturor po përhapet shthurja morale nga Perëndimi drejt gjithë botës, atëherë edhe pritet të ndodhë, edhe pakë, paraqitja e Xhuxh Maxhuxhëve (Gog Magog), paraqitja e Dexhalit. Për këta fundi i botës është në prag të derës. Por, se sa joshkencore janë këto interpretime të Teksteve, letërsia dhe dokumentet historike na dëshmojnë që çdoherë kur kemi përjetuar kriza të mëdha (kryqëzatat, sulmet mongole, luftërat botërore etj) janë ri aktualizuar këto interpretime, si në botën islame, ashtu edhe në atë krishtere, por çdoherë interpretimet e këtilla kanë dalë të pasakta meqë nuk kanë respektuar metodologjinë shkencore të interpretimit.
Andaj, është i domosdoshëm respektimi i shkencës në përhapjen e informacionit për çdo gjë, respektivisht, në rastin konkret të pandemisë, përmbajtja e rregullave për mbrojtje nga epidemia e virusit, meqë e kundërta mund të cenojë seriozisht reagimin adekuat të shëndetit publik dhe kështu më pastaj të krijoj degradimin e besimit ndaj institucioneve të shëndetit publik, dhe rrjedhimisht, së fundmi, ndoshta edhe kolapsin e tij. Ndërsa kjo, kuptohet, është diçka më e keqe se sa paraqitja e vetë virusit si të tillë sepse, me rritjen e sasisë së frikës, panikut social, si histeri kolektive, mund të shpie në destruktivitet zinxhiror. Tashmë të gjithëve po na bëhet e qartë çdo ditë e më tepër se bota po bëhet gjithnjë e më e pa sigurt për shkak të proceseve ndërvepruese globaliste, ku konstant po përhapet pasiguria ontologjike (Gidens, Bauman), por, sërish, sikur të na jepej mundësia të zgjedhnim se në cilën kohë të historisë njerëzore do të donim të jetonim, sërish do të përcaktoheshim për kohën tone, edhe përskaj sfidave që i kemi, siç janë uria në Afrikë, varfëria në vendet në zhvillim, konfliktet religjioze e politike, ndryshimet klimatike etj. Sot, kemi të arritur, si kurrë më parë, vetëdije kritike shkencore më të lartë se kurdoherë, kemi arritur arsimim për sa më shumë njerëz, kemi arritur të përmirësojmë pozitën e gruas si kurrë më parë, kemi rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore për fëmijët, për pleqtë, për njerëzit me nevoja të posaçme, kemi arritur jetëgjatësinë më të madhe, uljen e mortalitetit, ndihmat humanitare në rrafshin global etj.
Andaj, siç ka thënë presidenti i SHBA-së, Teodor Ruzvelt: “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është – frika”! Kurrsesi nuk duhet të lejojmë të paraqitet paniku në shoqëri dhe për minimizimin e panikut social është i domosdoshëm kontributi i gjithsecilit – pa dallim. Këtu ndodhet para provimit moral çdo qytetar i botës. (koha.mk)