Mos u fusni në ujë. Ky ka qenë apeli i përsëritur nga ekspertët e shëndetit publik, pas goditjes nga uragani Irma dhe Harvey, që përmbyti Teksas e Florida, duke lënë miliona litra të ujërave të zeza nëpër rrugë e banesa, të mbuluara nga bakteret. Tani, fjalët e tyre ndoshta kanë më shumë peshë së kurrë. Në fillim të kësaj jave, një grua në Teksas humbi tragjikisht jetën, si pasojë e një infeksioni të shkaktuar nga ai që njihet si bakteri “mishngrënës”.
The New York Times raportoi se 77-vjeçarja Nancy Reed ishte rrëzuar duke thyer krahun në banesën e saj të përmbytur në Houston, duke i dhënë kështu mundësinë baktereve që të futeshin në plagë. Mbetet e paqartë se cili bakter ishte përgjegjës, por Rachel Noble, profesoreshë e biologjisë ujore në Universitetin e Karolinës së Veriut, duke folur për Business Insider tha se dyshon se bëhet fjalë për Vibrio, një mikrob ujërave të detit, me një rrezik të rrallë, por potencialisht vdekjeprurës për këdo që ka një plagë të hapur.
Përmbytjet në Florida dhe Teksas janë të infektuara me dy baktere, që e kanë burimin nga sistemi i ujërave të zeza, të cilat përmbytën këto vende, si dhe nga ujërat e oqeanit që pushtoi zonat urbane nga stuhia. Por teksa mikrobet që gjendjen në ujërat e zeza përbëjnë rrezik nëse gëlltiten, janë mikrobet e ujërave të detit, që sipas Noble duhet të bëjmë më shumë kujdes. Pas uraganit Katrina, 5 persona humbën jetën dhe 22 të tjerë humbën gjymtyrët, si pasojë e infeksioneve nga Vibrio. Shqetësimi më i madh nga këto infeksione?
Sipas ekspertes janë pikërisht plagët e hapura dhe çarjet/gërvishtjet në trup. Noble këshillon që kushdo që bie në kontakt me ujërat si pasojë e përmbytjeve dhe ka simptoma infeksioni, të bëjë kujdes, duke kontrolluar nëse ka plagë të hapura në trup. Disa prej simptomave janë skuqje, irritim e ethe. “Infeksione të tilla mund të progresojnë në një periudhë prej vetëm 10 orësh, në një pikë të tillë sa e vetmja mënyrë për të shpëtuar do të ishte prerja e pjesës së infektuar”. Ekspertët thonë se pavarësisht ku jetoni, rreziku nga bakteret është prezent. Sigurohuni që të keni bërë të gjitha vaksinat, të lani duart herë pas here dhe të vizitoheni tek mjeku në rast se keni një plagë të hapur dhe keni rënë në kontakt me ujë jo të pastër.