Ndonëse shuarja e zjarrit të fundit që e kaploi malin e Gazi Babës duhej të jetë një intervenim i zakonshëm, për zjarrfikësin Goran Janevski, kjo ishte detyra e tij e fundit. Fatkeqësisht, siç thonë dëshmitarët okular, gjendja e Janevskit ishte përkeqësuar gjatë kohës së lokalizimit të zjarrit dhe si pasojë e sëmundjeve që kishte pasur me zemrën ai kishte ndërruar jetë
Omer XHAFERI
Shkup, 20 shtator – Infarkti, e jo zjarri (tymi) ka qenë shkaktari kryesore i vdekjes së zjarrfikësit Goran Janevski, i cili të martën mbrëma ndërroi jetë. Ngjarje ka ndodhur gjatë shuarjes së flakëve që e kishin përfshi një pjesë të Malit të Gazi Babës.
Ashtu siç edhe raportoi gazeta KOHA rasti në fjalë ka ndodhur ditën e martë, rreth orës 19:00. Një pjesë e banorëve të lagjes së Gazi Babës për redaksinë tonë u shprehen se gjithçka ka ndodhur shpejtë dhe se përnjëherë kanë vërejtur se si zjarri i cili e kishte kapluar malin e thatë po zbret drejtë shtëpive të tyre. Fatmirësisht intervenimet e shpejta, fillimisht të banorëve dhe më pas të njësive të zjarrfikësve kanë parandaluar shpërndarjen e mëtejme të zjarrit.
“Përveç malit i cili ndizej flakë, zjarri më i madh ishte te kafazet e pëllumbave ku ekipet e zjarrfikëseve u përqendruan më tepër për ti shuar flakët. Gjatë këtyre veprimeve njëri prej zjarrfikësve u alivanos. Në këtë rast arsye nuk ishte as zjarri dhe aq më pak tymi, për shkak se gjithçka gati ishte në kontroll. Por gjendja e tij shëndetësore. Ndonëse kolegët e tyre tentuan disa herë ta ndihmojnë, por e kotë ishte. Ndihma e shpejtë po ashtu u vonua. Besoj se nëse kishte arritur në kohë zjarrfikësi do të kishte pasur gjasa të shpëton”, thonë banorët e Gazi Babës.
Intervenimi kirurgjik paraprak dhe sëmundja kronike nga e cila kishte vuajtur zjarrfikësi i ndjerë Janevski, mendohet se e kanë komplikuar gjendjen e tij shëndetësore, si pasojë e të i cilës ai të martën ndërroi jetë. Për vdekjen e zjarrfikësit kanë raportuar edhe nga Sektori për Punë të Brendshme – Shkup, të cilët njoftojnë se rreth orës 16:30, në afërsi të Qendrës transite për të huaj në lagjen e Gazi Babës është shkrumbuar një pjesë më e madhe e hapësirës së gjelbër.
“Krahas barit të thatë, në afërsi të Qendrës transite për ta huaj janë djegur edhe disa kafaze të lëshuara të pëllumbave. Përderisa flakët e zjarrit e kanë kapluar edhe një pjesë e qendrës në fjalë. Intervenimi i ekipeve të zjarrfikëseve ka qenë i menjëhershëm, me çka gjatë këtij aksioni ka ndërruar jetë zjarrfikësi G.J, 47 vjeçar nga Shkupi. Pasi gjendja e tij është përkeqësuar, me veturë të Ndihmës së shpejtë ai ka qenë i transferuar në Qendrën klinike ‘Nëna Terezë’, respektivisht gjatë dhënies së ndihmës së parë ai ka ndërruar jetë”, thonë nga policia e Shkupit. Ndryshe, nga atje shtojnë se trupi i të ndjerit është dorëzuar për obduksion.
ZJARRFIKËSVE TË SHKUPIT PO JU MBARON DURIMI
Ngjarja e fundit tragjike me vdekje ne zjarrfikësit, përpos familjes, tepër i kishte prekur edhe kolegët tjerë të njësisë së zjarrfikësve të Shkupit. Komandanti i togut të zjarrfikësve, Bashkim Miftari, duke folur për këtë rast tha se është tepër i revoltuar me statusin e tyre dhe pozitën në të cilën gjendet për momentin njësia e zjarrfikësve.
”Kolegu i ndjerë me datë 17 shtator kishte marrë pjesën në dy intervenime. Njëkohësish ai është ftuar të intervenojë edhe në zjarrin te mali i Gazi Babës. Gjendja e tij shëndetësor ka qenë e përkeqësuar vite me radhë. Në zemër ka pasur të vendosur dy apo tre stenda. Thënë shkurt ne si njësi përballemi me probleme të shumta. Fillimisht kemi mungesë të madhe të kuadrit. Për momentin për territorin e Shkupit janë të angazhuar rreth 180 zjarrfikës, prej të cilëve mbi 20 zjarrfikës janë me probleme shëndetësor dhe ato nuk duhet të lejohet që të marrin pjesë në intervenime. Mungesa e kuadrit është evidente në çdo aspekt. Realisht ne kemi nevojë që njësia e zjarrfikësve përgjegjëse për Shkupin të përbëhet prej minimum 350 anëtarëve. Revolta te pjesëtarët e njësisë është tepër e madhe. Ne për çdo ditë lutemi që mos të ndodhin dy zjarre në Shkup, se ndryshe gjendja mund të shndërrohet në kaos të plotë”, thotë Miftari për gazetën KOHA.