FIFA beson se kritikat e trajneres së ekipit kombëtar të vajzave të Afganistanit, Kelly Lindsey, ndaj presidentit të kësaj shtëpie të futbollit, Gianni Infantinos, janë të paarsyeshme dhe të pasakta.
Trajnerja Kelly Lindsey ka kërkuar që Gianni Infantino të largohet nga posti i presidentit të FIFA-s, pasi e quajti atë të neveritshëm dhe pretendoi se organizata në fjala nuk po bënte mjaftueshëm në hetimet ndaj zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Afganistanit për akuzat për përdhunim, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
FIFA deri më tani e ka dënuar vetëm Keramuddin Karim, i cili u pezullua përjetësisht nga futbolli muajin e kaluar për abuzime të vazhdueshme seksuale ndaj futbollisteve gjatë kohës sa ishte president i Federatës së Futbollit të Afganistanit.
Por, tani FIFA ka thënë se është duke i hetuar me shumë kujdes të gjitha akuzat e parashtruara ndaj edhe disa personave të tjerë dhe nuk do të hezitojë të ndërmarra masa nëse ka dëshmi për keqtrajtime.
“Ne vazhdojmë të rrimë afër tyre dhe t’i mbështesim ato për ta rindërtuar jetën e vet dhe të rikuperohen nga tronditja që e morën”, tha një zëdhënës i FIFA-s.
“Ish-trajnerja e ekipit kombëtar Kelly Lindsey është e vetëdijshme për këto tentime tona dhe mbështetjen që FIFA ua ka dhënë futbollisteve. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer nga kritikat e saj, të cilat i konsiderojmë të paarsyeshme dhe të pasakta”.
Disa futbolliste të skuadrës së Afganistanit i bënë publike akuzat e tyre ndaj Karimit, duke filluar nga sulmet fizike deri te ato seksuale. Por, trajnerja e Afganistanit Kelly Lindsey ishte shprehur e zemëruar që vetëm Karimi po dënohet për këto krime.
“Ata nuk e hetuan askënd tjetër përpos presidentit, ata nuk i shkuan kësaj çështjeje më thellë sesa lideri kryesor”, kishte thënë Lindsey.
“Jam e neveritur nga Infantino si njeri dhe si lider i sportit tonë. Ai nuk duhet të jetë president i FIFA-s, sipas meje. Unë e respektoj Kupën e Botës së vajzave, e respektoj punën që FIFA e bën për futbollin”.
“Por, unë nuk e respektoj mënyrën se si ky organ po qeveriset për momentin. Ne ua kemi bërë atyre të qartë dhe ua kemi dhënë të gjitha mundësitë për ta bërë gjënë e duhur dhe ta dëshmojmë se kanë integritet”.
“Ne ua dhanë mundësinë e përsosur për të guxuar të shkëlqejnë. Ti nuk je duke e respektuar futbollin e vajzave dhe nuk je duke i respektuar lojtaret, trajneret, menaxheret dhe gjyqtaret”.