Evis HALILI
Shkup, 2 mars – Nga gjithsej 69 projekte të miratuara në sferën e Industrive kreative, që do të realizohen gjatë këtij viti me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, vetëm tetë janë nga aplikues shqiptarë, shkruan gazeta KOHA. Që do të thotë se edhe në konkursin e sivjetshëm numri i atyre që prezantohen në këtë fushë relativisht të re mbetet i vogël.
Anëtari i këtij komisioni, Bekim Memeti, pohon se pavarësisht shtimit të numrit këtë vit, por edhe formave të lehtësuara të aplikimit interesimi i pjesës shqiptare vazhdon të jetë minimal. Dizajni dhe prodhimi është kategoria që numëron më shumë projekte shqiptare, ndërsa Tetova qyteti ku do të realizohen. Nga kategoria e dizajnit dhe prodhimit fituese janë “Kukulla të punuara me dorë, korniza druri” nga Shoqata Alegreto (Tetovë), “Dizajnim produktesh me materiale të riciklueshme” nga Eco Action (Tetovë), “Promovimi i dizajnit dhe koleksioneve të modës” nga Shoqata Euro eko kultura (Tetovë). Ndërsa në kategorinë e dizajnit industrial si projekte fituese janë ato të dy shoqatave po nga Tetova, Tradita me projektin “Kultura na bashkon” dhe “Zhvillimi strategjik i dizajnit si sfide për popullsinë më të re” nga Ble-and. Ndërsa në dy kategori të tjera, si dizajne dhe prodhime ka fituar Nita Muça me “Projekti jeshil”, ndërsa në dizajnin e modës projekti “Zgjimi i margaritarëve të Shkupit” nga Instituti ndërkombëtar i modës “Izet Curri”.
“Pavarësisht sensibilizimit dhe thirrjeve që bëjmë çdo vit numri i atyre që aplikojnë me projekte vazhdon të jetë i vogël. Supozuam se do të kishim më tepër konkurrentë, pasi edhe kriteret e konkurrimit u thjeshtëzuan, duke i dhënë kështu shansin më shumë shoqatave, individëve apo subjekteve të tjera që të marrin pjesë në konkurs. Gjithsej u prezantuan 11 konkurrentë shqiptarë, por vetëm tetë projekte u miratuan. Problematike për pjesën tonë janë edhe mënyra e aplikimit dhe dokumentacioni me mangësi”, thotë Memeti për KOHA.
Gjatë pesë viteve të fundit, për aq kohë sa zhvillohet ky konkurs, Ministria e Kulturës ka ndarë për më shumë se 280 projekte një fond prej 25,5 milionë denarë. Kryetari i komisionit Mitko Haxhi Pula duke theksuar karakterin multidimensional të këtij projekti nga aspekti ekonomik, sociologjik dhe kulturor ka deklaruar se zhvillomi i mëtejshëm i industrive kreative duhet të nxitet përmes trajnimeve të të rinjve dhe qytetarëve për të krijuar produkte të reja, duke u shtrirë jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera. Nga projektet fituese të konkursit të këtij viti spikat pjesa e dizajnit të modës, në të cilin vërehet më shumë dimension bazik dhe cilësor. Në konkurs janë paraqitur 90 projekte, prej të cilave vetëm 69 u shpallën fituese në sferat e dizajnit grafik, industrial të modës dhe prodhimit. Kryesisht konkurrojnë individë (41) dhe shoqata qytetare (28), si edhe subjekte të tjera juridike, katër prej të cilëve janë projekte që i dedikohen personave me nevojave të posaçme. Gjatë pesë viteve të fundit, për aq kohë sa zhvillohet ky konkurs, Ministria e Kulturës ka ndarë për më shumë se 280 projekte një fond prej 25,5 milionë denarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.